Ja fotot e 83 tonëve të fundit
e armëve kimike në Shqipëri

TIRANE- Shqipëria ka patur dhe ka një arsenal shumë më të madh nga sa mendohej të armatimeve dhe lëndëve të rrezikshme kimike në dispozicion të ushtrisë. Deri tani është folur për eliminimin e 16.6 tonëve armë kimike. Por, tani zbulohet se grumbullimi i një sasie tjetër të konsiderueshme të lëndëve të rrezikshme kimike, në inventar të ushtrisë shqiptare, për t’u larguar nga vendi, me ndihmën e OSBE-së, ka nisur në tetor të këtij viti. Ashtu sikurse vuri në dukje një ditë më parë Shqiptarja.com, Shqipëria, që po bëhet gati të pranojë armë kimike të Sirisë, të cilat do të demontoheshin nga ekspertë të huaj, në fakt ka ende vetë dhjetëra ton lëndë të para, që përdoren për prodhimin e këtyre armëve. 

Tetëdhjetetre tonë lëndë kimike të rrezikshme, që ndodhen në repartet ushtarake të Shqipërisë, do të ripaketohen dhe do të grumbullohen në një vend të vetëm, për t’u ruajtur në mënyrë të sigurt, si pjesë e një projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që filloi një muaj më parë. Marrëveshja për këtë qëllim ishte nënshkruar në prill të vitit të kaluar nga ish-ministri Arben Imami dhe ish-kreu i Pranisë së OSBE në Tiranë, Eugen Ëolfarth.

“Këto kimikate ndodheshin pranë zonave të banuara dhe paketimi ekzistues në shumicën e rasteve është thuajse plotësisht i shkatërruar, duke rrezikuar kështu jetën e njerëzve dhe mjedisin”, tha kryetari aktual i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig. “Përmes këtij projekti, OSBE-ja synon të japë një kontribut domethënës në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve të Shqipërisë”.
Projekti mbulon 37 lloje të ndryshme lëndësh kimike, përfshirë substanca të rrezikshmërisë së lartë si dichloramine dhe xylenol, që ndodhen në mjedise ushtarake në Tiranë e qytete të tjera. Synohet që ato të ripaketohen, të ruhen në mënyrë të sigurt e të përgatiten për t’u eksportuar e për t’u asgjësuar jashtë, në një fazë të mëvonshme.

Rezulton, gjithashtu se në vitin 2010 të jenë evaduar nga baza e Brarit, pranë Tiranës, drejt Belgjikës 110 ton dichloramine. Aktualisht, veprimet financohen nga OSBE-ja, Republika Çeke dhe Turqia dhe kryhen nga një kompani private e kontraktuar si dhe nga stafi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i cili është trajnuar nga OSBE-ja.

Prezenca e OSBE-së e ka ndihmuar Shqipërinë, që nga viti 2008, në përpjekjet e saj për të asgjësuar municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet helmuese. Prezenca e OSBE-së ka ndihmuar në asgjësimin e 60 tonëve përbërës toksikë të karburantit të raketave, 120 tonëve dichloroethane, si dhe ka ofruar pajisje për shkatërrimin e municioneve të tepërta.  
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Preç Zogaj: ‘Mosmarrëveshja’ si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë