PRISHTINË, 5 Shtator /ATSH/.-Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Jacobson, e cila ndodhet këto ditë këtu në Uashington, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës,  se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera.
Duke u ndalur tek radikalizmi islamik, ambasadorja amerikane thotë se autoritetet po e trajtojnë këtë kërcënim me seriozitet dhe ajo bën thirrje për përpjekje të gjithashme nga qeveria dhe shoqëria për përballimin e këtij fenomeni. Lidhur me Gjykatën e Posaçme, znj. Jacobson shton se  ajo nuk mund të bëjë komente për një hetim që po vazhdon, por thekson se Kosova duhet të kalojë përmes këtij procesi që të mbyllet ky kapitull i historisë së saj. /b.j/a.gjonaj/