Gazeta spanjolle “AS”, ka publikuar deklaratat e Murinjos gjatë drejtimit të Real Madridit. Përveç dështimit të portugezit, ajo që ka rënë më shumë në sy kanë qenë batutat dhe shprehjet e tij të famshme dhe shumë polemizuese, duke e bërë atë që të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Korrik 2010 - “Kam parë shumë ndeshje të Realit sezonin e kaluar dhe nuk e kuptoj se si i kanë fituar ato ndeshje”.
Shkurt 2011 - “Eshtë sezoni im i parë, por normalisht sezonet e mia të dyta janë akoma më të mira”.

Mars 2011 - “Ka diçka që më bën të jem ndryshe nga Pelegrini: nëse më shkarkojnë, nuk do të shkoj kurrë të drejtoj Malagan, por një skuadër të madhe në Itali apo Angli”.
Prill 2011 - “Nëse i them Guardiolës dhe UEFA-s atë që mendoj, atëherë karriera ime përfundon sot. Dhe nëse nuk mund të them dot atë që mendoj, atëherë dua të bëj vetëm një pyetje: Pse? Nuk e kuptoj pse Barça favorizohet kështu. Nuk e di nëse është për arsye të Unicef-it, për fuqinë e Vilarit në UEFA, apo ngaqë janë shumë simpatikë”.
Prill 2011 - “Guardiola është një trajner fantastic futbolli, por ka fituar një Champions që mua do të më vinte turp ta fitoja”.
Maj 2011 - “Nisim një cikël të ri futbolli dhe një grup trajnerësh që nuk flet për gjyqtarët dhe një tjetër që i kritikon ata. Por ka edhe një grup të tretë, ku është Guardiola, i cili i kritikon gjyqtarët edhe kur ata e ndihmojnë skuadrën e tij”.

Gusht 2011 - “Me të gjithë gurët që më godasin, mund të bëhet një monument”.
Tetor 2011 – “Te Reali konsiderohen ikona të futbollit dhe më shohin edhe mua si të tillë. Nuk është e lehtë të udhëheqësh një skuadër të tillë po të mos isha edhe unë një ikonë. Nuk ka diferencës mes statusit të tyre dhe timit.
Janar 2012 – “Unë nuk kam kërkuar të drejtoj Realin, por është Reali që më kërkoi mua”.
Shkurt 2012 – “Zidan është vërshëllyer. Po ashtu edhe Ronaldo e Kristiano Ronaldo, dy Topa të Artë. Pse të mos vërshëllehem edhe unë?! Nuk është problem për mua”
Mars 2012 – “Nuk vij në konferencë për shtyp sa herë që skuadra fiton, por vij gjithmonë kur ajo humbet. E njëjta gjë është në fushë. Kur fitojmë, unë nuk shfaqem. Kur humbasim, jam aty gjithmonë”.

Maj 2012 – “Mund t’ju siguroj 100% që në dy vitet e ardhshme di të jem akoma në Madrid”.
Gusht 2012 – “Do të shkoj atje ku më duan vërtetë dhe kur ky moment të vijë, atëherë duhet të tregojnë se sa më duan”.
Shtator 2012 – “Nuk mund të krahasohen dy skuadra të ndryshme, dy sezone të ndryshme, dy situata të ndryshme dhe sidomos “uria” që ekzistonte mes futbollistëve të Interit dhe me atë që është tek ky Real”.
Tetor 2012 – “Për shumë arsye, pas Realit do të kthehem në Angli. Shpresoj që kur të rikthehem, të gjej atje sërish Fergusonin si kundërshtar. Nëse ai heq dorë, atëherë futbolli humbet shumë. Unë e thërras “shefi”, sepse është “shefi” i të gjithë trajnerëve”.
Nëntor 2012 – “Edhe nëse nuk e fitoj Champions-in me Realin, nuk mund të flitet për dështim. Kam fituar kaq shumë në karrierën time, sa bota nuk pret gjë tjetër veçse fitoreve nga unë”.
Dhjetor 2012 – “Në këto momente, Adan është më në formë se Kasijas”.

Shkurt 2013 – “Nuk do ta zëvendësoj Fergusonin, sepse do ta mbyllim karrierën në të njëjtën kohë: ai 90 vjeç, un 70”.
Mars 2013 – “U qëndroj leksioneve që kemi marrë nga Barcelona në të kaluarën. Leksione sportiviteti, se si të sillesh në futboll, si mos të flasësh për gjyqtarët, mos të kërkosh kartona për kundërshtarët dhe si të mos simulosh”.
Prill 2013 – “Sigurisht që Klop është një njeri që flet shumë”.
Maj 2013 – “Të gjithë trajnerët punojnë nën presion. Shikoni Bajernin, fiton gjithçka dhe në fund vjen Guardiola”.
Maj 2013 - “Dua që Reali të fitojë Champions League e 10-të në historinë e tij, me apo pa mua në stol”.