Jancar, dashuri përvëluese në
kohën e luftës, romani 'Druri pa emër'

Jancar, dashuri përvëluese në<br />kohën e luftës, romani 'Druri pa emër'
Romani “Druri pa emër” i autorit slloven Drago Jancar, ndër më të suksesshmit e krijimtarisë së tij, vjen në gjuhën shqipe nga Nikollë Berishaj. Libri të veçantën e vetë si frymë e ka në faktin se ka ndërthurur kohët, fatet njerëzore, individualen dhe shoqëroren, dashurinë dhe zhurmën e krismave, ndërsa në kuptimin estetik, sepse ecën duke e zbuluar shkallëshkallshëm këtë magji tmerri, që për çudinë e lexuesit, ndriçohet nga dashuria, e cila shpërfill luftën dhe vdekjen.

Në këtë gërshetim të pazakontë, madje jo normal në logjikën formale, por tejet thelbësor në ligjësitë artistike, ka ecur në të gjithë hapësirën e tekstit, të pranëvënies së gjendjeve, gati-gati përjashtuese ndërmjet tyre, të etheve të luftës, me përpjekjet për të dëshmuar ekzistencën dhe forma më sipërore është të jetosh me dashurinë. Heroi kryesor, Janez Lipniku, po ashtu edhe personazhet e tjerë, vendosen në dy kohë:

- Në fëmijërinë e largët, kur ishte nxënës shkolle, në kohën e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, që shpesh herë i fanitet me pamjet e veta më të frikshme, por edhe me skenat joshëse të dashurisë, që më tepër vinte si një adhurim platonik për mësuesen e bukur, e cila e detyruar prej rrethanave dhe pushtuar prej dëshirash për ta jetuar jetën, bënte një jetë aktive.
- Në moshën e pjekurisë, kur tanimë ngjet një luftë tjetër, jo kaq e tmerrshme sa e para, pra në vitet ’91 të shekullit të kaluar, në mes kroatëve dhe serbëve, kur jeta bashkëshortore e arkivistit, për shkak të hijeve të xhelozisë, ka marrë tatëpjetën, që për çudi ia rizgjon ëndrrat e dikurshme.

Personazhi kryesor, epiqendra e romanit, ngërthen në vetvete të dy kohët, por edhe hapësirën në mes tyre, pra në libër kemi të skalitur luftën dhe paqen, por në hapësirat romanore rrëfen luftën, madje anën tragjikomike të saj, e po kaq qarkëzon edhe fatet e protagonistëve të tjerë. Jeta e gjatë, endur në mes dy luftërash, me një pauzë të gjatë, në paqe si arkivist, pra tashmë në gjurmim të kujtesës, i ka mësuar shumëçka, e megjithatë ajo sërish mbetet një mister, që duhet zbuluar çdo ditë.

Bota e mistershme, që ka ngjarë në zjarrin e luftës së parë, zbulohet në dy mënyra, përmes strukturës së jashtme, ku episodet ndahen me numra, si dhe asaj të brendshme, jeta dhe mbijetesa e njeriut në luftë dhe paqe. Episodet e kohës së luftës së fundme botërore, nisin me numrin 87-99, që ofrojnë një realitet fakti/historik, kurse ditët e sotme, nisen nga 1-86, që evidenton rrjedhën e një jetesë anormale, që brehet nga dyshimi dhe misteri, ndonëse e pakufizuar, e pa ndarë krijon situatën e dy përmasave kohore, duke bërë një përmbysje strukturore dhe kohore.

Bota romanore, unike në shpalimin e realitetit imagjinar/estetik, që vetëm sa merr shkas nga prania e luftërave, zbulohet me anë të narratives së gjithëdijes, e po kaq të thyerjeve dhe kapërthyerjeve të botës së trazuar të heroit, si dhe të përshkrimeve të detajuara të mjedisit, që grimcohen në kaq shumë episode, duke shënjuar kështu ngjyrat e prozës moderne. Ritmika e rrëfimit, kthimet e vazhdueshme prapa, në formën e digresioneve psikologjike, skicimi i personazheve, por sidomos përkujdesja ndaj fjalës, e bëjnë një libër që lexohet me endje.

Narrativja e gjithëdijes, ose ajo që Todorov e ka përcaktuar si poetikë e prozës, na mundëson të ndeshim në çdo hap arkivistin, figura të shumta ushtarakësh, civilë të lodhur nga jeta, gruan e tij, që ruan një të fshehtë të madhe, e mbi të gjitha mësuese Zallën, që fekset si ëndërr dhe yll bukurie, që ia ndez dëshirat mashkullore edhe arkivistit, njeriut që të jep përshtypjen se nuk ia trazon  ujërat. Të gjitha këto figura vijnë si të gjalla, më tepër përmes ëndrrës dhe një ditari të fshehur, të dashnorit të madh, që megjithatë sjellë kohën, mbi të gjitha shënjon dëshirën e madhe të qenies për ta sfiduar luftën, marrëzinë e luftënxitësve.

Ironi dhe sarkazëm e pashoqe, një Don Zhuan i kohëve moderne, i kohës së luftës, që tallet dhe përqesh marrëzinë e luftës, që shijon jetën me vrull dhe adhurim, si të ishte dita e fundit. E pabesueshmja, ose paragjykimi i qenies, një pavetëdije e fshehur në moralizmin hipokrit, se në kohën e luftës, njeriu ngrin, nuk ka forcë për të jetuar, e dashuria fiket në të gjitha dimensionet. Pikërisht në kohën e territ, në kohën e luftës së frikshme, si një ndjesi e zakontë, e madhe që prushit terrin e frikës, që nuk ka forcë ta ndali, madje as lufta dhe armët e vdekjes, shpërthen dashuria, në pamjen e vetë të një shfrenimi seksual, si një sfidë ndaj luftës dhe tmerreve të saj.

Libri “Druri pa emër”, në pamje të jashtme të duket si një roman për luftën, pra si kontur jete, ose si roman tipik dashuror, varësisht listës së gjatë të femrave që ka bërë për vete, ushtaraku i hershëm Alkseij. Në thelbin e vetë, në shumëngjyrësinë që përçon, në fakt është një roman ekzistencial i qenies njerëzore, një klithmë për jetën edhe në zjarrin e luftës, që na vjen si makth i kohëve moderne. Ndërkaq, bota enigmatike e shpirtit, misteri i kujtesës, që na ndjek në të gjitha ditët e jetës dhe të matanë jetës, zbulohet nga këmbëngulja e arkivistit, që për hir të së vërtetës pranon të humbas gjithçka, monotoninë e një jetë të qetë bashkëshortore, me kusht që të ruaj të paprekur ëndrrën e fëmijërisë kur i zgjohet ndjenja e zjarrtë e dashurisë…

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com (print) dt 7 Maj 2015

Redaksia Online
d.b/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni