Ndërkohë, do të penalizoheshin vetëm paga më të larta se kaq, për të cilat, madje maksimumi i shkallës së taksimit do të ishte në masën 22 për qind, duke filluar nga paga 3-milionëshe e më tej.
Për pagat deri në 30 mijë lekë të reja në muaj nuk parashikohet asnjë lloj takes mbi fitimin personal dhe këtu drafti është i njejtë me atë që miratoi së fundmi mazhoranca. Por, ndryshimi vjen më tej. Ndërkohë që në fuqi është sistemi i taksimit me 10% i të gjitha pagave të tjera, PS parashikon një formulë më të ndërlikuar, por shumë më të leverdisshme për tatimpaguesit.
Kjo formulë parashikon për pagat e ulta e të mesme një kuotë fikse, plus një përqindje të caktuar që e bën taksën të ndryshueshme. Kështu psh, ndërkohë që aktualisht një pagë 50.000 lekëshe tatohet me 5.000 lekë, me sistemin e ri do të taksohej vetëm 1.050 lekë, pasi ky është rezultati i shifrës fikse 750 lekë (për pagat nga 45.000 deri në 60.000 lekë) plus 7% të shifrës 50.000 – 45.000 (300 lekë).
Për pagat e ulta, leverdia është edhe më e madhe dhe ndryshimi mes këtij sistemi dhe atij aktualisht në fuqi arrin deri në nivelin e 1.4 milionë lekëve të vjetra. Pas këtij niveli, taksimi rritet progresivisht dhe, në mënyrë konkrete: nga 140.001 lekë deri në 170.000 lekë taksimi është 13% e shifrës; nga 170 mijë deri në 250 mijë, taksimi arrin në 17%; për paga nga 250 mijë deri në 300 mijë, 20 për qind, pra sa dyfishi i taksimit aktual dhe pagat më të parta se kaq do të taksoheshin me 22 për qind të totalit të deklaruar.
DEBATI
Berisha: Taksa progresive është shkatërrimtare
Koncepti i taksimit progresiv ka gjetur tek kryeministri Berisha kundërshtarin më të ashpër, që kur është prononcuar për herë të parë. Në fakt, gjatë kohës kur ai ishte president dhe për vite me rradhë kur ishte kryeministër për herë të parë, në Shqipëri ishte adoptuar një skemë e tillë.
Situata ndryshoi me një reformë fiskale. "Taksa progressive të sillte shkurtim, përgjysmim të vendeve të punës, sepse, në qoftë se qeveria u merr para biznesmenëve për punëtorët, nuk mbeten rroga dhe kjo politikë, e cila synon dhe vë në shënjestër më të pasurit, është politika, e cila rrënoi Shqipërinë. Shqipëria kishte të pasur para Lufte dhe gjatë Luftës. Lufta kundër tyre solli varfërimin më ekstrem të Shqipërisë”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, taksa proporcionale është një mashtrim fund e krye, shumë bajat dhe primitiv. “Alternativa jonë është që katër vitet që vijnë çdo shqiptar të mund të prekë, të ketë në buxhetin e tij, në konton e tij, në familjen e tij, të ardhura shumë më të mëdha se këto që ka sot dhe këtë ne do ta shndërrojmë në realitet. Ne synojmë me paketën e re fiskale t’i japim fuqizim të madh biznesit dhe besojmë se biznesi është gjeneratori i mirëqenies shoqërore, nuk është qeveria”, shtoi ai.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) .02.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)