Mësuesja i shprehu Ramës shqetësimin për mungesën ilaçeve të nevojshme për përballimin e sëmundjes së rëndë dhe se përgjigjja që merr nga autoritetet shëndetësore është se medikamenti ka kosto të lartë. Report Tv mësoi se ilaçi bazë e të prekurve me kancer, herceptina, ka një kosto shumë të lartë dhe të papërballueshme për qytetarët e thjeshtë, pasi kushton rreth 2 mijë euro një kurë e tillë, vetëm për një cikël.
“Kam 26 vjet mesuese, jam diagnostikuar me kancer të gjirit dhe gjatë kësaj periudhe kam kaluar disa faza, vazhdoj kurën me herceptinë, duhet ta beja 18 herë, çdo 21 ditë, nga fundi gushtit deri tani duhet të kisha bërë 8 here kam bërë vetëm 3. Mua dhe gati 120 të tjerëve na thone s’ka ilace është i shtrenjtë, nuk dimë cfarë do bëhet me ju, më duket pak paradoks se cdo investim ka një kosto të lartë fatura dhe s’mendoj se duhet të kemi këtë përgjigje.
Një burokraci e paparë me orë të tëra në zyrën e informacionit, s’kam mundur ta takoj drejtorin e spitalit, nga kush ka frikë ky zotëri nga unë që jam një paciente që kam nevojë për të mbijetuar? Kam dyshime që ju mund të keni një realitet tjetër mbi tavolinë", iu drejtua mësuesja Ramës.
Nga ana e tij, Rama tha se e di situatën, teksa sqaroi se problemi qëndron te fondi dhe parashikimi vjetor i vuxhetit për blerjen e medikamenteve. Shefi i ekzekutivit premtoi se buxheti i ri do të mundësojë blerjen e një sasie të madhe medikamentesh për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene.
“E njoh shumë mirë situatën në Onkologjik. Nuk është faji i drejtorit sepse edhe po ta takoje, nuk është se do të kishte mundësuar dhënien e ilaçit. Problemi qëndron tek fondi dhe parashikimi vjetor i buxhetit për blerjen e medikamenteve. Ka një rritje të lartë të numrit të të sëmurëve me kancer nga viti në vit. Problemi qëndron edhe tek pamundësia buxhetore, e di ky nuk është një justifikim. Buxheti i ri do të mundësojë blerje të një sasie më të madhe medikamentesh për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene. Do ndryshojmë edhe ligjin për blerjen e medikamenteve në sasi më të mëdha që të shkojnë më shumë se një vit”, tha Rama.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO
e mësueses,ja si i përgjigjet Rama






