Automjeti Jaguar XKR Coupe prodhim i vitit 2008 është shndërruar në pikën lidhëse mes shtetasit italian Massimiliano Nicolini dhe koordinatorit të grevës së urisë së të përndjekurve politikë Asllan Patrioti.

Automjeti ishte deklaruar i humbur nga shtetasi italian ndërsa Patrioti ka mundur ta ndihmojë për ta gjetur atë në Shqipëri. Sipas të dhënave të fundit rezulton se kjo makinë luksoze është nxjerrë në shitje përmes gazetës "Çelësi" në datën 3 shtator 2012. Veprim i kryer më shumë se një muaj përpara se Nicolini të rikontaktonte Patriotin për t'i ofruar një shumë parash në shenjë vlerësimi për ndihmesën.

njoftimi celesi makina jaguar asllan patrioti masimiliano nikolini
(Njoftimi i shitjes)

Në njoftimin për shitje është shënuar se makina është blerë në shumën 140 mijë euro dhe ofrohej të shitej për 35 mijë euro, pra katër herë më pak se çmimi fillestar. Jaguar XKR Coupe është një makinë luksoze që kombinon sportivitetin dhe komoditetin duke u cilësuar jo rrallë si një makinë moderne garash. Makina ka aftësinë të arrijë deri në 60 km në orë për vetëm pesë sekonda nga starti ndërsa shpejtësinë elektronike të limituar e ka 155 kilometra në orë.

Brenda automjetit gjithçka është elektronike sa i takon sistemit të kontrollit të nxehtësisë, sistemit audio, atij të navigimit dhe kontrollit. Jaguar XKR ka edhe një sistem mbrojtjeje të pasagjerëve përmes airbag-eve ballor dhe anësor.

(dm/Shqiptarja.com)