Jahjaga takon Nishanin: Kosova
rol të rëndësishëm në rajon

Jahjaga takon Nishanin: Kosova<br />rol të rëndësishëm në rajon
DURRES- Presidentja Atifete Jahjaga, u takua të hënën në Durrës me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, mikpritësin e Samitit të 5-të të Presidentëve të vendeve të rajonit të Europës Juglindore.

Presidentja Jahjaga e përgëzoi Presidentin Nishani për procesin e rregullt dhe demokratik të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për formimin e qeverisë së re të vendit, duke vlerësuar se Shqipëria po bën hapa të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimeve europiane. Ajo tha se Kosova dhe Shqipëria po dëshmojnë se janë shembull të bashkëpunimit rajonal dhe theksoi se të dyja vendet duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në procesin gjithëpërfshirës.

Presidentja Jahjaga e përgëzoi Presidentin Nishani për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm rajonal, duke shtuar se Samiti i Presidentëve është një forum i rëndësishëm dhe udhëheqësit e katër vendeve pjesëmarrëse mund të ndikojnë në arritjen e marrëveshjeve ndërmjet shteteve që nxisin bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta, që do të ndihmojnë në procesin e integrimeve evropiane.

Jahjaga theksoi edhe se Kosova po luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit dhe është shndërruar në një promotor të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore. Ajo tha se marrëveshjet e arritura me Serbinë, në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA-ja, ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të pavarura, relaksojnë marrëdhëniet në rajon dhe përshpejtojnë rrugën e integrimeve evropiane për të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.

Jahjaga tha se e ardhmja e gjithë vendeve të rajonit të Europës Juglindore është në BE dhe të gjitha vendet duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën në këtë rrugë të përbashkët. Presidentja Jahjaga theksoi se Samitit të Presidentëve duhet t’i bashkohen edhe Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina sepse kjo do të ndihmonte në thellimin e bashkëpunimit rajonal që gjithashtu kontribuon edhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e përgëzoi presidenten Jahjaga dhe udhëheqjen e institucioneve të Kosovës për arritjen e marrëveshjeve me Republikën e Serbisë që ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon. Ai tha se Kosova ka bërë përparime të mëdha në të gjitha fushat dhe vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve, të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë të veçanta e të shkëlqyera. Presidenti Nishani theksoi se partneriteti mes dy vendeve duhet të forcohet dhe të konsolidohet përmes ndihmës dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshirë atë ekonomike dhe të investimeve.

Presidenti Nishani tha se Shqipëria dhe Kosova kanë një rrugë të përbashkët të zhvillimit demokratik, ekonomik dhe në integrimet evropiane. Ai tha se të dyja vendet kanë të ardhme të qartë evropiane së bashku me të gjitha vendet e tjera të Europës Juglindore dhe theksoi se Republika e Shqipërisë përkrah anëtarësimin në BE të Kosovës, përmes përmbushjes së standardeve dhe të kritereve të përcaktuara.

Presidenti Nishani theksoi se Kosova e ka dhe në të ardhmen do ta ketë përkrahjen e plotë dhe të parezervë të shtetit shqiptar në të gjitha proceset.

Samiti i 5-të i Presidentëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi sivjet po mbahet në Durrës.

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie