PRISHTINË - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar sot kryeministrin Isa Mustafa, kreun e Kuvendit Kadri Veseli dhe Ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi. Ndërsa gjatë paradites, Jahjaga ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme Hashim Thaçin.
Sipas KosovaPress, Jahjaga ka folur për të bashkërenduar veprimet dhe obligimet institucionale dhe ligjore të Republikës së Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale.
"Në këtë takim, u pajtuam për krijimin e një ekipi të përbashkët teknik për të shqyrtuar dokumentet e nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale, krijimi i së cilës tashmë është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe theksuam nevojën për një konsensus të përgjithshëm në etapa të ndryshme të zbatimit të këtij obligimi ndërkombëtar të Kosovës", ka shkruar presidentja Jahjaga në profilin e saj në "Facebook"./ATSH/