Carlo Bollino: Ja si Belind Këlliçi bën sot rolin e fuksit të Berishës, si dikur spiunët e Sigurimit

Carlo Bollino: Ja si Belind Këlliçi bën sot rolin e fuksit të Berishës, si dikur spiunët e Sigurimit

Carlo Bollino i fotografuar sot nga spiunët e Berishës dhe foto e botuar nga Belind Këlliçi

Nuk pata mundësi të njihja Shqipërinë në kohën e Sigurimit komunist. Kur hyra për herë të parë në vend, ishte korriku i vitit 1990 dhe spiunët e regjimit nuk kishin kohë të merreshin me mua. Dy vjet më vonë pashë në veprim SHIK-un e Sali Berishës dhe e provova edhe mbi lëkurën time. Berisha përpiqej ende të ruante aparencat, të bindte botën se ishte një trashëgimtar i komunizmit por i penduar dhe për këtë arsye ishte bërë demokrat. Prandaj SHIK-u i tij vepronte në hije, me siklet dhe ndonjëherë me turp. Spiunonte me më shumë diskrecion se sa SHIK-u i Berishës së dytë, ai që erdhi në pushtet pas vitit 2005, i cili tregonte shumë arrogancë duke përgjuar politikanë të opozitës, gazetarë, diplomatë të huaj dhe biznesmenë të pasur, por prapë me një farë kujdesi dhe pas skutave.

Sot, 34 vite pas rënies së regjimit, Sali Berisha nuk ka më turp për asgjë, sepse nuk ka më asgjë për të humbur, duke e ditur që nuk ka asnjë shpresë për t’u kthyer në pushtet, dhe brenda zyrave të partisë së tij ka rikrijuar një strukturë spiunazhi të frymëzuar nga modeli që krijoi Enver Hoxha. Unë, që besoj në demokracinë e vërtetë, jam i bindur se spiunimi i paligjshëm i qytetarëve është një krim, edhe këtë do ta përcaktojë një gjykatë. 

Sot, struktura e paligjshme e Sali Berishës më ka ndjekur dhe më ka spiunuar, dhe, meqë ai tani nuk ka më turp për asgjë, e ka bërë publik edhe raportin e marrë nga spiuni, të shoqëruar me një video si ''prove''! Spiuni, i paguar nga PD-ja, ka shënuar se kam hyrë në zyrat e bashkisë së Tiranës në një orë të caktuar dhe kam dalë në një tjetër. Një nga komandantët e degës së Tiranës të këtij Sigurimi berishian, Belind Këlliçi, të cilit i është dërguar menjëherë raporti, pretendon të më marrë në pyetje, duke më kërkuar publikisht llogari: ''Cila ishte arsyeja e vizitës tënde sot në selinë e 5D dhe inceneratorit Tiranë, që formalisht quhet Bashkia Tiranë, nga ora 11:34-12:52? Gjatë kësaj kohe që ke qëndruar brenda ambjenteve të bashkisë, a je takuar me kreun e 5D Erion Veliaj? Cila është arsyeja që fill pas seancës sot në Gjykatën Penale Tiranë, ti shkove dhe u paraqite në Bashkinë Tiranë?''.

Këto janë të njëjtat pyetje që Sigurimi enverist u bënte qytetarëve si unë, kur kapeshin duke hyrë në një ndërtesë ku banonte edhe një "armik i popullit"! Vetëm se atëherë gjithçka ndodhte fshehurazi. Tani këta spiunë të 2025-s e bëjnë spiunimin nën dritën e diellit. Dhe kjo është edhe më e rëndë! Menduam që koha e fuksave të partisë kishte marrë fund përfundimisht,  por ja që horrat janë gjithmonë gati për t'u rikthyer. Sa qytetarë të tjerë, të cilësuar "armiq" nga Partia Demokratike, ndiqen dhe spiunohen?

Para se të shkoja te bashkia, isha në Gjykatën Penale të Tiranës, ku kam kërkuar hapjen e një procesi kundër Belind Këlliçit dhe Jamarbër Malltezit për shpifje dhe fyerje të vazhdueshme ndaj meje, vepra që përbëjnë një krim. Seanca u shty, pasi Malltezi (në arrest shtëpie) nuk u paraqit! Në dalje nga gjykata, Belind Këlliçi, bashkë me avokaten e tij të Partisë Demokratike (ai, si frikacak që është, nuk largohet asnjë sekondë nga ombrella mbrojtëse e Sali Berishës), u deklaroi gazetarëve: "Do t’ia bëj të qartë Bolinos se nuk pajtohem unë me të". Pavarësisht “arsimit të lartë” që përmendi me zë të lartë gjatë seancës pajtuese, Këlliçi është fare analfabet të dijë se si funksionon drejtësia: Jam unë që e kam paditur penalisht, prandaj jam unë që duhet të vendos nëse do t’ia fal shpifjet apo jo! Ai thjesht duhet të presë (në seancën e radhës) vendimin tim nëse do të dua ta fal.

As avokatja e tij, A.K., pavarësisht licencës profesionale që përmendi me krenari gjatë seancës, nuk ka asnjë ide se si funksionon drejtësia në një shtet modern: Ajo pretendon që nuk kanë asnjë detyrim për ta vërtetuar akuzën! Të njëjtën gjë pretendonte edhe Sali Berisha shumë vite më parë kur e kam paditur  edhe atë për shpifje, padi që e fitova. Por të paktën atëherë Berisha ishte injorant ligjërisht, jo avokat. Pra, zonja A.K., ta dijë: Janë klientët tuaj që më kanë shpifur dhe për këtë arsye unë i kam paditur, dhe janë ata që kanë barrën e provës për të vërtetuar shpifjet! Jo unë!

Prandaj, ndryshe nga frika që tregojnë edhe publikisht, edhe privatisht, unë po pres me qetësi në Gjykatën Penale provat që Belind Këlliçi dhe Jamarbër Malltezi kanë ndaj meje, dhe po ashtu, me qetësi dhe respekt ndaj Gjykatës, do të pres vendimin e drejtësisë.

 

Postimi  i Belind Këlliçit

xy/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq