TIRANE- Pas ngjarjeve të 2 korrikut 1990 në Tiranë dhe 4 korrikut në Kavajë, trazirat në vend nuk po ndaleshin. Ministria e Brendshme dhe të gjithë strukturat e sigurisë ishin në gjendje gatishmërie ne çdo cep të Shqipërisë.

Raportet e hartuara për çdo trazirë e vërtetojnë plotësisht agoninë ku ishte zhytur pushteti i drejtuar nga komunistët, një pushtet që po përpiqeshin ta mbanin me çdo kusht. Strukturat partiake evidentonin armiq të pushtetit gjithkund. Kushdo që dilte në demonstrata ishte i dyshimtë, kushdo që kapej nga policia vihej nën hetim.

Sot në vargun e dokumenteve mbi trazirat e vitit 1990 në Shqipëri kemi zgjedhur dy dokumente dhe një listë të gjatë prej 231 personash të arrestuar gjatë trazirave të ndodhura me 26 korrik 1990 në Tiranë. Si kishin nisur këto trazira, çfarë kishte ndodhur në 26 korrik dhe cilët ishin 231 personat e arrestuar nga turmat që protestonin rrugëve të Tiranës? Dokumentet e mëposhtme na e zbardhin pjesërisht këtë tablo, e cila do të plotësohet në ditët në vijim me të tjera dokumente, pjesa dërrmuese e të cilave kanë qenë shënuar me vulën sekret.