Komisioni i Venecias (KV) në Opinionin e tij paraprak për projektamendamentet kushtetuese, të hartuara nga GENL dhe të miratur nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, ka bërë një vlerësim tejet pozitiv për reformën e propozuar.
 
KV ka shprehur konsiderata dhe mabështetje për përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të bërë një reformë të thellë, tërësore dhe të qenësishme në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë, sipas KV, është nevojë urgjente dhe diktohet nga gjendja alarmante e korrupsionit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Situata kritike në të cilën ndodhet vendi i justifikon edhe zgjidhjet radikale që përmban kjo paketë.
 
KV vlerëson punën e bërë për hartimin e projektamendamenteve kushtetuese nga GENL, të cilat përbëjnë një bazë solide për të arritur qëllimin e kësaj reforme. Këto projektamendamente duhen parë në kontekstin politik, ligjor dhe social në të cilën ndodhet Shqipëria. KV thekson se projektamendamentet kushtetuese në tërësi janë pozitive dhe ato duhen mbështetur për spektrin e gjerë të çështjeve që adresojnë.
 
KV sjell në vëmendje se, dokumenti që është miratuar në mbledhjen e datës 19 Dhjetor, është një opinion paraprak, i cili, pas reflektimeve që GENL do t’i gjykojë të arsyeshme, dhe pas vizitës së programuar të raporterëve të KV në Tiranë (në muajin Janar), do të finalizohet dhe miratohet në formën e tij përfundimtare.
 
Ne i ftojmë të gjithë të bashkohen sinqerisht me vlerësimet e KV lidhur me cështjet e trajtuara nga projekti kushtetues i hartuar nga ekspertët. 
 

Pikësëpari, vlen të nënvizohet fort fakti se, Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht dakort me çështjet më thelbësore, që përbëjnë dhe themelet bazë të të gjithë strukturës së amendamenteve kushtetuese të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me :    
 
Ridimensionimin e kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me sistemin e drejtësisë, duke pranuar se për Kushtetutën Shqiptare, është mjaft e rëndësishme të sigurohet se roli i Presidentit në emërimin e gjyqtarëve të jetë sa më formal. Në këtë aspekt, KV ka mirëpritur propozimin për formulën e përbërjes së GJK dhe të mënyrës së emërimit të anëtarëve të saj, ashtu siç ka pranuar shmangien e Presidentit të Republikës nga kompetenca për emërimin e shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe qenia e tij në krye të KLGJ;  
 
Kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të mos kontrolluar kushtetutshmërinë e amendamenteve kushtetuese, të cilën e ka vlerësuar si një standard normal dhe një zgjidhje të pranueshme;
 
Zgjerimin e të drejtës së idividëve për të vënë në lëvizje GJK në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre, si një standard i pranueshëm ndërkombëtarisht;  
 
Riorganizimit të Gjykatës së Lartë në drejtim të kompetencave, të shndërrimit të saj në një gjykatë karriere dhe ligji, të formulës së emërimit të gjyqtarëve e të Kryetarit;
 
Riformatimin e KLGJ në drejtim të emërtimit, përbërjes, kompetencave, mënyrës së ushtrimit të funksionit, ngushtimit të diferencës ndërmjet numrit të gjyqtarëve dhe jo gjyqtarëve, mënyrës së zgjedhjes së tyre nga një shumicë e cilësuar parlamentare, zgjedhjes së Kryetarit nga jogjyqtarët;
 
Nevojën për ngritjen e disa institucioneve kushtetuese, si Këshilli për Emërimet, Tribunali Disiplinor, Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, SPAK etj;
 
Riorganizimin e Prokurorisë dhe domosdoshmërinë e rritjes së pavarësisë personale të prokurorëve në raport me hierarkinë institucionale;
 
Shumicën e cilësuar prej 3/5 të deputetëve, e vlerësuar si një formulë kushtetuese, që premton dhe garanton zgjidhje që i vlejnë të ardhmes, por që nuk mund të ndryshojë në funksion të realitetit aktual politik;
 
Ndërprerjen e mandatit të KLD dhe të PP, të kushtëzuara si zgjidhje përjashtimore, për shkak të ristrukturimit radikal të këtyre organeve dhe që do të bënte të mundur ushtrimin e kompetencave dhe ndarjen e tyre sipas konceptit të ri kushtetues; 
 
Procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si një proces që diktohet nga gjendja alarmante e korrupsionit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
 
II.
KV, pas analizës që i ka bërë projektamendamenteve të propozura vlerëson si pozitive dhe të mirëpritura ndërhyrjet dhe rregullimet përkatëse lidhur me :
 
Propozimin për të ndarë kompetencën e emërimit të anëtarëve të GJK në tri organe kushtetuese me qëllim shmangien e bllokimit të procesit të emërimit që është prezent prej vitesh në Shqipëri;
 
Iniciativën për pavarësi buxhetore dhe financiare të GJK;
 
Depolitizimin e procesit të emërimit të gjyqtarëve, sidomos atyre të gjykatave më të larta (GJK, GJL, GLA), por edhe të PP;
 
Efektin pozitiv të krijimit të një gjykate të lartë administrative, në drejtim të rritjes së profesionalizmit të gjyqtarëve, që mbetet e ndërvarur nga vlerësimi i të burimeve financiare dhe njerëzore të vetë autoriteteve shqiptare;
 
Avantazhin që ka për Shqipërinë për ngritjen e një sistemi me dy këshilla, ashtu siç vlerësohet dhe ngritja e një inspektoriati të pavarur të drejtësisë.
 
Dhënien KLGJ-së të të gjitha funksioneve thelbësore për menaxhimin e çështjeve që lidhen me gjyqësori, duke krijuar edhe nënstrukturat e tjera të nevojshme për kryerjen e këtyre funksioneve;
 
Heqjen e imuniteti penal për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe garantimin vetëm të imunitetit funksional;
 
Ngritjen e një sistemi prokurorie të pavarur, duke i dhënë hapësirë vendimmarrëse dhe përgjegjësie prokurorit të çështjes dhe heqjes së varësisë personale të tij nga PP në hetimin e një çështjeje të caktuar;
 
Forcimin e rolit të KLP duke i dhënë kompetenca thelbësore në emërimin, shkarkimin, përgjegjegjësinë disiplinore të prokurorëve por edhe në menaxhimin e punëve të brendshme të sistemit të prokurorisë.
 
III.
Krahas vlerësimeve të mësipërme, KV sugjeron përmirësimin e pjesshëm ose përshtatjen më të mirë të disa mekanizmave, me synimin që arritja e qëllimit final për të cilin janë hartuar projektamendamentet të jetë sa më e plotë dhe efikase. Konkretisht, KV këshillon :
 
Rishikimin e dispozitave që mundësojnë (nga pikëpamja kushtetuese) integrimin e Shqipërisë në BE;
 
Parashikimin e disa kritereve profesionale për të gjithë anëtarët e KLGJ, gjë që i shërben transparencës dhe garancisë për zgjedhjen e personave me përvojë profesionale, si dhe të kritereve më të qarta dhe më të detajuara për kandidatët për anëtarë të GJK, GJL, GJLA, PP;
 
Shtrirjen e përgjegjësisë disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe GJK;
 
Reduktimin e mëtejshëm të rolit të Ministrit të Drejtësisë në KLGJ, sidomos sa i takon fillimit të procedimit disiplinor ndaj një gjyqtari, apo qenies së tij si anëtar i Tribunalit Displinor, me synimin e shmangies së konfliktit të interesit; 
 
Përfshirjen në Këshillin për Emërimet edhe të anëtarëve nga jashtë gjyqësorit për të shmangur koorporatizmin në gjyqësor, si edhe kordinimin e veprimtarisë së tij me atë të organeve që kanë kompetencën për të bërë emërimet;
 
Pozicionimin e qartë të Inspektoratit të Pavarur të Drejtësisë në skemën institucionale kushtetuese;
 
Zgjedhjen  e Prokurorit të Përgjithshëm nga KLP dhe Kuvendi mbi bazën e një liste, ku renditen të gjithë kandidatët, sipas kualifikimit, si dhe parashikimin e një mekanizmi zhbllokues, në rast të mosarritjes së shumicës prej 3/5;
 
Qartësimin e raportit ligjor dhe institucional, me synim shmangien e mbivendosjes së kompetencave ndërmjet Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe PP;  
 
Pozicionimin dhe përafrimin me statusin e një gjykatë të Komisionit të shkallës së dytë, që shqyrton ankimet gjatë procesit të vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, me qëllim eleminimin e çdo mundësie për tu vlerësuar si shkelje nga GJEDNJ;
 
Parashikimin e një procedure më sintetike në Kushtetutë për procesin e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, duke i lënë rregullimet e detajuara në ligjin specifik që do të miratohet për këtë qëllim.