/ATSH/.- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i dorëzoi sot dekoratën "Medalja Presidenciale e meritave", kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK-së) Fadil Vokrri, si dhe boksierit të mirënjohur Mehmet Bogujevci.

Me rastin e dorëzimit të dekoratës presidentja Jahjaga përgëzoi kryetarin Vokrri për gjithë kontributin e tij që ka dhënë, po jep dhe që do të japë edhe në ardhmen.
"Kjo dekoratë është një vulë e atij kontributi dhe shteti i Kosovës gjithmonë do t'i nderojë ata që japin kontribut në fushën e tyre. Unë ju premtoj ndihmën time dhe të shtetit të Kosovës për punën tuaj dhe do t'ju përkrahim në rrugën drejt arritjes së synimeve", tha presidentja Jahjaga.

Ndërkaq kryetari Vokrri duke falënderuar presidenten theksoi se "ky është kontribut i shumë brezave në sport, e vaçanërisht në futbollin e Kosovës.Unë kam marrë edhe shumë mirënjohje në të kaluarën, por për mua kjo ishte mirënjohja më e çmueshme, sepse vjen nga shteti im i Kosovës dhe presidentja e vendit tim. Unë dhe FFK-ja po punojmë dhe do të punojmë pa ndalur deri në realizimin e synimeve tona, anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë. Në këtë drejtim ju falënderoj për mbështetjen që na keni dhënë Ju dhe shteti i Kosovës".

Në një prononcim për media Fadil Vokrri u shpreh se "ëndrra e popullit të Kosovës e që ishte edhe ëndërr e të gjithë sportistëve u bë realitet dhe sot kemi shtetin e Kosovës".
"Për mua kjo dekoratë është edhe një detyrim që të punoj edhe më shumë në ecjen përpara të futbollit të Kosovës", tha Vokrri.

Presidentja Jahjaga nderoi me dekoratë edhe boksierin e mirënjohur Mehmet Bogujevci.

Pas marrjes së dekoratave kryetari Vokrri dhe Bogujevci u pritën edhe në KOK nga presidenti Besim Hasani. /KosovaPress/