Prokuroria e Korçës mbylli dy ditë më parë hetimet dhe çoi për gjykim dosjen në ngarkim të 31-vjeçarit Ilirjan Selmani, i cili akuzohet për vrasjen dhe më pas djegien e 52-vjeçares Kozeta Teço, me të cilën dyshohet se kishte pasur një lidhje dashurie.
Report TV ka zbardhur dosjen e Prokurorisë së Korçës në ngarkim të Selmanit, për ngjarjen e ndodhur në korrik të vitit të kaluar në qytetin e Pogradecit.
Në dosjen hetimore sqarohen detaje të shumta si për marrëdhënien që ka pasur autori i dyshuar me viktimën, po ashtu edhe me aktivitetin e tyre ditët e fundit para ngjarjes, si dhe mënyrën e ekzekutimit të 52-vjeçares.
Selmani në dëshmitë e tij për grupin hetimor ka rrëfyer se kishte shkuar në shtëpinë e Kozetës për herë të fudnit 3-4 ditë para arrestimit.
Po ashtu, ai ka deklaruar se herën e fundit ishte nisur për në shtëpinë e Kozetës pasi kishte parë thika me gjak dhe ishte bërë merak për gjendjen shëndetësore të 52-vjeçares, por shtoi se nuk kishte hyrë brenda shtëpisë dhe ishte kthyer sërish pas.
“Ai ka treguar se për herë të fundit kishte shkuar në shtëpinë e Kozetës rreth 3-4 ditë para arrestimit dhe kishte fjetur atje. Ai nuk mbante mend çfarë kishte veshur midis 27.07.2025 dhe 28.07.2025. Ai ka pranuar se kishte shkuar tek banesa e Kozetës në mbrëmjen e 27.07.2025, por ajo nuk i kishte hapur derën. Ai kishte qëndruar pranë derës për të kuptuar arsyen dhe më pas kishte lëvizur drejt rrugës lart, duke kaluar më pas tek ‘dyqani i Meleqit’, ku kishte takuar një person të quajtur Altin nga Korça. Ata kishin bërë një shëtitje në qytetin e Korçës, nga ‘Shën Triadha’ dhe ishin kthyer në Pogradec, ku ai kishte shkuar përsëri në banesën e Kozetës dhe në derën e jashtme kishte gjetur disa qese me thika, lecka dhe kartopiceta dhe i kishte hedhur në kazanin e mbeturinave. Ai ka deklaruar se kishte prekur një ose dy thika dhe pa që ishin me gjak. Ai është rikthyer përsëri në pallatin ku kishte banesën Kozeta për shkak se kishte parë thikat me gjak dhe kishte merak, por nuk trokiti dhe nuk hyri në shtëpinë e saj, më pas doli përsëri nga pjesa e përparme e pallatit, ku banesa e Kozetës kishte dritaret, ku shfaqet edhe në pamjet filmike. I pyetur në lidhje me shtetasin Altin, ai e përshkruan atë si një burrë rreth 38-39 vjeç, i gjatë, pak topolak dhe me ngjyrë të bardhë, të cilin e kishte njohur prej një personi të quajtur Titi, që ishte djali i Xhelalit, që kishte qenë mësues dhe jetonte në lagjen e tij. Ai nuk e dinte mbiemrin e Altinit dhe ka pohuar se Titi kishte vdekur dy vjet më parë”, ka thënë mes të tjerash autori i dyshuar para hetuesve.
Sipas Prokurorisë, pak pasi Selmani kreun krimin, ai shkoi të fqinji i tij duke treguar se “e ndjente veten në rrezik”.
Kjo pasi sipas deklaratave të fqinjit, Selmani i kishte thënë se Kozeta kishte pasur një të dashur tjetër, ç’ka sipas tij, kishte shtuar frikën te ai.
“Ilirjani tha se kishte shkuar në Korçë tek disa kushërinj të tij dhe se ishte kthyer nga Korça. Deklaruesi e pyeti Ilirjani se si po i shkonin punët dhe ai i tha se i kishte punët shume keq, se e ndjente veten në rrezik, pasi kishte një të dashur e cila kishte gjetur një të dashur tjetër dhe se kishte hequr dorë nga ajo. Sipas deklaruesit, ai e kishte këshilluar Ilirjanin që të mos vazhdonte lidhjen me viktimën për shkak të diferencës së madhe të moshës së tyre. Ilirjani ka qëndruar në shtëpinë e deklaruesit rreth 3 minuta dhe më pas është larguar. Në dijeninë e deklaruesit, Ilirjani kishte rreth 7 vjet lidhje me viktimën”- ka deklaruar fqinji i tij, thuhet në dosjen hetimore.
Ndërkohë Ilirjan Selmani ka deklaruar para hetuesve se konsumonte ndonjëherë hashash, por nuk ishte konsumues i rregullt i lëndëve narkotie.
Ai ka shtuar se 52-vjeçarja ishte konsumuese e rregullt e alkoolit. Sipas Selmanit, ata ishin njohur në varreza, kur viktima po debatonte me dikë tjetër. Selmani tha se ai ndërhyri që t’i ndante dhe ajo e ftoi për kafe në banesën e saj. Kështu sipas tij kishte nisur lidhja 3 vjeçare mes tyre, për të cilën ai pretendon se ishte vetëm një lidhje shoqërore. Selmani pretendon po ashtu se nuk kishin kryer asnjëherë marrëdhënie intime me viktimën.
“Pasi shtetasi nën hetim Ilirjan Selmani dhe mbrojtësi i tij janë njohur me aktet e dosjes hetimore, është ripyetur shtetasi Ilirjan Selmani, i cili ka deklaruar se, u qëndron deklarimeve që kishte dhënë më 28.07.2025 dhe nuk kishte asgjë për të shtuar. I pyetur në vijim nga opgj dhe prokurorja, ai ka treguar se njihte shtetasen Kozeta Teco rreth tre vjet më parë, duke e njohur fillimisht tek varrezat e qytetit ku ajo debatonte me nënën e “Olldasheve”. Ai ka pohuar se kishte ndërhyrë për të mos lejuar që të konfliktohej dhe se më pas Kozeta e kishte ftuar për një kafe në shtëpinë e saj në Pogradec. Që prej asaj periudhe ata kishin vazhduar të takoheshin shpesh, Kozeta duke ardhur në shtëpinë e tij dhe duke pyetur shoqërinë e tij për vendndodhjen e tij. Ai ka theksuar se nuk kishte pasur marrëdhënie intime me Kozetën dhe e kishte konsideruar atë thjesht shoqe.
Ai ka deklaruar se kishte provuar ndonjëherë hashash, por nuk e konsumonte rregullisht, ndërsa sipas tij Kozeta konsumonte shumë alkool. Ai ka thënë gjithashtu se kishte fjetur ndonjëherë në shtëpinë e Kozetës. Ai ka sqaruar se Kozeta nuk përdorte telefon celular për komunikime normale, përveç një telefoni të vjetër që e përdorte për YouTube. Ai ka pohuar se Kozeta kishte Facebook dhe i dërgonte ftesa, të cilat ai nuk i pranonte. Gjatë periudhës trevjeçare të njohjes së tyre, ai ka komunikuar me Kozetën kryesisht përmes telefonit të shtëpisë së saj, pasi ai nuk kishte telefon personal. Ai ka përshkruar telefonin e Kozetës për YouTube si një celular të vjetër, me ngjyrë të zezë dhe portokalli, me kapakë të ndritshëm dhe e kishte njohur atë kur i ishte treguar në polici. Ai ka pohuar se e kishte përdorur atë telefon vetëm një herë për YouTube, pasi Kozeta nuk e linte të përdorej për ndonjë gjë tjetër. Kur ndodhej në Greqi, ai përdorte numra grekë të kompanisë Cosmote”, thuhet më tej në dosje.
Ndërkohë nga ana tjetër, Prokuroria pas ekspertimeve të kryera, ka rezultuar se në vrasjen e 52-vjeçares janë përdorur tre thika të ndryshme
Po ashtu bëhet e ditur se viktima është munduar nga autori, i cili e ka zgjatur agresionin për disa minuta, derisa ajo ka humbur jetën.
“Veç sa më sipër, mbajtur parasysh edhe faktin që janë përdorur tre thika të ndryshme për vrasjen e viktimës, që të treja nuk kanë rezultuar armë të ftohta, plagën kryesore që i është shkaktuar viktimës, që është realizuar me mundësinë më të madhe nëpërmjet futjes së tehut të thikës dhe më pas nxjerrjes saj me kend e duke lëvizur, mbajtur parasysh dëmtimet e tjera që i janë shkaktuar viktimës, si plagë të shkaktuara me thikë drejtpërdrejtë nga autori (shpjeguar më sipër), ashtu edhe plagët vetëmbrojtëse, provojnë faktin që viktima është munduar nga autori deri sa ka humbur përfundimisht jetën”, thuhet në dosje.
Po ashtu, sipas prokurorisë, autori i veprës penale pasi ka vrarë 52-vjeçaren, i ka vendosur zjarrin banesës së viktimës, në tre vatra, me qëllim humbjen e të gjitha gjurmëve.
Komente











