Kryeministri Edi Rama, pas ftesës nga Donald Trump  për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën të themeluar nga vetë presidenti amerikan, sot mori dhe mbështetjen pa asnjë kusht të kreut të PD, Sali Berisha, që ta përfaqësojë Shqipërinë në këtë bord!

Dikush mund ta quajë të paimagjinueshme këtë gjë, por ja që kjo ndodhi në seancën e sotme parlamentare, teksa pamë në fund të herës që Berisha dhe deputetët e tij, ndonëse seancën e filluan me zërin e ngritur një ‘oktavë’ më lart, e përfunduan thjeshtë e vetëm duke tundur ‘belin’ dhe ‘kënduar’ nën zë, me kartonin e ngritur lart me votën pro!

Pavarësisht disa vicklave që hodhi Berisha, herë përmes Bardhit që në emër të kreut të PD kërkoi që të ‘revizionohej’ ftesa e Trump për Ramën, për ta bërë atë si ftesë për presidentin Bajram Begaj e herë vetë lideri demokrat që hodhi disa akuza në drejtim të kryeministrit, në fund të herës deputetët e PD votuan për dërgimin e Ramës në Shtëpinë e Bardhë, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën!

Themi se Berisha votoi për dërgimin e ‘armikut’ të tij më të madh politik, Edi Ramës, në Shtëpinë e Bardhë, pasi vetë kryeministri la për të kuptuar teksa sqaroi mungesën e vajtjes në Davos për të firmosur në aktin e themelimit të Bordit të Paqes për Gazën me faktin se me lejen e vetë presidentit amerikan Trump kishte kërkuar të bënte mikpritësin për vajzën e tij të preferuar Ivanka Trump, se firmën pritet ta hedhë pak më vonë në Uashington! Këtë paralajmëroi Rama, paralajmërim të cilin Berisha e ka pritur duke u gëlltitur për shumë e shumë arsye! Qoftë dhe si ish-sovranist, i zënë ‘shah-mat’ nga ftesa e Trump për Ramën, ftesë që e detyroi kreun e PD të ‘kërcente nga belaja’, madje duke tundur dhe ‘shaminë, për t’i dhënë ngjyrim sa më emocional valles që ishte detyruar ta hedhë, në mënyrë publike! Qoftë dhe si politikan i ‘fortë’ në letër!

Berisha, pavarësisht urrejtjes që kishte dhe ka për Ramës, sidomos në këto momente, nuk mundi ta kundërshtonte pjesëmarrjen e kreut aktual të qeverisë shqiptare në Bordin e Paqes për Gazën si përfaqësues i Shqipërisë, për të qënë në mesin e liderëve më të preferuar nga Trump, të vendeve pjesëmarrëse në këtë bord! Madje tensioni i Berishës është rritur shumë besojmë dhe kur Trump deklaroi publikisht se liderët e këtyre vendeve janë ata që i do shumë! Pra dhe Edi Ramën. Dhe kjo qënë vërtetë ‘testuese’ për nervat ‘tel’ të Berishës, i cili sa herë që përmendet emri i liderit tëi mazhoranbcës shqiptare, Rama, i ngrihen qimet përpjete!

Gjithkush mund ta imagjinojë sa ‘heroizëm’ i është dashur Berishës për të ‘gëlltitur’ zemërimin për ftesën e Trump për Ramën, për të ‘gëlltitur’ poshtërimin që Rama i bëri kreut të PD në mes të parlamentit, duke i përmendur mos-heqjen e ‘non gratës’ apo tallja me narrativën që lideri i opozitës ka përdorur për të mbajtur me gajret mbështetësit e tij të flaktë në PD, ata që i kanë mbetur, pas humbjes së radhës për 13 viteve me radhë përballë PS, narrativën e ‘arrestimit’ të ‘Ramaduros’ në Surrel me delta-forcën amerikane që zbarkonin nga helikopterët e ngritur direkt nga SHBA, për t’i dhënë ‘dënimin e merituar’ Ramës atje, pra në Uashington!

