Ja njerëzit që do hapin dosjet
kush është i besuari i PD

Ja njerëzit që do hapin dosjet<br />kush është i besuari i PD
TIRANE - Ashtu siç edhe paralajmëroi Shqiptarja.com në artikullin e së dielës, Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar dhe miratuar dje kandidatët për anëtarë të komisionit që do të hapë dosjes e ish-Sigurimit të Shtetit. Kandidatët pritet të votohen ditën e enjte në seancë plenare, duke u ngarkuar me një prej detyrave më sensitive, e cila pritet të trazojë qarqet më të larta të politikës, segmente të gjyqësorit, ushtrisë, diplomacisë e deri tek njerëzit e thjeshtë.

Konkretisht, Daut Gumeni është mbështetur nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë dhe Simon Miraka nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Miraka dhe Gumeni janë mbështetur nga 28 deputetë secili, pra kanë marrë firmat e 56 deputetëve. Ndërkaq, Gentjana Sulaj është propozuar nga Këshilli i Ministrave, e cila me shumë gjasa do të zgjidhet e kryetare e komisionit ose siç njihet ndryshe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Kandidatura e saj u votua kundër nga opozita, me argumentin se në ligj nuk ishte përfshirë procesi i lustracionit, pra detyrimi për t’u larguar nga funksioni publik, nëse rezulton bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

“Jemi të detyruar të votojmë kundër sepse mendojmë që ligji, që në zanafillën e saj është një farsë, për shkak se ne kemi kërkuar që në fillim që të përfshihet procesi i lustracionit. Ky ligj, pa procesin e lustracionit, është i pakuptimtë. Ajo që po ndodh sot është kjo që ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit janë kudo në administratën tuaj të re të Rilindjes. Simbolet e diktaturës shfaqen rëndom nëpër aktivitetet tuaja. Bunkerë po ndërtoni në mes të Tiranës”, tha deputeti i PD, Arben Ristani.

Lufta për dy anëtarë
Tre partitë kryesore në vend kanë propozuar tre kandidatë për dy anëtarë të komisionit për hapjen e dosjeve të Sigurimit. Altin Hoxha është propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa Maringlen Kasmi është propozuar nga Partia Socialiste. Ndërkaq, Partia Demokratike ia ka besuar procesin e hapjes së dosjes Selami Zallit.

Tre kandidatët do të hidhen në votim ditën e enjte. Partia Demokratike është pozicionua kundër dy kandidatëve të mazhorancës, duke shprehur dyshimet se në seancë, kandidati i saj mund të rrëzohet. Sipas ligjit, çdo kandidat për anëtar, përpara emërimit të tij, nënshkruan një deklaratë për mosmbajtjen prej tij të asnjë prej detyrave apo cilësive ndaluese të përcaktuara në ligj. Qenia anëtar i Autoritetit është e papajtueshme me çdo detyrë tjetër shtetërore apo private.

Përgjegjësitë e Autoritetit
Autoriteti ka përgjegjësi për grumbullimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për qëllimet dhe sipas procedurave të parashikuara. Po ashtu, bën vlerësimin, renditjen, evidentimin, ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve, sipas rregullave dhe parimeve të legjislacionit në fuqi për arkivat.

Ka për detyrë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me autoritetet publike dhe arkivat për qëllime të zbatimit të këtij ligji si dhe dhënien e informacioneve e të njoftimeve mbi dokumentet, si dhe garantimin e shqyrtimit dhe dorëzimin e tyre për kërkuesit.

Po ashtu, Autoriteti mbështetet kërkimin shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve.

Autoriteti raporton për veprimtarinë e tij përpara Kuvendit, një herë në vit, si dhe sa herë i kërkohet nga Kuvendi.

Preken 400 mijë bashkëpunëtorë
Procesi i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit pritet të prekë 400 mijë persona. Sigurimi i Shtetit ka pasur 1 mijë e 400 punonjës dhe rreth 400 mijë bashkëpunëtorë të nivele të ndryshme, gjatë gjithë periudhës së funksionit të tij. Një pjesë e bashkëpunëtorëve nuk jetojnë më, por shumica e tyre jo vetëm jetojnë, por kanë një perceptim të fortë se janë pjesë e Parlamentit dhe e institucioneve më të larta të shtetit.

Gjatë viteve të fundit, kanë qarkulluar shumë pseudonime spiunësh, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë, madje edhe vetë ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe një listë prej 100 emrash. Të akuzuarit gjithnjë kanë mohuar bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, ndërsa disa prej tyre kanë paraqitur edhe kartelat e pastërtisë, të lëshuara nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

Gjithsesi, tentativa e tretë për të hapur dosjet, pavarësisht masave dhe filtrave që parashikon ligji, pritet të prodhojë surpriza dhe të provokojë një debat të madh publik.
 
Votimi
Kandidatët pritet të votohen ditën e enjte në seancë plenare, duke u ngarkuar me një prej detyrave më sensitive, e cila pritet të trazojë qarqet më të larta të politikës, segmente të gjyqësorit, ushtrisë, diplomacisë e deri tek njerëzit e thjeshtë.
 
Kandidati i PD
Partia Demokratike ia ka besuar procesin e hapjes së dosjes Selami Zallit. Opozita është pozicionua kundër dy kandidatëve të mazhorancës, duke shprehur dyshimet se në seancë, kandidati i saj mund të rrëzohet.
 
Kandidatët e propozuar
 
1.        Daut Gumeni, propozuar nga të përndjekurit
2.        Simon Miraka, propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut
3.        Altin Hoxha, propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim
4.        Maringlen Kasmi, propozuar nga Partia Socialiste
5.        Gentjana Sulaj, propozuar nga Këshilli i Ministrave
6.        Selami Zalli, i propozuar nga Partia Demokratike
 
Neni 20 i ligjit, garantimi i së drejtës për informim
 

1. Kërkuesit i njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish Sigurimit të Shtetit ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit. Kjo e drejtë përfshin njohjen dhe shqyrtimin e dokumenteve origjinale ose dublikatave të tyre.
 
2. Autoriteti mund ta kufizojë pjesërisht ose plotësisht garantimin e së drejtës për informim, kur të dhënat përbëjnë kërcënim real për Sigurinë Kombëtare.
 
3. Kur, për shkaqe aftësie të kufizuar, kërkuesi, për të shqyrtuar dokumentet, ka nevojë për ndihmën e një të treti, Autoriteti lejon praninë e të tretit kur kërkuesi deklaron me shkrim se ai është person i besuar dhe ka arsye të mjaftueshme për të besuar nevojën për shoqërim.
 
4. Kur dokumentet ose dublikatat, përveç informacioneve personale mbi kërkuesin, përmbajnë edhe të dhëna për të prekur të tjerë apo palë të treta, shqyrtimi i dokumenteve origjinale garantohet vetëm kur:
a) kjo miratohet nga të prekurit e tjerë apo palët e treta; ose
b) është e pamundur ndarja e të dhënave mbi të prekurit e tjerë apo palët e treta; ose
c) është e mundur vetëm me përpjekje të pajustifikuara dhe nuk ka arsye për të prezumuar se të prekurit e tjerë apo palët e treta kanë interes të ligjshëm në mbajtjen e këtyre informacioneve të fshehta.
 
5. Kërkuesit i garantohet e drejta për të njohur dhe shqyrtuar edhe dublikata, tek të cilat informacionet personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta janë bërë të palexueshme. Shqyrtimi kryhet në zyrat e Autoritetit.
 
6. Kërkuesit i dorëzohen dublikata të dokumenteve vetëm pasi janë bërë të palexueshme të dhënat personale për të prekurit e tjerë apo palët e treta.
 
7.        E drejta për njohje, shqyrtim dhe dorëzim të dokumenteve nuk zbatohet për mjetet e parashikuara nga neni 3, pika 5, shkronja “a”, nënndarja “iii”, të këtij ligji. Kur dokumentet nuk mund të gjenden, e drejta për shqyrtim dhe dorëzim shtrihet te dublikatat dhe të dhënat e kartelave dhe skedave të kartotekës, të cilat përdoren për interpretimin e dokumenteve dhe përmbajnë të dhëna personale për kërkuesin.
 
Si u zhduken dosjet e 56 politikanëve agjentë të shërbimeve të huaja
Viron Bezhani, biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë në raport me Sigurimin e Shtetit dhe të shkuarën komuniste, ka deklaruar se një ish-punonjës i ambasadës shqiptare në Belgjikë, para se Sali Berisha të rrëzohej nga pushteti në ’97, ka vjerdhur 73 dosje, me informacione të rëndësishme për politikanët shqiptarë, bashkëpunëtorë të UDB dhe shërbimeve të tjera të huaja.

Vjedhja dhe zhdukja e disketave nga një person, tashmë i identifikuar, ngre dyshime të mëdha rreth Sali Berishës, pasi ngjarja ka ndodhur gjatë sundimit të tij të parë. “Nga 73 disqe që janë vjedhur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja. Përveç disqeve, janë zhdukur dhe dosje me informacione të shërbimit sekret, njëkohësisht është vjedhur dhe truri i skeduar i arkivës së SHIK dhe listat e me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri.

Vjedhja e tyre u zbulua në pranverën e vitit ‘97”, ka deklaruar ai. Ndërkaq, edhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka deklaruar se dosjet e rëndësishme janë zhdukur dhe dëmtuar gjatë viteve të trazirave 1996-1997.

(er.nu/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh