Ja ndryshimet e propozuara

P R O J E K T L I GJ


PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9157, DATË 4.12.2003, “PËR PËRGJIMIN E TELEKOMUNIKIMEVE”, TË NDRYSHUAR


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:


Në ligjin nr.9157, datë 4.12.2003, “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Titulli i ligjit ndryshohet dhe bëhet: “Për përgjimin e ligjshëm të komunikimeve elektronike”.

Neni 2

1. Kudo në ligj termat “...telekomunikacion...” dhe “... telekomunikim...”, zëvendësohen me shprehjen “...komunikim elektronik...”.

2. Kudo në ligj emërtimi “...Sektori i përgjimeve në SHISH...”, zëvendësohet me “...Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH...”.

3. Kudo në ligj shprehja “...operator/ët e telekomunikacioneve...” zëvendësohet me “... sipërmarrës/it e komunikimeve elektronike...”.

Neni 3

Në nenin 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. “Sipërmarrës i komunikimeve elektronike”, çdo person fizik ose juridik, i cili ofron rrjete të komunikimeve elektronike dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë.”.

2. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. “Komunikim” ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në pikën 13, të nenit 3, të ligjit për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë,

3. Pas pikës 9 shtohen pikat 10 e 11, me këtë përmbajtje:

“10. “Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare” (më poshtë AKEP) është organi rregullator, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, sipas ligjit për shërbimin postar, si dhe mbështetur në politikat e zhvillimit të fushës së komunikimeve elektronike e shërbimeve postare, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

11. “Përdorues” është cilido që përdor ose kërkon të përdorë shërbime të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun.”.

Neni 4

Në nenin 10, shkonja “a” dhe në përmbajtje të të gjithë ligjit pas fjalëve “... dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme...” shtohen fjalët “... si dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë...”.

Neni 5

Në nenin 13, pas fjalëve, “... në administrim...”, shtohen “... dhe e instaluar...”.


Neni 6

Në pikën 3, të nenit 20, dhe në përmbajtje të gjithë ligjit, pas fjalëve “... ministri i Brendshëm...” shtohen “ .... ministri i Drejtësisë...”.

Neni 7

Në nenin 21 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike realizojnë, me shpenzimet e tyre, infrastrukturën e nevojshme në rrjetin e tyre të komunikimeve elektronike, për të siguruar, brenda 180 ditëve nga marrja e kërkesës nga institucionet që administrojnë sisteme përgjimi sipas këtij ligji, aftësinë përgjuese ndaj përdoruesve që shfrytëzojnë shërbimet e komunikimeve elektronike të ofruara prej tyre.”.

2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Kur sipërmarrësit e komunikimeve elektronike bëjnë çdo lloj ndryshimi teknologjik ose zgjerim kapaciteti, detyrohen të mbulojnë me shpenzimet e veta vazhdueshmërinë e funksionimit të procesit të përgjimit.”.

3. Pas pikës 4 shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:

“5. Në rast ndryshimesh në bërthamën elektronike të komandimit, që imponojnë ndryshime në infrastrukturën e komunikimeve elektronike të sipërmarrësve, struktura përgjegjëse për bërthamën elektronike të komandimit njofton sipërmarrësit e komunikimeve elektronike për ndryshimin, të paktën, 180 ditë para këtij ndryshimi.

6. Në rast të moszbatimit brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, të detyrimit ligjor për realizimin e infrastrukturës së nevojshme për sigurimin e aftësisë së përgjimit të ligjshëm të komunikimeve elektronike, nga ndonjë ose disa sipërmarrës, AKEP-i, me kërkesë të institucionve që administrojnë sistem përgjimi sipas këtij ligji, vepron në përputhje me kompetencat e tij ligjore, për zbatimin e këtij detyrimi dhe aplikimin e sanksioneve.”.



Neni 8

Pas pikës 2 të nenit 23, shtohet pika 3,

“3. Prokurori i Përgjithshëm, për çështje të veçanta, për nevoja të hetimeve paraprake, sipas procedurave të përcaktuara në nenet 221 deri 226, të Kodit të Procedurës Penale, urdhëron realizimin teknik të procesit të përgjimit nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe nga prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda.”.

Neni 9

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës