PRISHTINË, 18 Dhjetor/ATSH/.- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur të enjten në një takim Ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, të cilën e njoftoi për punën dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo ministri, por edhe me prioritetet dhe planet e tij si ministër gjatë mandatit katërvjeçar.
Sipas KosovaPress, Ambasadorja Jacobson e uroi Aganin për emërimin e tij dhe u zotua që ambasada amerikane do të vazhdojë ta përkrahë këtë ministri duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen.
Nga ana e tij, ministri Agani falënderoi ambasadoren Jacobson për mbështetjen dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm, dhënë për konsolidimin e institucioneve kosovare, duke u zotuar në të njëjtën kohë se do të angazhohet me tërë potencialin e tij, që detyrën si ministër i ri ta kryejë me përgjegjësi të plotë./m.m/