Rama u tall rëndë me Berishën dhe deputetët e PD, me këtë narrativë të lëshuar për tokë tashmë, megjithëse e denjë për filmat fantastiko-shkencorë që paraqisnin një grup politik pa kokërr vote për të qeverisur, me ‘lugë në brez’, teksa përfitonin nga komandot amerikane për të marrë në dorë qeverisjen e vendit! Ftesa e Trump për Ramën e zgjoi Berishën dhe në tijtë, për të treguar se ëndrrat janë të bukura, po zgjasin shumë pak ose aspak për të qënë të vërteta! Aq më tepër për ato ëndrra me përfitime qyl, që ndizen e fiken si vetëtima!

E me gjithë këtë tallje, Berisha shtrëngoi dhëmbët dhe i dha të gjitha votat e mundshme Ramës për të përfaqësuar Shqipërinë pranë Trump, për të folur në emër të Shqipërisë në Uashington! Madje dhe për të firmosur aktin e pjesëmarrjes në Bordin e Paqes për Gazën po në Uashington, ‘molla e ndaluar’ për Berishën që nga viti 2021 kur u shpall nga SHBA ‘non grata’ familjarisht, ku megjithëse ka paguar miliona dollarë për lobime në SHBA, jo vetëm që nuk e ka hequr këtë njollë por nuk ka marrë asnjë vizë pune për të udhëtuar drejt Amerikës!

Por çfarë e detyroi Berishën të votonte Ramën nominalisht për të qënë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, në emër të Shqipërisë, pavarësisht se nuk ka lënë akuzë pa thënë në drejtim të tij?

Për hir të së vërtetës Berisha ka frikë nga presidenti amerikan Donald Trump! Nuk i trembet për mungesën e mbështetjes për të ardhur në pushtet, pasi për këto punët e ardhjes në pushtet, Berisha e di si dreqi se sa kohë të jetë ai në krye të PD dhe opozitës jo vetëm që s’ka asnjë shans, por do të gremiset akoma më poshtë në rezultate! E thënë më shqeto, Berisha dhe PD i kanë larë duart me pushtetin me kohë dhe vakt. Madje as vetë nuk e mendojnë ardhjen e PD dhe opozitës në pushtet! Fundja, sipas ‘gojëve të liga’, nuk u ka dalë keq as në opozitë, financiarisht themi!

Berisha tmerrohet nga Trump dhe nuk del në asnjë rast kundër, sepse presidenti amerikan i cili shquhet për paparashikueshmërinë e tij, nuk e ka për gjë ta degjenerojë me të gjitha kreun e PD! Të hapë dhe ndonjë dosje, nga ato që i mbajnë ata për ‘ndonjë ditë të keqe’, duke filluar nga ato rrëfimet e ish shefit të shtabit të përgjithshëm Gjeneral Luan Hoxha për tregtinë e municioneve kineze dhe hedhjen në erë të Gërdecit, e deri me lidhjet e Berishës dhe familjes së tij me Milosheviçin duke thyer embargon e OKB, ‘flirtin’ me radikalët islamikë të Bin Ladenit e deri tek eksperiza e FBI për ’21 janarin’ dhe lobimin në SHBA me para ruse apo dhe ato me miliona dollarë, të përfituara, sipas akuzave, nga abuzimi me pushtetin në Shqipëri!

E di se Trump nuk ta përton, prandaj Berisha është gati të mbyllë gojën dhe të votojë gjithçka që kërkon ai, madje dhe për Ramën, duke ia çimentuar liderit socialist pushtetin në Shqipëri dhe për shumë e shumë vite të tjera, si një lider serioz që e ka bërë Shqipërinë vend stabël dhe një partner serioz për aleatët tanë të mëdhenj! Berisha kërkon me të gjitha mënyrat që të mbajë në këmbë dhe narrativën e tij për mbështetësit në PD, se Trump është një aleat konservator i të djathtëve shqiptarë që ‘lufton Sorosin’, dhe nuk mund të bëjnë sovranistin me të!

