Jakin Marena: Argita, shkaku i ‘divorcit’ Berisha-Meta, SPAK do t’i ‘bashkojë’?!

Jakin Marena: Argita, shkaku i ‘divorcit’ Berisha-Meta, SPAK do t’i ‘bashkojë’?!

Argita Malltezi

Ditë pas dite po evidentohet një ftohje mes kreut të Rithemelimit Sali Berisha me presidentin tashmë të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Me gjithë elozhet që thuri, para, gjatë dhe pas Konventës Kombëtare që solli dhe rikthimin e Presidencës në këtë parti, për “legjendën Berisha”, kreu i PL nuk ka mundur ende të ‘shërojë’ zemrën e thyer të ish kryeministrit demokrat.

Asnjë deklaratë nuk doli nga goja e Berishës që të përmendë në mënyrë nominale emrin e Ilir Metës, në atë pjesëmarrje të deklaruar dhe mediatike poshtë ballkonit të aleatit të tij në hall.

Madje dhe i veshur me bluzën e përhapur ndër ithtarët e kreut të Foltores me mbishkrimin që bën fjalë për lirimin e kreut të opozitës nga arresti, shkoi Meta tek rrugica e Berishës me shpresën e marrjes së një shikimi, të shkëputjes së ndonjë fjale mbështetje apo të paktën të merrte një përmendje emri nga Berisha.

Por kreu i Foltores nga kati i tetë i pallatit të tij e kishte tretur shikimin tutje në horizontt, dhe vetëm fjalën “Konventë” përmendi. U mor me njerëzit e tij, sado të parëndësishëm që mund të kenë qënë, ndërsa Metën nuk e përmendi nominalisht.

Madje dhe në momentet më parë kur Meta ishte ‘pushtuar nga demonët’, dhe lëvizte mal më mal e fushë më fushë, pemë më pemë dhe nëpër platformat metalike, teksa shfrynte dufin e tij nëpër palestrat moderne ndaj krejt botës që e kishte rrethuar, sipas tij e mbushur me spiunë të SPAK, SHISH dhe Edi Ramës, Berisha nuk ishte ndjerë.

Pra marrëdhëniet mes tyre janë krisur, janë në ‘proces’ divorci, dhe sikurse e kemi paralajmëruar kohë më parë, shkaqet janë të shumta, por dy i kanë mbetur në mendje Berishës, për të cilat nuk cedon. Të paktën tani për tani sa t’i ikë tërbimi që e ka kalur me Metën.

Fakti që Meta nuk i shkoi për gati 6 muaj poshtë ballkonit asnjëherë duke heshtur plotësisht për hallin e aleatit tij jo vetëm politik por dhe përballë drejtësisë, por vetëm nga fundi nisi ta përshëndesë nga larg “legjendën Berisha” i cili kishte humbur durimin në banesën e tij ku është mbyllur me vendim gjykate nën arrest shtëpiak, është marrë shumë ‘ters’ nga kreu i Foltores.

Me pak fjalë Berisha nuk ia fal Metës strukjen nga frika e SPAK, aq sa të mos i dalë as me një deklaratë në mbrojtje për hallin e përbashkët që i ka zënë, duke shtuar dyshimin se mos Meta po ‘flirton’ me drejtësinë për të shpëtuar veten e familjen, dhe për të zhytur Doktorin.

Por ajo që i ka bërë ‘majë” tamam distancimit mes tyre ka qënë kujtesa e vonë e Metës për luftën ndaj nepotizmit. Me 30 vite vonesë ndodhi ky akt, ndaj Berisha e ka të vështirë të besojë se e ka për rivitalizimin e Partisë së Lirisë këtë nismë politike Ilir Meta.

Megjithëse Meta të vetmen rrugë ndoshta për të justifikuar rikthimin në krye të partisë që e ka pronë të tij, ishte ndryshimi i emrit dhe një masë drastike për të mbushur mendjen e miletit se e ka me tërë mend ndryshimin e platformës së Partisë së Lirisë, aq sa të ‘sakrifikojë’ dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Veprimi vishet pastaj me të gjitha të gjithë ‘aksesorët’ e mundshëm, që Meta i ka me shumicë për të justifikuar largimin e Kryemadhit dhe mbështetësve të saj, duke filluar që nga akuzat për djegien e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve vendore dhe për të përfunduar te nepotizmi në parti, spiunimi dhe mungesa e vigjilencës së rojeve në selinë e partisë.

Për hir të së vërtetës kur një njeri ndjehet i pastër s’ka problem dhe nëse e spiunojnë, jo vetëm tek SPAK, Rama apo SHISH, por askund në botë. Ndaj nuk e kuptojmë këtë paranojën e Metës dhe të tijve që akuzojnë deri Kryemadhin si spiune e SPAK, Ramës apo larg qoftë dhe SHISH. Nuk kemi asnjë informacion as se Kryemadhi është kthyer në një të penduar të drejtësisë, sepse spiunimi në institucionin më të lartë të hetimit, SPAK, këtë nënkupton, bashkëpunimin me drejtësinë ose i penduar i drejtësisë.

Dhe pikërisht shpallja e platformës së re të Partisë së Lirisë nga Meta për luftën ndaj nepotizmit, e ka acaruar aq shumë Berishën, sa nuk do as t’ia zërë emrin me gojë kreut të PL. E themi këtë sepse Berisha praktikisht e ka kaluar drejtimin e Rithemelimit në dorën e vajzës së tij Argita Malltezi Berisha. Dhe nuk ka nepotizëm më të gjallë se sa kalimi i pushtetit politik nga babai tek e bija. Meta e kalonte tek bashkëshortja, që rezultoi me kutin e tij “tradhëtare”. Duke sjellë deri dhe ngrirjen e marrëdhënieve bashkëshortore me të dhe jetesa më vete në një nga hotelet më luksoze në Tiranë, ku thuhet se luhet muzika e ‘ëmbël’ indiane. Madje dhe muret sikur ‘këndojnë’ në ritmet e muzikës së këtij vendi. Kështu thuhet të paktën.

Ndaj Berisha nuk ia vërshëllen më Metës, me gjithë përpjekjet e këtij të fundit për ta ‘joshur’. Në fund të herës është Argita shkaku i këtij ‘divorci’ politik mes Berishës e Metës. Ftohje që u vu re dhe në protestën më të fundit të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë përballë bashkisë së Tiranës, protestë nën ‘ritmin’ e shpërthimit të molotovëve.

Nëse drejtuesja reale e Rithemelimit Argita Berisha Malltezi ishte ‘non stop’ në krye të grupimit të saj politik përballë bashkisë së Tiranës bashkë me të gjithë  lidershipin e Rithemelimit, Ilir Meta nuk veproi si herët e tjera kur ishte prezent, megjithëse i barazlarguar nga vajza e Berishës. Meta nuk mori pjesë fare në protestë, në krye të Partisë Lirisë. Ia la numrit dy të PL udhëheqjen e formacionit politik në ushtrimin e dhunës në godinën e bashkisë së Tiranës.

Me pak fjalë dhe Meta sikur është ‘ftilluar’, teksa ka vënë re heshtjen e Berishës që nuk i përmend as emrin, ka vendosur të reagojë në mënyrë ‘proporcionale’, t’i rikthehet heshtjes së tij ndaj ‘legjendës Berisha’. Divorci politik mes tyre është në konsumim e sipër, dhe me sa duket prezenca e Argitës në krye të Rithemelimit, i ka hequr Metës shpresën se një ditë mund të marrë në dorë drejtimin e pjesës më të madhe të opozitës, me bosht themelor Rithemelimin dhe PL-në.

Si Meta ashtu dhe Berisha e dinë se nuk vijnë në pushtet më 2025, sado të bashkohen. Madje nuk kanë shpresa për rikthimin e opozitës në pushtet as në vitin 2029. Me këtë opozitë copë copë, maksimumi që mund të arrihet është mbijetesa politike. Sa për të qënë faktor politik për mbrojtur veten me një fjalë, përballë akuzave të drejtësisë së re.

Për këtë arsye Berisha, ndonëse kryeson një grupim politik ‘në të zezë’ pa vulë dhe logo, nuk është shumë i interesuar për të qënë në aleancë me Metën. Fundja arsyeja që e ka bërë të afrohet me Metën, duke hyrë nën siglën e PL në zgjedhje, vulën e logon besohet se i ka ‘qarë’ me kohë dhe vakt, fare thjeshtë nesër mund përsërisë por duke u përfshirë në një aleancë parazgjedhore me ndonjë parti aleate të vjetër, duke përdorur siglën e saj për të regjistruar kandidatët për deputetë të Rithemelimit në zgjedhje. Një parti me ‘oreks’ politik më të vogël se Meta, që nga PDK e deri tek PBDNJ.

Ndaj nuk shqetësohet shumë, sepse nuk ka mendje për të fituar zgjedhje, dhe e dyta kërkon thjeshtë që Rithemelimin ta ketë si mbrojtje përballë drejtësisë. Meta duket më i shqetësuar, pasi sado që t’ia ndërrojë emrin partisë, ajo ka rënë ‘pikiatë’. Partia është nocion abstrakt, njerëzit e bëjnë partinë. Dhe PL të njejtën njerëz ka në drejtim, duke filluar nga Meta. Pa përjashtuar faktin se dhe Kryemadhi aty është. Me një mijë fije dhe për një mijë arsye. Do jetë në prapaskenë dhe nuk e ka për herë të parë këtë situatë. Jo kaq rëndë, por është situatë e përsëritur.

Në fund të herës ajo që duke më ‘ngushëlluese’ është fakti se ka shpresë për një afrim mes Berishës dhe Metës në të ardhmen. Kjo mbetet në dorën e SPAK, i cili ka nisur hetimin për një sërë dosjesh të rënda të korrupsionit apo dhe krimit shtetëror, shumica në ngarkim te Berishës dhe Metës. Që nga pasuria e pajustifikuar, lobimet në SHBA, afera CEZ-DIA, “21 janari”, “Gërdeci” dhe akuza të tjera të këtij lloji. Në disa dosje, Meta e Berisha i ndajnë bashkë akuzat, i kanë dosje të përbashkëta. Në disa të tjera kanë lidhje të tërthortë.

Dhe në përmbyllje shqiptarët shpresojnë se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë të korruptuar në këtë vend do të marrë fund. Kanë besim te SPAK, kanë besim tek SHBA, BE e Britania që e mbështet drejtësinë e re. Prandaj shqiptarët besojnë se nëse SPAK bën në mënyrë rigoroze detyrën, edhe Berisha me Metën do të ‘bashkohen’ shumë shpejt. Dikush mund të thotë nën arrestin shtëpiak, dikush tjetër mund të thotë në të njejtën qeli. E sigurtë është se në fund të herës, pavarësisht të gjitha arsyeve që i çuan drejt “divorcit’ politik, ata më në fund do të jenë bashkë, në të njejtën ‘njësi banimi’. Ne e thamë se kush e ka në dorë. Të presim!/Java

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sevi: 01/05/2024 23:45

    Fytyre shtrige,hajdute non grata.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale