TIRANETetë nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet përfunduan në repartin e Toksikologjisë në QSUT pas përdorimit të medikamentit “TITUS”. Sipas uniformave blu, këtë medikament nxënësve ia kishte dhënë një bashkëmoshatarja e tyre me inicialet G.L, 16 vjeç, ndaj të cilës policia ka ngritur procedim penal në gjendje të lirë.Tetë nxënësit u shtruan në spital një ditë më parë, dhe nga bluzat e bardha mësohet se janë larguar nga spitali mbrëmjen e djeshme dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas konsumimit të këtij medikamenti, nxënësit patën shqetësime, si marrje mendsh dhe të vjella.
...
Një kapriço adoleshentësh për të mos ndjekur orët e vështira mësimore ka shkaktuar shqetësim të madh në shkollën “7marsi” në kryeqytet, aty ku prej dy ditësh zhvillojnë mësim disa klasa të shkollës “Qemal Stafa”, për shkak se është në rikonstruksion. Punonjësja Sociale e shkollës, Edlira Luzi tregon për A1 Report se ka qenë një vajzë e vitit të parë e cila ka blerë lëndën qetësuese përpara se të futej në mësim duke ua shpërndarë më pas edhe shokëve e shoqeve të saj, me të vetmin qëllim, ikjen nga orët e mësimit. 

Më të shqetësuar nga e gjithë kjo situatë janë prindërit. Një prej tyre ka preferuar ta shoqërojë vetë vajzën për në shkollë. 

Nxënësit e përfshirë në ngjarje nuk janë paraqitur sot në mësim, ndërsa mësohet se bordi i shkollës po diskuton për një masë të lehtë disiplinore, duke përjashtuar mundësinë e një mase drastike si përjashtimi.
 
“Titus”, substanca e konsumuar nga të rinjtë është një lloj qetësuesi që të vë në gjumë dhe që përdoret zakonisht për kriza të rënda nervore. Ky medikament gjendet lehtësisht në farmaci, por nuk lejohet të jepet pa recetë dhe për persona nën moshën 18 vjeç. Nëse përdoret nën efektin e alkoolit, medikamenti jep efekte të ngjashme me përdorimin e drogës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)