Krahasuar me fundin e vitit 2016, rezulton që borxhi në fjalë të jetë rritur me ritme jo shumë shpejta, pasi më 31 dhjetor 2016 kjo shifër ishte në nivelin e 1 trilion e 67 miliardë lekëve. Kështu, rritja llogaritet në masën afërsisht 9.5 miliardë lekë. Por, gjithsesi, duke kaluar nga 7.89 miliardë euro në fund të 2016-ës, në 8.05 miliardë euro, kjo përbën një rritje të mëtejshme të borxheve, që rëndon mbi shpatullat e shtetit, i cili ka marrë përsipër të ulë borxhet që po e çonin drejt katastrofës deri në fund të vitit 2015, duke arritur në afro 74 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
PBB
Sa i përket raportit aktual me PBB-në, shifra del jo reale, pasi Prodhimi llogaritet mbi baza vjetore, ndërkohë që shifra e borxhit merret si nëntëmujor. Ministria e Ekonomisë dhe Financave jep shifrën e 1 trilion e 596 miliardë lekëve si një prognozë për vitin në vazhdim lidhur me vlerën që do të llogaritet Prodhimi i pritshëm i Brendshëm Bruto. Ndaj kësaj shifre, borxhi në 9-mujor arrin në raportin 67.4 për qind e saj. Por duhet patur parasysh se ende pritet rritje e borxhit publik për tre muajt e vitit që kanë mbetur, pra qeveria nuk mund të gëzohet se ka kaluar në një ulje drastike, nga 71.01 për qind e PBB-së, me të cilën llogaritej raporti i borxhit publik në fund të vitit të kaluar, në 67.4%.
Ecuria
Sipas raportit të Buxhetit Faktik 2016, në fund të vitit të kaluar niveli i Borxhit Publik vlerësohej në rënie me 1.7 për qind krahasuar me fundin e vitit 2015. Për herë të parë borxhi publik ka hyrë në një trajektore rënëse, në përputhje me objektivat makrofiskale për uljen e nivelit të tij deri në 60% në fund të vitit 2020. Në terma nominalë, gjithsesi, borxhi publik u rrit edhe vjet me 23.4 miliardë lekë, ose 175 milionë euro. Pra, me një ritëm prej 480 mijë eurosh mesatarisht në ditë.
Ky ritëm për ditët nga janari deri në fund të nëntorit 2017 është shumë më i reduktuar. Shifra del mesatarisht 264 mijë euro në ditë.
Interesat
Por shteti duhet gjithnjë të paguajë për borxhet e vjetra. Për vitin 2016 shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ranë me 2.4 miliardë lekë, gjithsesi për interesa u paguan 36.3 miliardë lekë, baras me 2.4% të PBB, ose 270 milionë euro. Është konstatuar një rënie jo e vogël e normave të interesit në tregun e brendshëm të letrave me vlerë të qeverisë gjatë vitit 2016. Kurse si principal borxhi është paguar gjatë vitit shuma prej 22 miliardë lekësh.
Ndërkohë, për nëntë muajt e vitit 2017, janë paguar 21.6 miliardë lekë për interesa dhe 18.8 miliardë lekë për principal borxhi
(Shifrat zyrtare të borxhit publik në fund të 9 mujorit 2017)
Redaksia online
D.T/Shqiptarja.com