Ja si do të transformohet
sheshi “Nënë Tereza”

Ja si do të transformohet<br />sheshi “Nënë Tereza”
TIRANE- Në zemrën e sheshit “Nënë Tereza” nuk do të jetë më shatërvani i amortizuar. Ai është shembur këtë të shtunë dhe do të rivitalizohet duke krijuar shatërvanë të vegjël pa basene, për t’i hapur “rrugë” Meshës së Shenjtë që do të mbahet nga Papa Françesku në ditën Botërore të Paqes. Sheshi “Nënë Tereza” do të marr një pamje tjetër për të pritur Papa Franceskun, i cili do të vizitojë Shqipërinë më 21 Shtator. Nuk do të jenë më as kioskat, lokalet e ndërtimet që ndodhen në të dy krahët e Universitetit Politeknik.

Ministria e Kulturës ka zbardhur pikat kryesore të ndërhyrjes së qeverisë për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 Shtator. Ministrja, Mirela Kumbaro, ka pohuar se ristrukturimi i sheshit “Nënë Tereza”, kthimi i Pallatit të Kongreseve në vend, akreditimi për gazetarët e huaj dhe ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar, janë tri pikat bazë ku po kushtohet vëmendje. 

“Ne po punojmë si në planin e ndërhyrjeve fizike në tria pika qendrore të qytetit të Tiranës: sheshin “Nënë Tereza” ku është parashikuar në protokollin e Vatikanit Mesha e Shenjtë; në Pallatin e Kongreseve po bëhen ndërhyrje të rëndësishme, do të kthehet ne një qendër të madhe mediatike, ku parashikohen të vijnë 1000 gazetarë të huaj nga vende të ndryshme të botës dhe nga kanalet më të rëndësishme televizive; Muzeu Historik Kombëtar po ristrukturohet dhe po restaurohet për zhvillimin e një pjese të mirë të kalendarit kulturor që do të shoqërojë vizitën e Papës.

Shkreli: pronarët me dokumente të rregullta do të dëmshpërblen 
Punimet për rindërtimin e Sheshit “Nënë Tereza” kanë nisur këtë fundjavë, pas lëvrimit të fondit prej 3.3 milionë dollarë nga Bashkia e Tiranës dhe është lënë afati maksimal deri më 10 Shtator për përfundimin e të gjithë restaurimit. Ekzekutimi dhe mbikëqyrja e të gjitha punimeve do të kryhet nga Ministria e Kulturës. Qeveria ka përcaktuar edhe një fond për të dëmshpërblyer pronaret e kioskave e lokaleve që shemben, sipas këshilltarit të kryeministrit, Artan Shkreli.

Sheshi do të kthehet në identitet, që sipas Shkrelit “nënkupton heqjen e të gjithë lokaleve përreth zonës, duke filluar me largimin e “Kolonave”, apo dhe prishja e disa bareve që ndodhen në pjesën e djathtë në Korpusit. Shkreli thekson se “pronarët që janë me dokumentacion të rregullt do të dëmshpërblehen sipas ligjeve, madje Këshilli Ministrave ka alokuar edhe fondin. Projekti për rehabilitimin e sheshit Nënë Tereza u hartua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe u miratua në datën 15 Korrik 2014 nga KKR. Ndërkaq, Komisioni shtetëror i ngritur organizimin e punës dhe aktiviteteve për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, që drejtohet nga ministrja M. Kumbaro, ia ngarkoi Bashkisë së Tiranës ekzekutimin e projektit për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza”.

Çfarë nuk do të jetë më në sheshin “Nënë Tereza”
Do të çlirohet sheshi nga kioskat dhe lokalet që ndodhen në të dy krahët e Universitetit Politeknik. Fast Food “Kolonat”, i vendosur midis Rektoratit dhe Institutit të Arkeologjisë, do të hiqet përkohësisht.
Do të restaurohen shkallaret e Universitetit të Arteve dhe atij Politeknik që rrethojnë sheshin dhe trotuaret. Do të restaurohen fasadat e Universitetit Politeknik (Korpusit), Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Rektoratit dhe Pallatit të Kongreseve. Do të mbillen pemë dekorative të larta, do të krijohen zona të gjelbra dhe do të ndryshohet ndriçimi.  

Papa Francesku u shpall “Qytetar Nderi” i Tiranës
Papa Françesku, zgjodhi të çelë vizitën e parë në Europë, pikërisht me Shqipërinë si simbol të harmonisë fetare, ndërsa me 23 Korrik me votat unanime të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës u shpall “Qytetar Nderi”. “Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri është një ngjarje globale, tha ministrja e Kulturës Kumbaro, e cila e nxjerr Shqipërinë nga fshati i vogël dhe e vë atë në hartën botërore të ngjarjeve të mëdha”. Ndërkohë ministrja Kumbaro është duke ndjekur hap pas hapi të gjitha fazat për organizimin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri në ditën e paqes botërore më 21 shtator. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim