‘Ja pse vizioni im përkon me atë të Partisë Socialiste’, Briseida Gjoza, profesionistja që kërkon të përfaqësojë Elbasanin në parlament

Briseida Gjoza

Briseida Gjoza përfaqëson një brez profesionistësh që pasi kanë marrë eksperiencat më të mira në disa shtete të botës, kanë vendosur që dijen, aftësitë e përfituara dhe kapacitetin e tyre intelektual ta vendosin në shërbim të vendit të tyre.

Pasi punoi për kompani ndërkombëtare, ajo erdhi në Shqipëri pas 10 viteve jashtë vendit ku fillimisht punoi në sektorin privat, por pa hequr dorë nga dëshira për të dhënë kontributin e saj edhe përmes angazhimeve publike.

“Eksperiencat e mia sado modeste menaxheriale në mjedise jashtë zonës sime të komfortit, kanë ndikuar që unë të zhvilloj aftësitë e mia analitike, adaptuese dhe që të jem më fleksible në një botë që po ndryshon me ritëm kaq të shpejtë. Unë jam këshilltare në Këshillin Bashkiak Elbasan, por asnjëherë nuk mjaftohem me aq sa kam dhënë sepse gjithmonë mendoj që mund të kisha dhënë edhe më shumë. Kam fituar besimin për t’u zgjedhur si Kryetare e Aleancës së Zgjeruar të Grave Këshilltare Elbasan dhe prej atëhere kam arritur të kanalizoj energjitë në propozimin e zgjidhjeve konkrete për të fuqizuar rolin e gruas (një ndër kauzat e mia më të rëndësishme) në nivel vendor”, thotë Gjoza.

Ajo kërkon votëbesimin e qytetarëve të Elbasanit sepse sipas saj, si profesioniste ka vizionin e qartë për një Shqipëri shumë më të fortë, më këmbëngulëse në arritjen e të gjitha objektivave, vizion të cilin ajo thotë se e gjen edhe brenda Partisë Socialiste dhe në programin e saj.

INTERVISTA PËR LEXO.AL:

-Pas disa eksperiencave të sukseshme ndërkombëtare, u kthyet në Shqipëri për të punuar në fushën e menaxhimit dhe të konsulencës në sektorin privat. Si ishte për ju kthimi në Shqipëri dhe mjedisi që gjetët? Kthimi në Shqipëri dhe futja në tregun e punës nuk ishte i vështirë pasi mbështetesha në një CV shumë të mirë dhe me një profesionalizëm e energji të shumë kërkuar për tregun e punës veçanërisht, por që të tregohem e sinqertë mbarëvajtja dhe zhvillimi i mëtejshëm qenë shumë sfiduese. Gjithsesi, kapërcimi i sfidave është gjithmonë një betejë që ia vlen të bëhet nga të rinjtë.

-Si ju kanë shërbyer gjithë këto eksperienca në botëkuptimin tuaj për atë se si duhet të jetë e ardhmja e shqiptarëve në vendin e tyre? Çfarë ju kanë mësuar këto eksperienca?

Unë jam shkëputur që 14 vjeç nga familja, për të ndjekur kolegjin në Tiranë dhe më pas studime dhe punë jashtë vendit. Larmishmëria e eksperiencave të mia personale dhe profesionale në pothuajse 10 vjet larg Shqipërisë kanë ndikuar shumë në formësimin tim. Unë kam parë modele e praktika të mira pune të cilat dëshiroj t’i implementoj në vendin tim. Duke qënë pjesë e skuadrave dhe në drejtim të projekteve të ndryshme kam pasur mundësinë të mësoj, të marr më të mirën e të zhvillohem në aspektin profesional dhe personal. Eksperiencat e mia sado modeste menaxheriale në mjedise jashtë zonës sime të komfortit, kanë ndikuar që unë të zhvilloj aftësitë e mia analitike, adaptuese dhe që të jem më fleksible në një botë që po ndryshon me ritëm kaq të shpejtë. Për ta ndërlidhur këtë me si e shoh unë të ardhmen e shqiptarëve në vendin tonë, është shumë e rëndësishme të shohim dhe të punojmë edhe më shumë e intensivisht për praktika afatgjata. Mendoj se çdo shqiptar duhet të pretendojë dhe të kërkojë me ngulm standardet sepse e ardhmja jonë është dhe duhet të jetë Europiane, pasi ne sot i kemi të gjitha mundësitë për të krijuar infrastrukturën e duhur. Dhe më vjen mirë që në 8 vite të qeverisjes socialiste janë hedhur baza të mira pikërisht për këto standarde që të gjithë shqiptarët i meritojnë.

-Si keni kontribuar ju në pasurimin e politikës vendore me eksperiencat tuaja të deritanishme dhe çfarë do t’i ofroni politikës në një rrafsh më të gjerë tanimë si kandidate për deputete?

Unë jam këshilltare në Këshillin Bashkiak Elbasan, por asnjëherë nuk mjaftohem me aq sa kam dhënë sepse gjithmonë mendoj që mund të kisha dhënë edhe më shumë. Por kam fituar besimin për tu zgjedhur si Kryetare e Aleancës së Zgjeruar të Grave Këshilltare Elbasan dhe prej atëhere kam arritur të kanalizoj energjitë në propozimin e zgjidhjeve konkrete për të fuqizuar rolin e gruas (një ndër kauzat e mia më të rëndësishme) në nivel vendor. Si pjesë e kryesisë së Aleancës kemi hartuar 3 prioritete dhe aksionet përkatëse nën strategjinë kombëtare për barazi gjinore 2021-2030. Ndërkohë, me rolin tim në ngritje të kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e praktikave menaxheriale dhe implementimin e modeleve të mira, unë kam dhënë kontributin tim në projektin e rivitalizimit të kalasë Elbasan. Gjithashtu jam përzgjedhur si profesioniste për qënë pjesë e ekipit zhvillues të projekt planit dhe jam përgjegjëse për Zhvillim Biznesi si PR dhe Marketing. Rivitalizimin e kalasë dhe promovimin e këtij projekti e shoh si një strategji për promovimin e qytetit, çka do të sjellë përfitime të mundshme si për periudhën afatgjatë, edhe për atë afatshkurtër. Në kontekstin aktual të konkurrencës midis territoreve për tërheqjen e investimeve, strategjitë e marketingut janë shumë të rëndësishme. Si deputete unë dëshiroj t’i ofroj politikës po të njejtën qasje që kam për kauzat sociale dhe në sektorin privat, pra marrjen e vendimeve analitike në bazë të të dhënave dhe ndërmjetësimin e duhur midis të gjithë aktorëve të përfshirë.

– Si një e re profesioniste, sa mundësi mendoni që Elbasani u ofron sot të rinjve për të realizuar potencialin e tyre?

Unë çdo vend në Shqipëri e shoh me potencial të madh. Ne kemi bazat e duhura për të zhvilluar hapësirat dhe komunitetet e ëndrrave tona. Elbasani konkretisht ndodhet në udhëkryqin e rrugës Egnatia, ka kalanë e vetme fushore në Ballkan, njihet si qyteti i luleve dhe është djepi i arsimit e kulturës. Nëse do mundemi që këto pika të forta identiteti t’i përkthejmë në nisma zhvillimi, konkretizuar me projekte të standardeve europiane, padiskutim që do të reflektojnë në hapësira ku të rinjtë mund të realizojnë potencialin e tyre. Mendoj se sot mundësi ka, ka shumë hapësira për t’i zhvilluar dhe për t’i bërë të aksesueshme për të rinjtë dhe fokusi duhet të jetë vazhdimisht aty. Nëpërmjet politikës mendoj se edhe unë mund të gjej hapësirën e duhur për të lobuar dhe përthithur më shumë fonde për Elbasanin si dhe të shtyj ato projekte të cilat të rinjtë do dëshironin që t’i kishin.

– Cili është vizioni yt për politikën dhe a përkon ai më atmosferën dhe frymën brenda partisë sociliste, nën siglën e së cilës ju kandidoni?

Politikën e shoh vërtet si hapësirën për të dhënë kontributin tim sado modest, por me shumë siguri dhe këmbëgulje drejt realizimit të kauzave për të cilat unë qëndroj: si rritja e kapaciteteve njerëzore dhe promovimi i njerëzve të duhur, menaxhim të drejtë dhe me integritet. Unë jam optimiste si natyrë dhe besimplotë por edhe analitike e kritike. Fatmirësisht e gjej këtë frymë edhe në partinë socialiste pasi si lidershipi, programi dhe ekipi ndajnë këtë frymë duke reflektuar mendjehapësi, programin vizionar dhe një skuadër e cila po bashkëpunon e sakrifikon maksimalisht. Vizioni im është ai për një Shqipëri shumë më të fortë, më këmbëngulëse në arritjen e të gjitha objektivave, të bashkuar e të motivuar, me përgjegjësi maksimale për të gjithë qytetarët që presin shumë nga Partia Socialiste./Lexo.al

Be.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mbrojtja e territorit, ju duket i drejtë dënimi deri ne 15 vite burg për ata që ndërtojnë pa leje?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

'Si më ndodhi kjo?' Ja pse mund të prekeni nga COVID-19, edhe pasi jeni vaksinuar