Deputeti socialist Erion Braçe doli kundër aktit normativ për financimin me 4,3 milionë euro nga buxheti i shtetit të koncertit të Kanye Ëest, i cili u miratua këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë. Edhe pse e vlerësoi çështjen nga këndvështrimi ekonomik dhe jo kulturor, Braçe tha se qeveria duhet të mbajë vetë përgjegjësi për vendime të tilla dhe jo ta ndajë atë me Kuvendin.
“Kjo më lë hije të keqe. Qeveria nuk mban përgjegjësi vetë, siç e parashikon ligji, por e shpërndan përgjegjësinë duke bërë pjesë edhe Kuvendin. Këtu parlamenti ftohet të mbajë përgjegjësi për një akt të qeverisë, ndërkohë që ligji e ngarkon qeverinë ta mbajë vetë. Kjo është e padrejtë, ndaj jam kundër këtij akti”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist kërkoi transparencë maksimale për përfitimet ekonomike që, sipas qeverisë, ka sjellë ky event
“E vë në diskutim aspektin kulturor të këtij koncerti, por aspektin ekonomik patjetër që e shoh por dua transparencë për ta gjykuar impaktin ekonomik. Ju dhatë disa shifra, më duken të mëdhaja, por dua prova për shifrat që jepni. Mbetem në mirëbesim të numrave që ju do të jepni," i tha ai Gonxhjas.
Braçe solli në vëmendje edhe aktivitete të tjera të financuara nga buxheti i shtetit, duke thënë se edhe për to ka munguar transparenca.
"Për 8 muaj janë financuar 2 aktivitete, është financuar ai aktiviteti për atë sportin e çuditshëm, padeli për të nuk ka folur njeri as s’ka transparencë" tha Braçe
Ai përmendi edhe promovimin e Iso-Polifonisë në filmin më të fundit të regjisorit Christofer Nolan ‘Oddyssey’ duke thënë se do të dëshironte që fondet e buxhetit të mbështesnin më shumë aktivitete të tilla.
“Do doja ta financonit atë aktivitet për Iso-Polifoninë. Edhe filmin nuk do të ishte keq ta financonim, sepse është autokton, na përfaqëson dhe është krejt ndryshe nga ajo që përfaqëson ai këngëtari. Po ta kishim financuar atë regjisorin, do t’i kisha ngritur duart, edhe pse do të kisha shkelur ligjin”, tha Braçe gjatë debatit me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja.
Lajmi kryesor:
Gonxhja: Protesta pezulloi ardhjen e Jennifer Lopez në Tiranë, kërkoi 2 mln euro garanci! 4.3 mln eurot për Kanye West? Fitoi ekonomia











