PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e di se deri kur do t`i presë liderët e partive politike që të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve. Në një intervistë sot në gazetën kosovare Tribuna, ajo nuk ka përmendur data, por ka thënë se koha deri kur do të presë definohet nga nevoja për miratimin e buxhetit dhe afatet e organizimit të zgjedhjeve.
"Nuk do të përcaktoj afate kohore, sepse ato janë tashmë të përcaktuara në bazë të nevojave buxhetore dhe afateve të caktuara ligjore për të organizuar zgjedhje", ka theksuar presidentja Jahjaga. Ajo i ka vlerësuar zgjedhjet e parakohshme si opsion i fundit, por ka shpjeguar se ua ka bërë të qartë edhe liderëve të partive se vendi nuk mund të mbetet pafundësisht peng i krizës dhe në mungesë të vullnetit për zgjidhje, edhe zgjedhjet janë opsion.
Jahjaga ka thënë se lehtësimi i gjetjes së zgjidhjes është proces i vështirë, sepse kemi të bëjmë me një demokraci të brishtë, një Kushtetutë të pa testuar dhe një realitet të komplikuar, të ndarë mes procedurave demokratike dhe shumicës parlamentare. "Përpos kësaj, kemi të bëjmë me interesa personale, hasmëri dhe mospajtime të ndryshme, të cilat nuk do të duhej ta mbanin peng krijimin e institucioneve, por ja që po e bëjnë këtë", ka shtuar ajo.
Jahjaga ka thënë se nuk do të shkojë në Beograd për shkak të prioriteteve tjera që ka Kosova. Sipas saj, në Serbi ende shpesh bëhen deklarata që i takojnë një mendësie të kaluar nacionaliste e që nuk i kontribuojnë realizimit të vizionit evropian për rajonin, por këto deklarata nuk kanë ndikuar në vendimin e saj. "Kjo mendësi vazhdon ta mbajë peng Serbinë dhe qytetarët serbë të cilët janë udhëhequr nga një politikë që i ka mbajtur në izolim ndërkombëtar që tre dekada", ka thënë Jahjaga. Sipas saj, politika kosovare duhet që të jetë prezente në konferencat rajonale dhe takimet me Serbinë, sepse Kosova e ka vendin e saj si shtet i barabartë. /ATSH/