PRISHTINË,  2 Tetor /ATSH-B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, zhvilloi sot takime të veçanta me kryetarin e LDK-së,  Isa Mustafa, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj.
Sipas njoftimit zyrtar, Presidentja Jahjaga përsëriti qëndrimin për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për krijimin e institucioneve të vendit me qëllim të përmbushjes së pritjeve të qytetarëve të vendit për institucione të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e proceseve reformuese në vend e të integrimeve euroatlantike.
Ajo tha se Kuvendi është institucion autonom dhe deputetët e liderët politikë, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së vendit, duhet të gjejnë mënyrat për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit.
Presidentja Jahjaga tha se liderët politikë duhet të ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre./a.g/