/ATSH-AFP/ - Kryeministri palestinez, Rami Hamdallah njoftoi dje se një marrëveshje ishte arritur që Izraeli t'i akordonte Autoritetit palestinez taksat e mbledhura për llogari të tij dhe që i kishte bllokuar si kundërpërgjigje për anëtarësimin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
"Izraeli u angazhua t'u japë palestinezëve gjysmë miliardë dollarë nga taksat e mbledhura për katër muaj nga dhjetori deri në mars, pas një takimi mes zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë duke përfshirë këtu  dhe shefin e shërbimeve sekrete palestineze, Majed Farraj dhe ministrin e Çështjeve Civile, Hussein al-Cheikh", sipas një komunikate të zyrës së Hamdallah.
Sipas medias izraelite, Izraeli do t'i rimbursojë në fillim të javës 1,8 miliardë shekels Autoritetit palestinez në kuadër të taksave të mbledhura për llogari të tij që prej muajit dhjetor.