Janar-maj 2017, rriten 71%
investimet me afrimin e zgjedhjeve

Administrata fiskale vijon të ruajë trendin pozitiv të muajve të fundit, edhe pas ndryshimit në krye të ministrisë së Financave dhe ardhjes në postin e ministrit të përfaqësueses së pozitës politike.

Ende nuk kanë dalë të dhënat përfundimtare lidhur me realizimin e zërave të ndryshëm, që të mund të bëhet krahasimi me planifikimin e filllimvitit, megjithatë, krahasimi mund të bëhet me shifrat e realizimeve për të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave është 7.3 për qind, shpenzimet në total rriten mjaft: 16.4 për qind, çka ka kontribuar që të ulet shumë sufiçiti buxhetor i muajve të mëparshëm. Ndonëse bilanci mbetet gjithnjë pozitiv, ai pakësohet gati tri herë krahasuar me vitin 2016.
 
Të ardhurat
Me 176.3 miliardë lekë hyrje në arkën e shtetit, rritja është e ndjeshme si 5-mujor. Një vit më parë të ardhurat shënonin në fund të majit 164.3 miliardë lekë. Pra, të hyrat aktuale janë 7.3 për qind më të larta se vjet. Akcizat kanë kaluar nga 15.4 miliardë, në 16.8 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1 për qindësh, rritje kjo e ndjekur vetëm nga kontributet e sigurimeve shoqërore, që janë 30 miliardë lekë, nga 27.7 miliardë nje vit më parë, me një shifër rritjeje në masën 8.3 për qind.

Ndërkohë, një rritje shumë më të lartë kanë pësuar të ardhurat nga organet e pushtetit vendor, të cilat ishin 38.3 për qind më të larta nga një vit më parë, por kjo duket se është arritur si rezultat i aplikimit të taksave të reja, pasi biznesi i vogël, madje, shënon rënie në masën 56 për qind.

Një trend të mirë ka mbajtur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duke qenë se të ardhurat nga TVSH shënuan një rritje në nivel vjetor në masën 4.7 për qind. Po kaq ka qenë edhe rritja e të ardhurave nga tatim fitimi.

Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale të të punësuarve ka shënuar ulje në masën 3.7 për qind. Kjo është një tendencë e muajve të fundit, e cila, realisht, pritej të përmirësohej në muajin maj, me rritjen e pagave të administratës publike. Por duket që, nga ana tjetër, sektori privat, sikurse e ka theksuar këtë edhe INSTAT-i, rezulton që i ka ngrirë pagat e punonjësve dhe fondi i pagave të tij është shumë herë më i madh se ai i punonjësve shtetërorë dhe ndikon fuqishëm në shifrën negative që rezulton në fund në këtë zë të buxhetit.

Shpenzimet
Ndonëse është miratuar një ligj që ndalon përdorimin në rritje jonormale të fondeve të shtetit gjatë periudhës elektorale, sërisht qeveria dhe bashkitë duket që e kanë shpërfillur këtë. Në total shpenzimet rezultojnë në një rritje jo të vogël, prej 16.4 për qindësh, duke kaluar nga shifra 146 miliardë lekë vitin e kaluar (afro 1.1 miliardë euro), në periudhën nga janari deri në fund të majit të këtij viti shifra kalon në 170 miliardë lekë (afro 1.28 miliardë euro). Vitet e kaluara të mandatit të Ekzekutivit Rama shifrat e shpenzimeve rregullisht kanë qenë në ulje.

Par ajo që bën më shumë përshtypje është pikërisht se zëri, i cili lidhet direkt me fushatën, ai i investimeve shënon një rritje në masën 71.3 për qind, duke kaluar nga 12.9 miliardë lekë në vitin 2016, në nivelin e 22.1 miliardë lekëve këtë vit.
 
Bilancet
Këto shifra në total kanë bërë që, megjithatë, të ruhet suficiti buxhetor, i arritur kryesisht duke frenuar shpenzimet, por ky ka kaluar nga 18.3 miliardë lekë (afro 136 milionë euro) më 2016, në nivelin aktual të 6.3 miliardë lekëve (afro 48 milionë euro). Pra, një shifër 80.3 për qind më e ulët se një vit më parë.   
Në përgjithësi, konstatohet se përpjekjet për të stabilizuar parametrat makroekonomikë kanë qenë të efektshme, por fushata zgjedhore ka vënë dukshëm në lëvizje shpenzimet buxhetore.
 

Realizimi i zërave kryesorë të buxhetit të shtetit për periudhën janar-maj 2017, i krahasuar (në miliardë lekë) 
 
Zëri                                              Viti 2016                    Viti 2017                   Ndryshimi
      
Të ardhurat
 
Të ardhurat total                                 164.3                    176.3                      +7.3%
TVSH                                                51.4                      53.8                        +4.7%
Tatim Fitimi                                       14.6                       15.3                       +4.8%
Akcizat                                             15.4                       16.8                        +9.1%
Tatimi mbi të ardhurat personale          13.4                      12.9                         -3.7%
Pushteti vendor                                  6.8                        9.4                         38.3%
Biznesi i vogël                                    0.5                       0.2                            -56%
Sigurimet Shoqërore                             27.7                     30                         +8.3%
Sigurimet Shëndetësore                       4.6                       4.8                          +4.4%
 
Shpenzimet
 
Shpenzimet total                                146                       170                        +16.4%
Investime                                           12.9                      22.1                      +71.3%
 
Suficiti                                               18.3                        6.3                       -80.3%
   
Redaksia Online 
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Nga Polonia në Slloveni, Jurgen Çelhaka ndryshon ekip

Zyrtare/ Nga Polonia në Slloveni, Jurgen Çelhaka ndryshon ekip