Mbështetja e vazhdueshme e FMN-së për Kosovën është e rëndësishme për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar mjedis më të favorshëm për investime, ka thënë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Këto komente, Jahjaga i bëri pas takimit me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde në Washington. Ajo tha se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me këtë institucion dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe ka dëshmuar stabilitet fiskal. Nga ana tjetër, Drejtoresha e FMN-së, theksoi se në aspektin teknik Kosova është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci po qëndron për vizitë në Hungari.
Ai është takuar sot me homologun e tij hungarez, Viktor Urban, me të cilin ka biseduar për proceset politike në Kosovë dhe për përkrahjen që Hungaria mund t`i jap Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. 
Thaci do të marrë pjesë edhë në forumin ekonomik për biznes dhe investim të organizuar nga qeveria e Kosovës. Po ashtu do të nënshkruhen edhe tri marrëveshje mes të dyja vendeve. Ajo për bashkëpunim doganor, për bashkëpunim tregtar dhe një marrëveshje mes odës ekonomike të Kosovës dhe të Hungarisë.
/rg/shqiptarja.com/