TIRANE – “Mjaft!” ka publikuar sot raportin mbi periudhën 1 mars – 30 prill në lidhje me monitorimin e veprimtarisë së Kuvendit ku veçohet “mungesa e etikës parlamentare, si dhe dhunim në mbi nëntë raste i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”. Në procesverbalet e komisioneve hidhet edhe firma e deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, duke abuzuar kështu me fondet e Parlamentit që u merren taksapaguesve.

GJANA ABUZUES KRONIK
Mjaft gjithashtu denoncoi edhe mungesën “e korrektësisë së treguar nga ana e kryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare në respektimin e kuorumit të nevojshëm për çeljen e mbledhjeve dhe miratimin e ligjeve. Në këtë kuadër, problematik gjatë kësaj periudhe monitorimi kanë rezultuar Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z. Jemin Gjana, i cili në mënyrë të vazhdueshme dhunon Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe z. Edmond Spaho, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat”.

SI VIDHEN FONDET E KUVENDIT
Sipas Mjaft, shqetësues është edhe fenomeni i firmosjes në komisione nga deputetë që nuk kanë qenë prezent në mbledhje, aktivitet për të cilin parlamentarët shqiptarë paguhen ekstra në fund të muajit 20 mijë lekë të vjetra për çdo pjesëmarrje. Në shembull ndër më flagrantët është ai i mbledhjes së Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, të datës 23.04.2012, gjatë shqyrtimit dhe votimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane, të ndryshuar””.

Atë ditë Mjaft! regjistroi në sallë “14 anëtarë prezentë nga 24 që ka ky komision. Ndërkohë, në ballafaqimin që është bërë me procesverbalin e Kuvendit të Shqipërisë, rezultojnë 21 anëtarë, 7 anëtarë më shumë të cilët nuk kanë qenë prezentë në mbledhje. Anëtarët të cilët nuk kanë qenë prezentë në mbledhje, por është firmosur prezenca e tyre në procesverbal, janë; Eduart Shalsi, Aurel Bylykbashi, Besnik Dushaj, Selami Xhepa, Ndrec Deda, Ndue Kola, Arion Mucaj”. Sipas raportit të Mjaft! këta deputetë kanë marrë para më shumë për një aktivitet parlamentar që nuk kanë kryer. Në raport citohen edhe raste të tjera të ngjashme.

KOMISIONET ME MË SHUMË SHKELJE
Sipas raportit të Mjaft!, komisionet që kanë kryer më shumë shkelje të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë për periudhën Shtator 2011-Prill 2012, janë si më poshtë:

- Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin me 12 shkelje të kryera;
- Komisioni për Ekonominë dhe Financën me 5 shkelje të kryera
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut me 3 shkelje të kryera;
- Komisioni për Politikën e Jashtme me 1 shkelje të kryer;

Një nga çështjet më të rëndësishme të këtij raportimi është ajo e respektimit të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët, gjatë seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Nga analiza e të dhënave të marra nga monitorimi rezulton që gjatë periudhës mars-prill 2012, të jenë konsumuar dhjetë raste të shkeljes së parashikimeve të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, nga të cilat:

• 5 raste përbëjnë shkelje të nenit 34 të Rregullores se Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare;

• 2 raste të tjera kanë të bëjnë me dhunimin e nenit 57 të Rregullores, i cili përcakton karakterin vetjak të votës dhe mos delegimin e saj;

• 2 të fundit kanë të bëjnë me etikën parlamentare, konkretisht me nenin 62 në të cilin përcaktohet rregulli dhe sjellja në Kuvend.

SHEMBULLI I MIRE
Në raport gjendet edhe një lajm i mirë: “Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka përmbushur detyrimet që i cakton Rregullorja e Kuvendit si dhe ka krijuar një traditë pozitive në respektimin e nenit 36 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, që parashikon zbatimin e praktikave konsultative të parlamentarëve me publikun, grupet e interesit dhe aktor të shoqërisë civile”.

(im/shqiptarja.com)