PRISHTINË,  15  Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë mbrëmë në hapjen zyrtare të Samitit 100 të Liderëve të Biznesit të Evropës Juglindore që po mbahet në Cavtat të Dubrovnikut, njëkohësisht me Samitin Bërdo - Brioni.
Presidentja Jahjaga dhe presidentët e tjerë të vendeve të rajonit përpara një numri të madh të bizneseve prezantuan aspektet e zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit, mundësitë dhe klimën për investime të huaja në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Samitin Bërdo-Brioni, të tretin me radhë, që sivjet organizohet në Dubrovnik me mikpritës presidentin e Republikës së Kroacisë Ivo Josipovi? dhe me pjesëmarrjen e kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.
Gjatë ditës së sotme presidentja Jahjaga dhe presidentët e tjerë do të mbajnë fjalë për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit, bashkëpunimin ndërmjet vendeve të këtij rajoni si dhe paraqitjen e përbashkët të projekteve të infrastruktures rajonale që pritet të mbështetet edhe nga BE-ja./a.g/