Ka disa kohë që po emetohen në media lajme që kanë të bëjnë me garën e mundshme për kreun e PD, që do të mbahet diku nga qershori! E quajnë me plot gojën ‘garë’, pa u bërë tërr syri!
Madje ka netë të zjarrta debati në këto panelet televizive, ku moderatorët dhe të ftuarit kërkojnë të mbajnë të ndezur ‘kandilin’për disa emra kandidatësh, mes të cilëve spikat Ervin Salianji, i cili e ka pranuar dhe vetë hipotetikisht se do të garojë përballë Berishës, për të marrë drejtimin e PD!
Ka dhe emra të tjerë, duke filluar nga shqiptarja rezidente në SHBA, Evi Kokalari, e përfunduar tek demokratja ‘rebele’ e Elbasanit, Alesia Balliu, të cilët Berishën e llogarisin si të larguar nga kupola e PD, ndërsa flasin për të ardhmen e kësaj partie, nën drejtimin e tyre!
Po flitet dhe për spastrime që po ndodhin tek mbështetësit e kandidatëve për kreun e PD-së, më saktë mbështetësit e Salianjit nëpër këto foltoret nëpër rrethe. ku për hir të së vërtetës mbledh më shumë njerëz se Berisha. Si në rastin e këshilltarëve demokratë të Durrësit dhe të tjerë. Flitet se ka edhe ‘filtrime’ të listave të anëtarësisë së PD, për anëtarët të cilët do të shkojnë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve. Është kërkuar ndihmë dhe nga KQZ për kuti votimi e për vula!
Ka dhe reagime nga ana e kupolës së PD, pra njerëzit afër Berishës, të cilët shprehen se Salianji është i ‘vetëpërjashtuar’, pra nuk është anëtar i PD, një term tërësisht alla-PD, që nuk zë vend në asnjë fjalor politik as shqiptar dhe as botëror, ndërsa vetë Salianji bërtet me të madhe se është anëtar PD, bën takime në emër të PD nëpër rrethe për të përmirësuar, sipas tij, PD-në, merr pjesë në protestat kombëtare me molotovë, anipse me 300 vetë, të thirrura nga Berisha, e mbi të gjitha nuk mungon në asnjë mbledhje të kryesisë së PD!
Këtu ka një absurd në të vërtetë, pasi sipas ‘kutit’ të Flamur Nokës dhe drejtuesve të tjerë të PD afër Berishës, Salianji nuk lejohet të kandidojë pasi nuk është anëtar i PD, ndërsa merr pjesë në mbledhjet e kryesisë së PD! Nuk e dimë nëse merr pjesë në mbledhje me statusin e anëtarit të kryesisë së partisë, me statusin e vëzhguesit apo si gazetar, megjithëse gjithnjë, këta të fundit në mbledhjet me dyer të mbyllura, nxirren jashtë sallës! Vetëm Berisha mund t’i japë ‘majë’ kësaj pune, për ta shpjeguar termin e ‘vetëpërjashtimit’ të Salianjit, por dhe të marrjes pjesë në mbledhjet e kryesisë si anëtar i saj, paçka se sipas Nokës, ai nuk figuron si anëtar i thjeshtë i PD! Sepse ka një shpjegim të vetin Berisha, me atë realitetin e tij paralel, që i bind pasuesit! Jo vetëm se Salianji është vetëpërjashtuar, por dhe se ka bashkëpunuar me krimin, akuzë sefte e re kjo e Berishës për anëtarin e kryesisë, që mendon se mund të garojë përballë Berishës për kreun e PD!
Na bën çudi fakti që nëpër panelet televizive debati vërtitet vetëm rreth masave të Berishës për të ‘pastruar’ listat, për të shmangur kandidatët ‘rebelë’ nga gara për kreun e PD, dhe aspak nuk kemi një debat mirëfilli për gjendjen aktuale të kësaj partie, kërcënimin real që të mos fitojë asnjë bashki në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor që zhvillohen në pranverën e ardhshme, si dhe shkaqet pse PD në çdo palë zgjedhje bie me nga 250-300 mijë vota të djathta! Duke e garantuar qëndrimin dhe një dekadë tjetër sëpaku, në opozitë, në pushtetin qëndror!
Nëse debati orientohet drejt faktit se Berisha merr po masa sepse ka frikë se Salianji e rrezikon në garën për postin e kryetarit, atëherë ajo që mund të themi është se, nuk është e drejtë që të trajtohen shqiptarët si qytetarë nën nivelin normal të arsyetimit dhe të zhvillimit mendor! E themi këtë sepse problemi real qëndron te mbartësit e këtij qëndrimi, pra se Berisha është frikësuar nga Salianji, të cilët mund të cilësohen ose pa njohuri për situatën politike ose janë ‘ngarkuar me detyrën’ që të zhvendosin debatin në çështje emrash për të lënë mënjanë qëllimisht problemin e vërtetë, që është kriza në PD, dhe ku shkaktari i krizës e ka emrin ‘Sali Berisha’!
E themi këtë sepse Berisha, kurdo që të garojë, sot, nesër, pas një muaji e pas një viti, në 12-të të ditës apo në 12-të të natës, i fiton zgjedhjet brenda PD për kryetar me mbi 90 përqind të votave! Këtë dominancë në PD e ka treguar me kohë dhe vakt! Ishte në periudhën më të keqe në shtator të vitit 2021, i përjashtuar nga grupi dhe nga vetë PD prej kreut të asaj kohe, Lulzim Basha, menjëherë sapo u shpall ‘non grata’ nga SHBA, dhe Berisha arriti që të marrë drejtimin e partisë! Shpenzoi lekë pa fund me Kuvendet e foltoret e atëhershme, përfshirë lobimet e sulmin me qysqi dhe mjete rrethanore ndaj selisë së PD buzë Lanës më 8 janar, por dhe më pas, teksa shpenzoi shumë për të rimarrë edhe zyrtarisht logon e vulën e PD. Tashmë s’ka Zot që ia merr më partinë!
Berisha jo vetëm që mori zyrtarisht logon dhe vulën e PD, me gjithë Bardhin, Gjekmarkajn e deri Salianjin, ‘paketë’ bashkë me të, por tani kërkon që asnjë zë kundër të mos dalë përballë tij, për të prishur ‘uniformitetin’ e partisë, jo përballë Edi Ramës për ta rrëzuar nga pushteti, por përballë segmenteve të caktuara të opozitës për të qënë gjithnjë pjesë e pushtetit si përfitues për këtë rol, tepër komod dhe pa asnjë përgjegjësi! Sepse në fund të herës, opozita është pushtet, dhe Berisha kërkon të jetë ‘maja’ e opozitës, pa asnjë rival rreth e rrotull! Ndaj i shuan zërat kundër, ndaj përpiqet që të zvogëlojë dhe rolin e atyre partive të reja opozitare që s’janë në aleancë me të!
Dhe në këtë lojë të fortë pushteti në opozitë, Berishës jo vetëm që nuk i rrezikohet posti i kreut të PD e opozitës në tërësi, nga Salianji apo të ngjashëm me Salianjin, por ka luksin e madh që edhe të mos ‘konsumohet’ lart e poshtë për çështje legjitimiteti, duke ia lënë këto punët e ‘pista’ në parti, Flamur Nokës, Bardhit dhe mbështetësve të tjerë të tij, në kupolën drejtuese të PD! Praktikisht, Noka merret me interpretimin e statutit, Bardhi me ndryshimin e statutit, pasi është emëruar në krye të komisionit partiak për këtë punë, pra për të hequr pa dhimbje nenin ‘Basha’ me një fjalë, ndërsa Klevis Balliu merret me organizimin e partisë! Aq sa mund të organizojë ai! Për pak harruam Gjekmarkajn, nënkryetarin tjetër të PD, i cili i fut një opinion me humor, pak nga të gjitha, as mish dhe as peshk dhe e kryen punën e detyrën karshi Berishës, më së miri!
Berishës i mbetet vetëm të japë direktivën e mbajtjes së protestave njëherë në 10 ditë për të ‘rrëzuar Ramën nga pushteti’, për të përcaktuar se kur përfundon kilometri i fundit për ‘narko-shtetin e Ramës’, për të nxirë dhe marrë erzin Shqipërisë nëpër kancelaritë perëndimore, paçka se në të shumtën e herës i mban fjalimet nëpër korridore me ‘kameramane’ Albana Vokshin, sepse nuk e afrojnë nëpër podiume për të folur! Dhe atëherë që flet në emër të Albanës, ia presin fjalën në mënyrën më brutale të mundshme në mes të Strasburgut, megjithëse Berisha as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet nga turpi! Nuk bën pjesë në atë ‘lagje’ ai!
Berishës i kanë mbetur këto ‘punët e rënda’, pasi në lidhje me garën për kreun e PD nuk shqetësohet! Kur nuk e lëvizi ‘topi i Amerikanit dhe Inglizit, nuk do ta lëvizë as topi i Gjermanit’, ka nisur të qarkullojë postulati më i ri për Berishën nëpër koridoret e selisë buzë Lanës, nga momenti kur ambasada gjermane ndërhyri fort kundër protestave të dhunshme të PD e mbi të gjitha kur kërkoi që të mos përdoret flamuri i Gjermanisë nëpër këto sulmet me molotov dhe mjete të tjera piroteknike, ndaj institucioneve të shtetit, bizneseve dhe koshave të plehrave anës rrugës! Duke ia ‘ngrirë gëzimin në buzë’Berishës, të arritur pas hamendësimeve se ‘gjermanët kanë marrë me sy të keq Ramën’ dhe sipas PD, mund ta rrëzojnë nga pushteti!
Dhe në fund të herës ajo që duam të rikujtojmë është fakti, se këto lajmet që hidhen nëpër media apo diskutohen nëpër panelet televizive, sipas të cilave Salianji apo të tjerët i rrezikojnë postin e kryetarit, Berishës, duhet të marrin fund njëherë e mirë dhe të mos zënë kohën televizive nëpër panelet e darkës e të mërzisin miletin!
Çështja e postit të kryetarit të PD është mbyllur me kohë dhe vakt. Ai do të jetë Sali Berisha sa të jetë gjallë, i urojmë vërtetë jetë të gjatë! PD është pronë me ‘hipotekë’ e Berishës, dhe nëse ia ka lënë dikujt me ‘testament’ për momentin kur të shkojë pranë të Plotfuqishmit, larg qoftë, të gjithë duhet të jenë të bindur se ua ka lënë dy fëmijëve të tij, 50 me 50 përqind të ‘aksioneve’! Si trashëgimi dhe nuk është pak! Njëri e financon dhe ‘vjel’ të mirat financiare dhe politike prej PD, duke i shpërndarë sipas përqindjes në ‘hipotekë’, tjetri e drejton dhe zyrtarisht! Nuk do të ketë emër tjetër, përpos Berisha në krye të PD! Ka marrë fund kjo punë! S’ka asnjë shpresë. Salianji kryetar është thjeshtë një shaka!
Komente












