Ja, po përflaken
edhe krahët e zogjve...

Ja, po përflaken<br />edhe krahët e zogjve...
Jetoj
 
Jetoj ashtu siç mundem
As mirë, as keq
As shumë, as pak.
Me shtëllunga mendimesh
në kokë,
lëndina të virgjëra ndjenjash,
që ndër perëndime
përflakshëm
seksit tim i aviten
e lëmsh me të bëhen.
Jetoj duke pritur
Përgjigjet e pyetjeve të mia,
Që era marroke i merr
E nëpër cepat e botës-rrumbullake i hedh...
buzë pirgjeve të pse-rave shumeshekullore
që koha me bezdi vetëm pluhurin
iu shton.
Me fjalë jetoj
E pasi më thuhen
Kurorë me gjemba
Mbi kokë më bëhen
Dhe trutë vazhdimisht më çjerrin.
Ç’të bëj? Rri pres.
Si nënë e mirë,
Zemërmadhe rri edhe pres.
E jeta, kjo shtrigë plakë
Prapë në klasë më ngel.
Mua - nxënësen e zellshme të saj!
 
Fat
 
Luaj edhe unë me fatin tim
ashtu siç luan ai me mua.
E ngatërroj nëpër numra
dhe fletë biletash llotarie
E pres të gjej kombinimin fatprurës
që fatit “Qërohu!” t’i them.
Fat i mbryrë me pika
djerse dhe gjaku
Me pare të nxjerra
nga xhepa të shpuar.
Bashkarisht,
ndajmë mjerimin tonë
që magjikisht të na japë fat.
Kombinim fatlum
që mbart me vete
cigare xixëlluese
nëpër gojëra të mëdha
ku vreri i shpirtit
rrëzon dhëmbët
si dyer të krimbura
e pëshpërit,
“Mjerimi yt,
dhe mjerimi i tyre,
plus mjerimin tim,
janë baraz me fatin tim”
O burra,
të luajmë
fat–mjerimin tonë!
E xixëllojnë
Akoma më shumë
Cigaret punëtore
Nëpër gojërat e shuara...
Fjalë gjyshesh
Më kumbojnë në kokë:
Fatin mbi ball
Të shkruar e kemi.
Por sytë i ngrejmë
E dot s’e lexojmë.

Netësh
 
Netëve kohën e mas
Me mendime që më përplasen
Nga njëra hemisferë e trurit në tjetrën
E mes brazdave të trurit tim
të butë, gjumi i ze.
Si lopa rri përtyp
Jetën e ditës
e stërvitem
me meditime të ligura
që mëngjesi
lehtësisht, si kala rëre
m’i rrëzon.
E çuditshme kjo
historia jonë njerëzore...
Në mishrat tona
ndërthuren ditë e netë,
Ëndrra me sy hapur e mbyllur
që gjumi natë për natë i ze.
Netësh, historia jonë
shkruhet pa bujë e zhurmë
Ashtu është shkruar
edhe kur dinosaurët
mbretëruan këtë tokë,
shkruhet nga gjumi.
Gjumi – paqja e errët
Mes qiellit dhe tokës
ku nënshtrimi ynë i padiskutueshëm është.
S’ka rebelim ndaj gjumit!
Mer një kokërr valium
e fli, o i gjallë.
Në gjumë, historinë tonë
e shkruajmë me gërhitje,
komoditet jorganësh
dhe tradhëti jastëkësh
që qafat na lodhin.
Orë barazie njerëzore
ku mospëlqimin tonë
me përçatje gjumashe
netësh e tregojme.
 
Fundi
 
Po iki i dashur,
krejtesisht e zhveshur nga kujtimet tona.
Aty ku filizin e dashurisë mbollëm,
Marrëzia na mbiu.
Astarët e xhepave
Duke shtrënguar fort
E me dy lotë jetimë në sy
Po të lë vetëm
Në marrëzi-dashurinë tënde!
 
Gjethet dhe gjyshet
 
Më bezdisin gjethet e lagura
Tek presin përuleshëm
të shpohen nga heshtat e takave të mia pushtuese.
Të verdha, por të ngopura e të jetuara si gjyshet
Shpenguar shtrihen buzë trotuareve gjethet e vjeshtës.
Hemorragji mendimesh më shpërthen
Nga trutë, duart e sytë
Duke parë gjethet
Që tinëz më bien mbi flokë, supe
e tërë qënien m’a pushtojnë.
Ende (pa sukses, natyrisht!) rrekem
të çthur komplotin e vjeshtës,
Ndërsa gjethet,
si gjyshe të ngopura lehtësisht bien nga pemët e jetës.
 
Teatër Kozmik
 
Aktorë teatri ne jemi,
Të Teatrit Popullor të Jetës.
Nga njëra anë e skenës hyjmë
E nga tjetra dalim.
Kur perdet e qivurit
Përpara syve na mbyllen,
Pasardhësit me lule
Na përcjellin.
Ose me domate të kalbura,
E bujarisht na pështyjnë gjithsesi.

Dikush na mbron

Pamja ime
Gënjen si arixhofkë fallxhore.
Mbas buzëqeshjeve
Të embla, natyrshëm fsheh
Mendime të shqetësuara apokalipsi.
Pa frikë e ankth,
Por plot kureshtje,
Këmbëkryq në
Mes të hirit ulem
Dhe botës fall i hedh:
Një siklet të madh
Ke për të hequr,
Por Dikush gjithmonë të ndihmon.

Ti je shkaku
 
Me ty
Etja për jetën
Më kap
Dhe zambakë të bardhë
Nga sytë më dalin.
Prej teje, i dashur,
Kryevepra të vogla
Une bëj
Pa pushim.
 
Puthje në vjeshtë
 
U tretën edhe gjethet e vjeshtës...
U tretën i dashur
E lisat lakuriq prapë i lanë,
Njëlloj si unë e ti
Mbi barkun e krevatit tonë besnik
Ja, po përflaken edhe krahët e zogjve
Tutje në horizont.
Të gjithë po i ikin dimrit!
Shtegtimi im i shkurtër është këtë herë.
Destinacioni?
Tropiku i nxehtë i buzëve të tua.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm