TIRANE- Policia do të jetë në gatishmëri të plotë në 21 qershor, ditën kur shqiptarët do ti drejtohen kutive të votimit. Për të garantuar procesin zgjedhor, policia ka ndërtuar një plan masash për të ruajtur rendin e qetësinë para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Çdo punonjës i Policisë së Shtetit, duke filluar nga dje deri më 24 Qershor, do t’i duhet të punojnë me orë të zgjatur për të garantuar sigurinë dhe qetësinë gjatë procesit zgjedhor. Pra, nga 8 orë, efektivët e policisë në kuadër të procesit zgjedhor do të kalojnë në 12 orë shërbim.

Ky urdhër mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shteti, Haki Çako. Më herët, vetë kreu i policisë në takim me strukturat e policisë në disa qarqe të vendit ka thënë, se të gjithë efektivët e policisë duhet të qëndrojnë në anë të ligjit, dhe sa më larg procesit elektoral, ose në të kundërt, çdo punonjës policie i cili do të implikohet në anën politike të cilit do krah në ditën e zgjedhjeve, do të ndëshkohet. Po ashtu policia do të jetë në gatishmëri dhe pas ditës së zgjedhjeve, duke marrë në ruajte qëndrat e numërimit të votave.