Sepse të ishte ndryshe, pra po të mos kishte frikë nga Trump, jo vetëm që Ramën nuk e votonte për ta dërguar si përfaqësues të Shqipërisë në SHBA, por dhe vizitën e vajzës së presidentit, Ivanka Trump dhe dhëndrit Jared Kushner, do ta kishin masakruar! Nuk ka lënë gjë pa thënë për biznesmenë dhe investime të tjera sado madhore të kenë qënë, duke i cilësuar ata oligarkë, pastrues parash dhe gjithçka tjetër, vetëm e vetëm sepse operonin në Shqipërinë që qeveriset nga Edi Rama! Dhe Berisha, jo vetëm që nuk tha asnjë fjalë negative por vetëm mbështetëse, dhe bëri shumë mirë pasi një investim i tillë madhor si ai në Sazan Shqipërisë njëherë në jetë i vjen, por e pranoi dhe vetë se, megjithëse e kishin nxjerrë në ‘treg’ Sazanin si ai si ish kryeministri i ndjerë Fatos Nano, askush nuk e kishte marrë përsipër ta bënte këtë investim në Shqipëri!

Por frika e Berishës nga Donald Trump nuk na habit! Ajo që ka nisur të na habisë është fakti se Berisha ka nisur të trembet dhe nga ai që askush nuk e ka imagjinuar deri më tani: Nga Ervin Salianji! Ngritja e foltoreve nga ana e anëtarit të kryesisë së PD në disa rrethe, e mbi të gjitha pjesëmarrja e lartë e demokratëve në këto takime, më shumë se sa trefishi i atyre të cilët marrin pjesë në foltoret e vobekta të Berishës, e ka nxjerrë nga shinat kreun aktual të PD!

Frika nga Salianji po manifestohet me akuzat e Berishës, Nokës dhe lidershipit të PD ndaj tij, duke e quajtur të ‘vetëpërjashtuar’, se ka kaluar ‘vijat e kuqe’ e deri tek mesazhet dhe thirrjet në drejtim të demokratëve që të mos marrin pjesë në takimet e këtij ‘armiku’ të madh të PD, pasi po mbështetet nga elementët e krimit dhe mbi të gjitha nga strukturat e PS për të përçarë partinë! Megjithëse Salianji asnjëherë nuk ka deklaruar se do të ikë nga PD, dhe akoma më teër, deri më tani nuk ka deklaruar as se do të garojë në prill për postin e kryetarit të PD, përballë Berishës!

Berisha nuk ka frikë se Salianji do t’i marrë partinë, duket të kuptohemi për këtë! Atë e ka të sigurtë, sepse PD është nën ‘hipotekën’ e tij familjarisht! Por Salianji ka ka lëkundur besimin elektoratit demokrat tek Berisha, pasi pjesëmarrja e lartë në tubimet e tij, po tregon çdo ditë e më shumë se e keqja në PD është vetë Sali Berisha! Dhe këtë lideri demokrat nuk e duron dot!

Nuk e duron sepse, larg qoftë, nëse i plotfuqishmi zbret në tokë dhe e merr me vete në amëshim, trashëgimia e PD lëkundet fort, dhe nuk dihet në cilën dorë bie më pas drejtimi i saj! Apo në sa pjesë copëtohet më tej PD, më shumë se sa është copëtuar tani! Prandaj, nga frika, Berisha ka urdhëruar edhe ‘pastrimin’ e listave të anëtarësisë së PD për t’i ‘filtruar’ nga rreziku i armikut tëi brendshëm, duke larguar të gjithë ata që mendojnë ndryshe, dhe plotësuar hap pas hapi me anëtarë-ithtarë të Berishës! Prandaj Berisha po merr masa, nga frika për të ardhmen e pasurisë së famoljes së tij, PD!