Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot pasdite në takim anëtarin e komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të SHBA-së, senatorin e Connecticut, Christopher  Murphy, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Presidenca kosovare në njoftimin e sapodërguar bëri të ditur se, Presidentja Jahjaga vlerësoi lart rolin e qeverisë së SHBA-së, të Senatit dhe të Kongresit për Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi se arritjet e Kosovës në 6 vjetët e pavarësisë së saj janë ngushtësisht të lidhura me angazhimin dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së, ashtu siç kanë qenë të lidhura edhe me lirinë dhe paqen që sot gëzojnë qytetarët e vendit.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova si shtet i ri dhe gjithëpërfshirës po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme, dhe gjithashtu edhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar dhe është shndërruar në një faktor të paqes e stabilitetit dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Republikën e Serbisë.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Republikën e Serbisë, si mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të hapur rrugën e integrimeve me BE-në. Rrezultatet e dialogut, sipas saj, mund të gjykohen vetëm përmes përmbushjes së plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura përgjatë procesit të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE duhet të kushtëzohet me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e interesuar që të përmbyllë këtë proces me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, me qëllim që të dyja vendet të ecin drejt BE-së në rrugët e tyre individuale, sepse BE-ja për Kosovën dhe njëkohësisht edhe për vendet e rajonit nuk ka alternativë.

Duke u ndalur te zhvillimet aktuale, Jahjaga tha se "Kosova ka treguar deri tani pjekuri politike dhe respektim të kuadrit kushtetues por ky vakum i krijuar institucional tani po dëmton interesat e Kosovës edhe brenda edhe në skenën ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga tha se në rolin e lehtësuesit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare ka filluar takimet me liderët për të gjetur zgjidhjen për institucionet e qëndrueshme, dhe se ua ka bërë me dije pozitën në të cilën sot ndodhet Kosova dhe obligimet që ka vendi.

Senatori amerikan Christopher S. Murphy ka nisur sot një vizitë dyditore në Kosovë.

Ambasada e SHBA në Kosovë ka bërë të ditur se të shtunën në axhendë është edhe një ligjëratë me studentë të AUK, ku do t'u drejtohet dhe përgjigjet vetëm pyetjeve të studentëve.

ATSH