Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot Policinë e Kosovës, ku u prit me nderimet më të larta nga Garda e Nderit e Policisë dhe më pas u takua me drejtorin e përgjithshëm, Shpend Maxhuni, si dhe drejtues të tjerë të Policisë.

Presidentja Jahjaga dhe drejtori i Policisë Maxhuni biseduan për punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë së përgjithshme të qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni e njoftoi presidenten Jahjaga për punën, aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës.

Ai tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë përkushtimin e tyre për të ofruar sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit.

Drejtori i përgjithshëm Maxhuni theksoi se Policia e Kosovës është një institucion i profesionalizuar dhe po kryen me përkushtim detyrat e tij në shërbim të qytetarëve të vendit. Ai tha se edhe operacioni i fundit i arrestimit të personave të dyshuar për aktivitete terroriste ka dëshmuar përkushtimin e Policisë për garantimin e sigurisë në vend.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se vizita e saj në Policinë e Kosovës është një mbështetje institucionale për këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit. Ajo tha se Policia e Kosovës me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj ka siguruar mbështetjen e të gjithë qytetarëve të vendit.

Jahjaga vlerësoi se Policia e Kosovës si institucion gjithëpërfshirës po bënë punë të madhe në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë kombëtare.

Në deklaratën për media, Jahjaga tha se "operacioni i fundit i Policisë së Kosovës ndaj individëve të caktuar të dyshuar për veprime terroriste ka dëshmuar bashkërendimin mes institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe përkushtimin e palëkundur të këtij institucioni në ruajtjen dhe garantimin e sigurisë kombëtare të shtetit tone".

"Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë lirinë e gjithsecilit qytetar të shtetit tonë dhe drejtësia funksionon për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kushdo që nuk është në këtë anë, do të ballafaqohet me dorën e rendit dhe të ligjit", theksoi ajo.

Presidentja Jahjaga e shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm Maxhuni vizituan edhe Qendrën e Përgjimit, në Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe Qendrën Operative të Drejtorisë së Përgjithshme./ATSH/