Jakin Marena: Kujt i duhej ‘sakrifica’ e Gjekmarkajt në prag të Natës së Krishtit?!

Jakin Marena: Kujt i duhej ‘sakrifica’ e Gjekmarkajt në prag të Natës së Krishtit?!

Sali Berisha duke vizituar Agron Gjekmarkajn në spital

Tirana për vetë fluksin e lëvizjes së automjeteve, sidomos kur afrojnë festat e fundvitit, është e rënduar nga trafiku i automjeteve dhe për pasojë krijohen radhë të gjata me makina, të cilat presin për të hyrë apo për të dalë nga kryeqyteti.

Shtuar këtu dhe faktin se koha ishte me reshje të dendura shiu si dhe me një fluks të shtuar të lëvizjes së automjeteve për shkak të festave, ku emigrantët kanë nisur të zbarkojnë pranë familjeve të tyre në Tiranë dhe kudo tjetër në vendlindje, situata bëhet dyfish dhe më e rëndë për të ‘çarë’ trafikun nëpër pikat determinante në Tiranë.

Dhe me gjithë këtë siklet trafiku për qytetarët, ishte dikush që kishte ‘menduar’ në mënyrë të detajuar se si t’ua nxinte dyfish jetën qytetarëve që lëvizin me automjete në pikat kyçe të Tiranës, duke e bllokuar për tre orë me radhë trafikun, që dhe pa këtë bllokim të mirëmenduar dhe të ‘premtuar’ nga ai që ka marrë peng jo vetëm drejtuesit e automjeteve, por dhe qytetarët e mbarë vendit dhe mbi të gjitha vetë opozitën shqiptare, ishte aty ku nuk mban më.

Bllokuesi i akseve kryesore për hyrjen, lëvizjen dhe daljen nga kryeqyteti i të të gjithë drejtuesve të automjeteve, është ‘arkitekti i mosbindjes civile’ sipas versionit shqiptar vetë ai, Sali Berisha, kryetar i PD si dhe nën akuzë për korrupsion pasiv për ‘Partizanin”, në hetim për ’21 janarin’, ‘Gërdecin’, për pasurim të paligjshëm dhe akuza të tjera të rënda të këtij lloji.

Ndoshta është mosbindja e vetme civile në rruzullin tokësor, ku përmes saj opozita në vend që të tentojë të bllokojë qeverinë dhe ta detyrojë të ulet në bisedime, në zgjidhje emergjence apo për zgjedhje të parakohshme, merret me qytetarët e vet, me banorët e kryeqytetit, i cili ka gati 2/3 e popullsisë së vendit pa llogaritur dhe po aq të tillë që qarkullojnë në mënyrë të përkohshme për punët e tyre, duke u bllokuar rrugën dhe duke i lënë për orë të tëra në trafik.

Kështu ka ndodhur dhe ditën e hënë, në vigjilje të natës së Krishtlindjeve, teksa Berisha ka nxjerrë në rrugë ata 100 vetë që përdor sa tek bashkia e sa tek ndonjë protestë tjetër, ishte grupi i ‘gatshëm’ që shkonte përnatë poshtë dritares së shtëpisë kur ishte në arrest shtëpie, nën shiun që binte me gjyma, ka bllokuar akset kryesore, rrethrrotullimet kryesore të kryeqytetit, duke e bërë të pakalueshëm për shkak të trafikut të rënduar.

Anipse kishte qytetarë që kishin halle për në spital, kishte të tjerë që pas mbarimit të punës  ishin nisur për në shtëpi, kishte të tjerë që kishin ardhur nga jashtë vendit për të festuar me familjarët e tyre festat e fundvitit, Berisha nuk u tërhoq nga vendimi për të bllokuar rrugët në të gjithë Tiranën. 

Berisha madje tregohej cinik dhe ironik në të njëjtën kohë, teksa u thoshte qytetarëve se bllokimin e rrugës dhe plasjen e shpirtit në trafik po e bënte vetëm e vetëm për të mirën e tyre. Për të protestuar kundër regjimit të Edi Ramës, anipse në çdo vend të botës protestohet në vende të caktuara, sheshin kryesor të kryeqytetit, apo makar dhe para kryeministrisë, apo në ndonjë fushë sporti, bulevard dhe vende të tjera të këtij lloji.

Berisha i theu të gjitha këto ‘parametra’, duke ‘kapur’ kryqëzimet kryesore në kryeqytet, të ndarë nga 20 vetë për secilin kryqëzim, duke bllokuar rrugët, teksa kërkoi qeveri teknike jo para kryeministrisë por para bashkisë së Tiranës. Dikush mund të çuditet, por Berisha ka hall, se s’ka njerëz që e ndjekin ‘mosbindjen civile’ të tij, ndaj gjen një vend sa më të ngushtë si ambienti para bashkisë për të kërkuar ‘rrëzimin e regjimit’.

Para kryeministrisë do t’i dilte ‘kallai’ i mbështetjes së vobektë që Berisha ka, mbështetja që po zbret dita ditës me nivele të frikshme. Dhe kjo bëhet akoma më e ‘dhimbshme’ teksa sheh që sheshi qendror i Beogradit është mbushur plot e përplot me protestues të opozitës dhe qytetarëve që i mbështesin, të cilët kërkojnë rrëzimin e Alerksandër Vuçiç. Krahasimet që bën Berisha mes reagimit ndaj Assad e Vuçiç me Ramën, janë të thjeshtë lajthitje prej 80 vjeçari me sa duket, dhe për më tepër në hall të madh, pasi jo vetëm që s’ka asnjë ngjashmëri, por as takati i Berishës për reagim nuk u përngjan.

Në fakt askush nuk di që ta shpjegojë këtë mënyrë të bërit politikë, e pangjarë në asnjë prej kapitujve normale të publikuar apo të servirura në anale shqiptare e botërore të politikës.

Në krye të herës, ‘mosbindja civile’ e Berishës me bllokim të akseve kryesore të kryeqytetit në pikun e lëvizjes së automjeteve, si dhe kur njerëzit dalin nga puna e sidomos në prag të festave të fundvitit nuk sjell asnjë përfitim politik. Dhe kur themi përfitim politik, e shohim atë të përkthyer në vota, teksa zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit 2025 duan më pak se 6 muaj për t’u zhvilluar. Pra nuk parashikon të sjellë kokërr vote më tepër për PD dhe opozitën.

E themi këtë sepse Berisha ua ka plasur shpirtin njëlloj si qytetarëve të majtë, si elektoratit të zonës gri ashtu dhe atyre që mbështesin opozitën. Pra nuk është një lëvizje politike që tenton joshjen e qytetarëve për të mbështetur PD. Këtë e tregon dhe fakti se më të ashpër ditën e hënë kundër PD dhe Berishës ishin vetë të djathtët, të cilët po betohen se do ta thellojnë akoma më shumë bojkotin e zgjedhjeve, duke mos shkuar në kutinë e votimit. Dhe duke ‘sakatuar’ tërësisht mbështetjen për PD dhe opozitën më 11 maj të vitit të ardhshëm. Dhe pa këtë e ‘sakatuar’ është.

Pra “mosbindja civile’ e Berishës përmes dhunës ndaj civilëve në pesë pikat më nevralgjike të qarkullimit të kryeqytet, duke bllokuar trafikun dhe duke ua plasur shpirtin njerëzve, jo vetëm që nuk sjell kokërr vote, por përkundrazi, heq akoma më shumë vota pikërisht nga opozita, si dhe tremb pjesën gri të votuesve të cilët vendosin përfundimisht të qëndrojnë në shtëpi. Pjesa që anon nga opozita themi.

Shpjegimi më i përafërt për këtë lëvizje të Berishës, është se ai e ka ndarë mendjen që humbjen do ta ketë tepër të thellë në zgjedhjet e 11 majit të vitit të ardhshëm. Për pasojë kërkon fillimisht të duket para qytetarëve dhe ndërkombëtarëve se ndonëse me këtë mbështetje modeste, ndonëse me 80 vite mbi supe dhe i shpallur ‘non grata” nga SHBA e Britania, si dhe me një varg akuzash në SPAK, është ende i fortë për të bërë dëme. Me atë mendjen e tij po thotë se “jam ende gjallë”. 

Duke bërë presion dhe ndaj drejtësisë me këtë rast, që ta shtyjë sa më tej arrestimin e tij, për të qenë rrugëve dhe në përballje me qytetarët jo me mazhorancën dhe Edi Ramën, të cilët tashmë me sa duket po punojnë për mandatin e pestë qeverisës dhe për maksimumin e 94 mandateve kushtetuese në Kuvend në mandatin e katërt! Pra mosbindja civile e Berishës nuk është për PD për të sjellë vota, por është tërësisht në funksion të hallit të Berishës me drejtësinë që e ka marrë nën hetim familjarisht dhe me ndërkombëtarët që ia kanë hequr vizën po familjarisht për jetë të jetëve.

Gjithsesi “gojët e liga” thonë se Berisha me këto ‘mosbindjet civile’ nëpër kryqëzime rrugësh, në përballjet me policinë, sidomos natën vonë, nëpër rrethrrotullimet kryesore të rrugëve në kryeqytet, po tenton me shpirt ndër dhëmbë të krijojë ndonjë përplasje, ndonjë incident apo larg qoftë që ndonjëri nga protestuesit t’i ngelë në dorë dikujt, për të krijuar një kauzë të re për të protestuar kundër qeverisë.

Sa më lart të jetë ‘steka’ e politikanit aq më mirë. Të hënën në mbrëmje e dha sinjalin e parë, teksa me të faktin e Agron Gjekmarkajt, nënkryetar i PD, luajti rëndë politikisht Berisha. Ishte dhe katolik Gjekmarkaj që humbi ndjenjat pas një ‘shtrëngimi në gjoks’ nuk dihet se nga kush dhe pse që i shkaktoi po ‘shtrëngim në gjoks’, nga frika apo nga stresi i kandidimit për deputet, e përfundoi në spital, në këtë prag Krishtlindjesh. Që për fat ishte pa zarar, sikurse precizoi dhe deputeti i PD Xhelal Mziu që e argumentoi me faktin e mungesës së ‘shtyllës kurrizore’ tek Gjekmarkaj. Janë tentativa të rrezikshme këto që bëhen në mbrëmje nga Berisha, në kryqëzime rrugësh e mbi të gjitha në prag të festave. Mund të hedhin në erë stabilitetin në vend.

Duke parë reagimet e qytetarëve, të cilët janë në gjendje aspak të mirë pas këtyre bllokimeve të rrugëve, reagimet live nëpër mediat shqiptare apo dhe në rrjetet sociale e tregojnë qartë dëshpërimin e tyre për mbetjen në trafik për shkak të mosbindjes civile të Berishës, është e udhës të mendojmë se ka ardhur koha e një proteste kundër bllokimit të rrugëve nga ana e politikës dhe e kujtdo tjetër në këtë vend. Sidomos të akseve kryesore.

Aq më tepër kur trafiku në kryeqytet bllokohet nga protestues pa leje sikurse ndodhi me këta 100 vetët e opozitës që nën udhëheqjen e Berishës kapën 5 pikat më nevralgjike të Tiranës dhe duke ua plasur shpirtin drejtuesve të automjeteve  për tre orë me radhë, shtuar dhe trafikun e krijuar dhe për tre orë të tjera shtesë, pasojë e protestës, duke ua shtyrë vajtjen në shtëpi në mesnatë.

Një protestë masive e qytetarëve do ta vinte në pozita punë dhe organizmin e sigurisë së shtetit shqiptar. Mendojmë se ka ardhur koha në këtë vend që të kërkojmë të jetojmë si njerëz në qetësinë tonë. Kush kërkon të protestojë të gjejë vendin, sheshin dhe ta bëjë. Me leje kuptohet. Jo të bllokohen hyrjet dhe daljet në kryeqytet, duke rënduar trafikun. S’janë protesta kundër qeverisë këto, janë protesta që shkojnë vetëm në kurrizin e qytetarëve.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 24/12/2024 21:31

    Gjekmarkaj sakrifikoi si Jesusi vec korrupsioni ja prish pak flokët

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore