Ja si ka ndryshuar
menyja e shqiptarëve

Ja si ka ndryshuar<br />menyja e shqiptarëve
TIRANE - Si ka ndryshuar ushqyerja e shqiptarëve gjatë viteve të trancizionit duke ndryshuar edhe vlerat ushqyese që ne marrim? Ky ka qenë qëllim i i një studimi të realizuar nga Iris Mone dhe Anyla Bulo, nga shërbimi labaratorik klinik dhe biokimik pranë fakultetit të Mjekësisë të Univeristetit të Tiranës. Studimi është botuar në “Revistën Mjekësore”, botim i ISHP dhe fakultetit të Mjekësisë.
 
USHQYERJA NË TRAZINCION
 
Shqipëria ka patur në traditë konsumimin e produkteve ushqimore shtëpiake, tipike kjo për rajonin e Mesdheut, dhe prandaj ka patur tradicionalisht një dietë të shumëllojshme dhe të karakterizuar nga konsumimi i bollshëm i perimeve të freskëta dhe frutave. Megjithatë, menjëherë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990 dhe përgjatë dy dekadave të fundit, konsumimi i perimeve dhe frutave ka pësuar një rënie të ndjeshme, ndoshta pasojë kjo e faktit se vetëm pothuajse gjysma e serave të ngritura gjatë regjimit komunist vazhduan të ishin në përdorim.

Gjithashtu, edhe komponentët e tjerë të dietës Mesdhetare po zëvendësohen gradualisht në Shqipëri nga ushqime të shpejta dhe komerciale, në kundërshtim kjo me prototipin klasik të dietës Mesdhetare dhe në përputhje me karakteristikat nutricionale dhe modelet e ushqyerjes së vendeve të industrializuara, të emërtuara ndryshe edhe si vende “Perëndimore”.

Dieta “moderne”, apo  perëndimore”, karakterizohet nga ushqime të pasura me kripë dhe yndyrna të ngopura të cilat kanë shumë efekte negative për shëndetin e popullatës. Gjithsesi, raportohet që shumë shqiptarë të moshës adulte marrin minimumin e rekomanduar ndërkombëtar prej 400 g. fruta dhe perime (si dhe patate) në ditë, që parandalojnë pamjaftueshmëritë e mikronutrientëve (antioksidantë dhe flavonoide) dhe ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme.

Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e popullatës adulte shqiptare nuk arrin pragun e rekomanduar të konsumit të frutave dhe perimeve prej 600 g. në ditë. Sidomos gjatë dekadës së fundit, prodhimi i perimeve nuk është përmirësuar aq sa ai i produkteve blegtorale, pjesërisht si pasojë e faktit të përmendur më lart. Gjithsesi, akoma nuk ekzistojnë studime të bazuara në individë për vlerësimin e sasisë dhe cilësisë së faktorëve dietetikë në popullatën adulte shqiptare.

Si rrjedhojë, informacioni mbi makronutrientët dhe mikronutrientët e popullatës adulte shqiptare është akoma i varfër. Më poshtë paraqitet një panoramë e përgjithshme e përftuar nga rishikimi kritik dhe shkencor i të gjitha publikimeve dhe raporteve zyrtare lidhur me marrjen  dietetike të disa acideve yndyrore kryesore në popullatën shqiptare.
 
ACIDET YNDYRORE TRANS
 
Shumica e acideve yndyrore trans gjenden në margarinë, ushqime të shpejta, ëmbëlsira të ndryshme në treg, në mustardë, majonezë, apo produkete të ngjashme komerciale. Studimet epidemiologjike prospektive, të cilat mbështeten në aspirimin e indit dhjamor për përcaktimin e nivelit të acideve yndyrore, mbështesin dhe konfirmojnë rolin negativ të acideve yndyrore trans në zhvillimin e sëmundjes ishemike të zemrës (SIZ). Por, rezultate të tilla në fakt nuk u raportuan nga studimi EURAMIC, i cili ishte një studim multicentrik i tipit rast-kontroll.

Gjithashtu, magnituda e lidhjes shoqërimit) të acideve yndyrore trans me SIZ është shumë më e madhe në krahasim me acidet yndyrore të ngopura. Marrja e acideve yndyrore trans mund të ndikojë në raportin kolesterol/HDL, në presionin e  gjakut, në tendencën adezive trombocitare, në rezistencën ndaj insulinës, në nivelin e homocisteinës, në proceset e inflamacionit, në disfunksionin endotelial dhe në aritminë ventrikulare, të cilat mund të shpien në vdekje të papritur.
 
ACIDET YNDYRORE N-3
 
Bazuar në të dhënat ekzistuese, Shqipëria ka nivele relativisht të ulëta të konsumit të peshkut, kryesisht për shkak të eksportit në vendet fqinje. Prandaj, niveli i acideve yndyrore omega- 3 [EPA (C20:5 n-3) dhe DHA (C22:6 n-3)], të pranishëm kryesisht tek peshku i detit dhe yndyrnat e peshkut, mund të jetë më i ulët në popullatën adulte shqiptare krahasuar me vendet e tjera Mesdhetare.

Acidi alfa-linolenik (C18:3 n-3) është i pranishëm në sallatat jeshile dhe në vajra të ndryshme vegjetale, veçanërisht në kanola dhe në vajin e sojës, si dhe në vajrat e konsumuara gjerësisht në Shqipëri, përfshi vajin e lulediellit dhe vajin e misrit. Konsumi ekzakt i acidit alfa-linolenik n-3 është i panjohur për Shqipërinë por, përveç marrjes nga vajrat vegjetale, acidi alfa-linolenik n-3 mund të ndikohet edhe nga sasia e sallatave dhe perimeve të përdorura.

Aktualisht, ndikimi i acideve yndyrore omega-3 në sëmundjen e zemrës ngelet i pazgjidhur. Disa studime kanë dëshmuar një rol protektiv të këtyre acideve yndyrore në nivelin e vdekshmërisë kardio-vaskulare, ndërkohë që disa studime të tjera nuk kanë raportuar  rezultate të tilla. Një studim i tipit meta-analizë arriti në përfundimin se zinxhirët e gjatë dhe të shkurtër të acideve yndyrore omega-3 nuk kanë ndonjë efekt të qartë në nivelin e  vdekshmërisë totale, kardio-vaskulare apo nga kanceri.

Vaji i ullirit dhe acidet yndyrore të pangopura me një lidhje dyfishe [acidi oleik (C18:1)]. Tradicionalisht, popullsia shqiptare në Jug të vendit ka konsumuar sasi të mëdha të vajit të ullirit. Me një popullsi të përgjithshme prej 3.2 milion banorësh në vitin 1991, Shqipëria kultivonte rreth 5.8 milion rrënjë ulliri, 52% prej të cilave ndodheshin në katër rrethet kryesore në Jug të vendit.

Bazuar në këto fakte, ka shumë të ngjarë që konsumi i vajit të ullirit të jetë më i lartë në ato zona ku edhe prodhimi është më i lartë. Aktualisht, konsumi i vajit të ullirit në Shqipëri mund të merret edhe si një indikator i tradicionalizmit (dietës Mesdhetare) kundrejt modernizmit (ndryshimit të mënyrës së ushqyerjes dhe shmangies graduale nga dieta Mesdhetare). Vaji i ullirit besohet të jetë një nga faktorët mbrojtës të dietës Mesdhetare.

I pasur në acide yndyrore të pangopura dhe në polioksifenole, vaji i ullirit raportohet si faktor veçanërisht mbrojtës për sëmundjen koronare të zemrës prandaj, rekomandohet që të rritet konsumi i vajit të ullirit dhe të shmanget përdorimi i yndyrnave shtazore dhe acideve yndyrore trans. Një studim i tipit rast-kontroll për infarktin akut të miokardit i udhëhequr në Spanjë, tregoi një efekt mbrojtës të fortë vetëm për një konsum shumë të shtuar të vajit të ullirit.

Nga ana tjetër, një studim i udhëhequr në një kampion femrash në Itali, raportoi mungesë të ndonjë efekti protektiv të vajit të ullirit apo acideve të tjera yndyrore të pangopura. Kurse, një studim tjetër në Greqi raportoi një efekt të fortë mbrojtës të vajit të ullirit, i cili është një komponent i rëndësishëm i dietës Mesdhetare të këtij vendi.

Gjithsesi, një rekomandim në shkallë të gjerë për promovimin e përdorimit të vajit të ullirit për të zëvendësuar yndyrnat e ngopura dhe acidet yndyrore trans duhet të bazohet në të dhëna solide të studimeve epidemiologjike të udhëhequra në popullata, ku nivelet e konsumit të jenë të larta dhe heterogjene.
 
*SHËRBIMI LABORATORIK KLINIK DHE BIOKIMIK,
FAKULTETI I MJEKËSISË, UNIVERSITETI I TIRANËS


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime