Jakin Marena: Berisha për të ‘zgjuar luanin’, ofron bar nga ‘big brotheri’?!

Jakin Marena: Berisha për të ‘zgjuar luanin’, ofron bar nga ‘big brotheri’?!

Sali Berisha

Kur e dëgjuam për herë të parë nga lideri i Foltores Sali Berisha deklaratën se ‘do të zgjojmë luanin tek qytetarët’, na u duk si një thirrje emocionale, me sens metaforik që e përdor rëndom ai në momente emocionale ose momente nga halli të madh që e ka zënë.

Dikush e quajti marrëzinë e radhës të Doktorit, i cili i gjendur në një hall të madh, nga një anë ‘non grata’ nga SHBA e Britania për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me krimin e organizuar, dhe nga ana tjetër përballë drejtësisë familjarisht nën hetim për akuza të rënda që nga afera “Partizani’ e deri te ’21 janari’ e “Gërdeci’, dhe mund të këpusë marrëzi të tilla.

Pjesa tjetër iu ‘dorëzua’ meme-ve, duke pasur si subjekt kryesor Berishën, për shkak se deklarata e tij për ‘zgjimin e luanit’ te qytetarët dhe ‘nxjerrjen e lepurit’ i artikulua pikërisht në një takim në qytetin e Lushnjës me ata pak qytetarë që e mbështesin dhe që ishin bërë dhjetra dhe me shpurën që kishte me vete. Pasi lushnjarët janë njerëz paqësorë.

Deri këtu e quajtëm hall të Berishës. Por kur po shohim që dhe pasuesit e tij nëpër podiume dhe panele televizive po përsërisin të njëjtin ‘refren’ të Berishës për ‘’zgjimin e luanit tek qytetarët’, ia vlen të flasim më shkoqur për këtë marrëzi kolektive të Foltores dhe liderit të saj, të cilët me sa duket kanë vendosur ta përdorin si linjë politike.

Anipse është shumë i ulët numri i ithtarëve që e besojnë një marrëzi të tillë, gjë që duket dhe tek pjesëmarrja në ‘serenatat’ që bëhen çdo mbrëmje poshtë dritares së Berishës ku ‘turni’ i radhës i gjetur me kiamet pas thirrjeve të shumta, nuk i kalon të 40 vetët.

Në krye të herës qytetarët shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më shumë se tashmë nuk është kohë ‘revolucioni’, por në të vërtetë është koha për të mbyllur tranzicionin e tejzgjatur shqiptar, ku autori kryesor për zgjatjen e tij ka qënë për 33 vite me radhë vetë Sali Berisha.

Për më tepër që tranzicioni mbyllet në mënyrë automatike atëherë kur Berisha të jetë ‘përzënë’ përfundimisht nga jeta politike aktive, për të mos shërbyer më si pengesë për prosperimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe rritjes së mirëqenies.

Dhe braktisjen e Berishës po e tregon mbështetja shumë e paktë, thuajse zero, që po ofrohet për të tani që është nën arrest shtëpiak dhe nuk është e largët dita që të jetë dhe në qeli, ndoshta dhe me barrelë siç ka ndodhur me ish zyrtarë të tjerë të lartë botërore që kanë bërë zullume në kurriz të qytetarëve të vet, duke i vjedhur, dhunuar, poshtëruar e vrarë për hesap të mbajtjes së pushtetit dhe pasurimit të familjeve të tyre.

Berisha është lënë vetëm në fatin e tij përballë akuzave të rënda që janë ngritur nga SPAK, e para për “Partizanin” për korrupsion pasiv në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili nga një copë vend përfitoi një hapësirë të tërë në mes të Tiranës te ish klubi sportiv “Partizani”, ku ndërtoi mbi 17 kulla dhe përfitoi 5.4 milionë euro me një dorë.

Situatën e rëndë të braktisjes po e tregon dhe humbja e logjikës për të mos thënë e mendies nga ithtarët e tij të përhershëm dhe ata rishtarë, e shprehur në mënyrë të detajuar ditën e mërkurë nga Gazment Bardhi dhe Flamur Noka. Të cilët arritën deri aty sa vunë dorë, goditën dhe dhunuan një deputete demokrate të dalë me të njejtat vota demokrate, njëherësh dhe drejtuese e komisionit parlamentar të Medias, Flutura Açka.

E dhunuan Açkën vetëm se pse po drejtonte komisionin për të bërë punën e saj për të cilën paguhet, pasi është mandatuar nga votuesit demokratë duke qënë dhe nënkryetare e grupit parlamentar të PD zyrtare. Vetëm e vetëm sepse nuk bllokonte punimet e Kuvendit si deputetët e Berishës, dhe nuk ia falnin ushtrimit të mandatit të deputetit prej saj.

Pamjet e dhunës së ushtruar nga Bardhi e Ndoka ndaj Açkës bënë xhiron e rrjetit, duke sjellë dhe reagime të forta brenda vendit, por dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarët, siç ishte reagimi i ambasadorit të Holandës, një vend me peshë si anëtar i BE, i cili e cilësoi ‘të papranueshme”.

Ndërkohë që kjo braktisje për Berishën po reflektohet çdo herë dhe në sondazhet e organizuara nga organizata serioze sondimi, të cilat e nxjerrin mbështetjen për Berishën të përgjysmuar në raport me zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar, pavarësisht se dhe atëherë kishte pasur rënie drastike në mbështetje, aq sa për konsum politik Berisha ka nisur lojën e shifrave dhe në kurriz të votave të marra nga aleatët, duke filluar nga PL e Metës e deri tek partitë e tjera aleate, të cilat i llogarit të gjitha si mbështetje për “Foltoren” përballë PD së Bashës. Manipulon shifrat me një fjalë.

Ndërkohë që dhe fillimi i punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore me bashkryetarë Damian Gjiknurin e PS dhe Enkelejd Alibeajn e PD së Bashës, sidomos mbështetja nga OSBE e këtij komisioni, e ka ‘destabilizuar’ tërësisht Berishën dhe grupin e tij mbështetës. Duke bërë sikur nuk kuptojnë se Basha ligjërisht është kryetar i PD dhe përsa kohë ka vulën dhe logon e kësaj partie e përfaqëson atë, me statusin e rezultatit të zgjedhjeve të 2021, anipse mund të kenë ikur pjesa më e madhe e deputetëve për të bërë një grup tjetër të pavarur parlamentar apo atashuar pranë një partie tjetër, përfaqësohet në komisione por dhe në bisedime e marrëveshje me statusin e partisë së dytë më të madhe në vend. Deri pas zgjedhjeve të vitit 2025 sëpaku, kur të shpallet rezultati garës elektorale dhe të vendosen balancat e reja. Nëse ndryshojnë gjithnjë themi.

Të gjitha këto goditje të njëpasnjëshme e kanë nxjerrë jashtë ‘sistemit’ Berishën e mbështetësit e tij, aq sa në thirrjet e tyre të deshpëruara ndaj qytetarëve për t’i mbështetur për hallin që i kanë zënë, bën thirrje nga ‘big brotheri’ politik ku është mbyllur në katin e tetë të pallatit të tij në arrest shtëpiak me vendim gjykate, që qytetarët ‘të zgjojnë luanin’ që kanë mbyllur brenda vetes për të mbështetur “Foltoren” poshtë dritares së tij, në rrugicën që tashmë quhet “e Salës”.

Teksa dëgjojmë këtë punën e ‘zgjimit të luanit’ tek qytetarët na vijnë në mendje shumë gjëra, por na rikthehet dhe kujtesa në masën 100 përqind, përkundër dëshirës së politikanëve, dhe për t’i vertetuar kësaj klase politike se shqiptarët nuk e kanë aq të shkurtër kujtesën sa ata e mendojnë.

Dhe në mendjen tonë ‘vibron’ një lajm i para shumë kohëve, mbi një luan i cili ishte mbyllur në kopshtin zologjik shqiptar dhe nga pakujdesia, mungesa e përgjegjësisë apo maskarallëku nuk ushqehej me mish por me bar. Nganjëherë, sipas përgjegjësve, në kohë festash ‘pasurohej’ mënyja, sepse futej dhe patatja e karota. Pra nga ‘predador’, mishngrënës, mbreti i kafshëve që bën të dridhen savanat në Afrikë e Azi, në Shqipëri qëndronte i mbyllur në robëri e ishte kthyer në barngrënës. Duke përmbysur dhe teorinë famëmadhe të Darvinit të shprehur në librin e tij të pavdekshëm studimor, “Prejardhja e Llojeve”, e duke e kthyer atë kokëposhtë. Si gjithçka në Shqipërinë që mendon me trurin e Berishës, i cili qeveriste në atë kohë.

Historia e luanit që ushqehej me bar na kujton atë sloganin e kahershëm të kohës së komunizmit, kur Enver Hoxha deklaronte se ‘dhe sikur bar të hamë, parimet nuk i shkelim’. Pikërisht këtë thënie me sa duket ‘përktheu’ dhe ish ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, për të përshkruar situatën në partinë më të madhe opozitare. “Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura” tha ambasadorja pasi u takua asokohe me udhëheqësin e demokratëve Lulzim Basha, ndërsa PD gjendej nën dilemën nëse duhet të ndiqte politikën konvencionale parlamentare apo të rifillonte politikën e tensionimit dhe konfliktit.

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu” vijoi fjalë për fjalë Yuri Kim, një referencë jo shumë e fshehtë për ish-drejtuesin e PD Sali Berisha, të cilit ndjekësit i referohen shpesh si “lideri historik” por që amerikanët e kanë shpallur “non grata” familjarisht.

E thënë shkurt dhe qartë, SHBA kërkonte atëherë dhe vijon të kërkojë akoma më shumë dhe sot nga demokratët që të ndahen nga e shkuara që të ‘mos hanë bar’, për të parë nga e ardhmja dhe për t’u orientuar drejt aleancës me Perëndimin, drejt të cilit shqiptarët e kanë dhënë verdiktin që në krye të herës se duan të shkojnë, përmes thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Kundërvënia që Berisha e Foltorja i kanë bërë SHBA, BE dhe Britanisë, duke artikuluar akuzat nga më të rëndatndaj tyre, e ka ‘karantinuar’ tërësisht këtë grupim demokrat, i cili jo vetëm që nuk mbështetet, por as i takon njeri dhe askush nuk u jep dorën. Pra i ka izoluar si në kohën e komunizmit, kur Enver Hoxha deklaronte se ‘sikur bar të hamë, parimet si shkelim’. Kështu deklarohet dhe nga ish anëtari e sekretari i PPSH për 25 vite me radhë Sali Berisha, se ‘sikur të ndodhë gjithçka, parimet kushtetuese nuk i shkelim’. Betohet në Kushtetutën të cilën deri në 2008 nuk e njihte fare, por dhe tani as e ka njohur dhe as e ka zbatuar ndonjëherë.

Për demokratët që janë ‘pretadorë’ pushteti, të gjitha partitë synojnë të vijnë në pushtet ndaj hyjnë në skenën politike, Berisha premton të ofrojë izolimin total në raport me ndërkombëtarët. Pra ofron ‘bar’, sikurse e ka precizuar në mënyrë metaforike dhe ish ambasadorja Yuri Kim.

Dhe për t’ju rikthyer dhe njëherë luanit të famshëm të kopshtit zoologjik që ushqehej me bar, nëse do të vijonte të bënte jetë ‘vegjetariane’, nuk do të ishte gjallë. Fati i tij që u bë publik rasti, dhe u rikuperua duke u ushqyer me atë ushqim të cilin ia ka taksur Perëndia.

Për të hequr paralele me Berishën dhe Foltoren që po ecin me parimin komunist ‘sikur bar të hanë, parimet nuk i shkelin’, nëse demokratët nuk ndryshojnë fatin e tyre në të ardhmen sipas këshillës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe mbeten kështu të izoluar, pa pretendime pushteti por vetëm në mbrojtje të hallit me drejtësinë që ka familjarisht Berisha, atëherë vdekja politike është e sigurtë. Pasi Berisha vetëm ‘bar’ ofron për ‘zgjimin e luanit tek qytetarët’, një ushqim që do të çonte drejt vdekjes luanin prej vërteti. Të shohim sa të gatshëm janë demokratët që i kanë mbetur Berishës që të ‘joshen’ dhe ‘konsumojnë’ barin që u ofron ai nga kati i 8-të.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë