“Jam Mysliman”, ky është titulli i romanit të ri i shkrimtarit Ben Blushi. Pak provokues, por që sipas autorit nuk është i tillë. Libri, i cili do të jetë i disponueshëm nga sot në çdo librari dhe në panairin e këtij viti në Pallatin e Kongreseve, nga e enjtja e 13 nëntorit.

“Jam Mysliman” u promovua dje, ndërsa Blushi thotë se versioni fillestar ishte më i gjatë se ai që pa dritën e botimit.

"Kur lexoj Facebook-un tim çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë… kuptoj se në çfarë dhune jetoj. Në një dhunë të një pakice njerëzish që më gjykojnë për një gjë që unë s’jam, as racist, as islamofob, as përçarës. Dhe ky libër është shkruar për këtë arsye. Por kjo nuk do të thotë që ata s’kanë ndikuar tek unë. Sepse, për fat të mirë apo për fat të keq, libri ka qenë 20 deri në 25% “më obez”, pra më i gjatë. Ky libër ka rreth 221 faqe. Në variantin final, do të ishte nja 300 faqe. Unë kam hequr rreth 20-25% të librit, disa për arsye artistike, disa për arsye profilaksie, nëse mund ta quaj kështu, pra, një lloj "higjiene'", thotë ai.

Për shkak të emrit, dhe frikës se si audienca mund të reagojë, disa shtëpi botuese refuzuan të botojnë librin e ri “Jam Mysliman”.

"Pse dy botuesit duhet të kenë frikë të botojnë një libër normal, i cili nuk cenon Kushtetutën, nuk bën thirrje për revolucion, nuk është racist, nuk i thotë një shumice të dhunojë një pakicë, siç mund të ndodhë në vende të tjera? Ky libër s’ka asgjë që të cenojë Kushtetutën tonë", shton Blushi.

Blushi kujdeset të tregojë se ky libër nuk është kundër fesë, por një regjimi.

"Dhe libri nuk është kundër islamit, por kundër një regjimi islamik që quhet sharja ose sheriat", nënvizon ai.

Romani “Jam Mysliman” përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman. Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë gradualisht për shkak të disa luhatjeve në jetën e tij private dhe sidomos gjatë një vizite në Mekë ku ai mrekullohet. Në fund, pas një incidenti me një grup fanatikësh, shkrimtari shpall në Facebook vendimin e tij me shënimin: Jam Mysliman. Kjo fjali i ka dhënë dhe titullin librit.