TIRANË- Ervin Salianji, i rreshtuar tashmë hapur kundër Sali Berishës dhe lidershipit të PD, nuk i fsheh kritikat as për protestën e fundit që degjeneroi në goditjen me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës, duke rrezikuar jetën e artistëve. Në një intervistë për Report Tv, ish-deputeti Salianji thotë se kupola drejtuese e Partisë Demokratike nuk e ka një strategji të qartë se si do ta rrëzojë Edi Ramën dhe se si do të vijë në pushtet. Protestën me marshim në gjithë qendrën e Tiranës, Salianji e quajti një “ecje të darkës”, duke theksuar se ishte një shpërdorim i sakrificës së mijëra demokratëve.
Në intervistën për emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, Salianji thotë se kjo lloj proteste me marshim u përdor nga PD për të kamufluar numrat, pasi militantët që i bashkohen në protesta sa vijnë e tkurren. Ai thotë se protesta duhej të ishte përqendruar te Kryeministria, apo te Ministria e Brendshme dhe te ajo e infrastrukturës, por xhiroja nëpër rrugët e Tiranës, për Ervin Salianjin tregon qartë që lidershipi i PD ka një paqartësi strategjike.
“E kisha bërë ecjen paradite, kjo ishte ecja e darkës. Nuk e kuptova qëllimin, kuptova që nuk kishte strategji. Ishte ecje pasditesh, ishte shpërdorim i sakrificës së mijëra demokratëve që vijnë nga çdo cep për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre në raport me keqqeverisjen, ndërkohë lidershipi i PD e përdori për të bërë ecje. Nuk i sjell gjë të keq shoqërisë, por as efektet e duhura për qytetarët për të bërë presionin e duhur dhe për të larguar Edi Ramën. Lidershipi i PD duke parë që ka arrit prishtmëritë në çdo protestë, duke thënë që çdo rrëzohet këtë javë, ka një lloj demotovimi nga qytetarët, ecja ishte një lloj kamuflimi i numrave. Mund të ishte kjo strategjia. Nëse do protestohej tek qendra e të keqes është kryeministria, nëse do kishte një institucion tjetër është ministria e Brendshme apo infrastruktura, për të cilën nisën protestat dhe për të cilën Rama po bën lloj mbrojtje politike. Lidershipi i PD ka një paqartësi strategjike”, tha Salianji.
Pavarësisht kritikave, Salianji thotë se bashkë me mbështetësit e tij do i bashkohet çdo proteste, pasi është pjesë e PD, ndonëse marshimin e quan një “xhiro nga blloku, meqë ishte e shtunë dhe kishte njerëz”.
“Unë shkoj në çdo protestë për të treguar që unë jam aty që edhe njerëzit që më mbështesin në këtë lëvizje janë në protestë. Na thoni çfarë duhet të bëjmë. Dalim një xhiro këtej, dalim këtej. Nga blloku s’kemi dalë se është e shtunë ka njerëz, i fusim dhe një xhiro nga blloku. Po mos të shkoj do thonë nuk erdhi”, thekson Salianji.
Salianji i kujton lidershipit të PD humbjen e thellë në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa ironizon duke thënë se janë të lodhur nga fitorja dhe po luftojnë për të mbajtur karriget.
“PD ka arritur të ketë një rezultat katastrofik në zgjedhjet e 11 majit, të pandodhur më parë. Mbase mund të jenë lodhur nga fitorja dhe të bëjnë hajde sikur të mbajnë pjesën e partisë. Unë di të shoh këtë, që thanë me Ramën nuk ulemi në tryeza, tani i ke nëpër tryeza, janë nëpër tryeza me Ramën”, tha Salianji.
Ish-deputeti thotë se kupola e PD-së duhet të mbajë përgjegjësi edhe për molotovët e hedhura në protestë. Sipas tij demokratët kanë marrë përsipër edhe riskun që të përballen me ligjin, ndërsa vetë drejtuesit e PD hiqen sikur molotovët nuk hidhet me orientim nga ata.
“Ndërkohë që qytetarët sakrifikojnë duke hedhur molotovë, kanë marrë përsipër një risk për tu përballur me ligjin kur e hedhin atë. Dy ditë pas protestës, Kuvendi ishte qetësi e madhe aty. Duhet që qytetarët ta ndjenë që reagimi të jetë real, nuk mund të jetë dhe nuk duhet të lihet të kuptohet që protesta po bëhen për shkak të mbajtjes së partisë. Do të doja të mos ishte kështu, që Rama të rrëzohet duke qenë se Rama është kilometri i fundit, por mënyra e reagimit, mënyra e funksionimit pa strategji, pa ide, pa thënë se si do bëhet, pa krijuar mbështetje masive. Kur protesta ka një qëllim të shpallur që do rrëzohet Rama, u bënë shumë javë, u bënë vite. Nuk duhen rritur pritshmëritë, se zhgënjehet dhe demotivohen demokratët që kanë 13 vite që janë në opozitë”, thekson Salianji.
Ish-deputeti i përgjigjet edhe deklaratave të Sali Berishës për vetëpërjashtimin, duke thënë se askish nuk mund ta largojë nga partia për shkak të mendimit të tij ndryshe. “Unë do jem në politikë dhe në PD gjithë kohën”, thotë Salianji, duke shtuar se qëllimi i vetëm i lëvizjes së tij është që ta bëjë partine fituese.
Ervin Salianji refuzon t’i përgjigjet pyetjes nëse do të garonte përballë Sali Berishës për drejtimin e PD. I ftuar në Report Tv, Salianji i përgjigjet me ironi pyetjes se çfarë do të bëjë pas prillit, kur Berisha do të fitojë sërish në krye të partisë, duke thënë se nuk do të ketë garë, pasi kryeministri Edi Rama do të bie duke qenë se PD është në kilometrin e fundit për rrëzimin e tij.
“Nuk është çështje gare, po e bëj betejën për ta bërë PD fituese. Thelbi është ta bëjmë PD fituese. Cili është interesi? Që të rrijë Rama? Të vijë PD në pushtet, nuk ka një garë në këtë moment. Në këtë moment unë jam në këtë lëvizje. Kjo është faza që unë po takoj demokratët.
Ne jemi në kilometrin e fundit, unë pres të bie Rama. Si mund të flas unë për prillin. Ka një muaj që është kilometri i fundit. Nuk ka për të pasur garë se bie Rama. Mund të jenë metrat e fundit, se u bë një muaj. Unë do jem në politikë dhe në PD gjithë kohën”, tha Salianji në Report Tv.
Ervin Salianji thotë se i vetmi interes i lëvizjes që ai ka nisur, është që PD të jetë fituese. Në një intervistë për Report Tv, Salianji thotë se për shkak të lëvizjes së tij, PD nisi analizën dhe doli në terren.
Salianji shpreh kritika duke thënë se në PD nuk vlerësohet kontributi i demokratëve dhe se i kanë alergji fituesit. Madje me ironi, Salianji shton se 5 deputetët që fituan nga lista e hapur, partia i ka fshehur.
“PD nuk vlerëson kontributin e demokratëve. Vjen momenti i fundit, promovohen disa njerëz që nuk i njeh askush, nuk ka meritokraci, te lista e deputetëve, funksionet partiake. Si promovohet karriera? Duke kontribuar jo, duke fituar jo? Po fitove i kanë alergji. Kush ka dalë nga lista e hapur, rrallë i sheh nëpër media. Këta që kanë dalë nga vota e qytetareve, 5 janë, partia i ka fshehur. Kanë alergji me fituesin. Nëse bëhen shumë fitues pastaj të thonë hap krahun. Promovimi, përzgjedhja e njerëzve, alternativa, përballja, thënia e të vërtetave deri në fund, nuk mund të themi për disa, për disa të tjerë bëjmë sikur nuk i themi, nuk mund të bëhet opozitë selektive.
Një pjesë të qëndrimeve që ne kemi mbajtur i kemi realizuar. Nisi analiza, nisën të dalin në terren. Nuk janë arritur disa elementë të tjerë, meritokracia, narrativa, gjitha politike, alternativa, propozimet konkrete për gjithçka që përbën interes publik. Nuk ka qëndrim të qartë si do rrëzohet Rama? Demokratët mendojnë si unë. Lidershipi i partisë ka zgjedhur kolltukun.
I vetmi interes është që PD të jetë fituese. Këto idetë nuk i kundërshton askush, po si ti mbulojmë?”, tha Salianji.
Ervin Salianji i është përgjigjur nga studio e Report Tv deklaratave të Sali Berishës, se ai është i vetëpërjahstuar pasi shkeli vijat e kuqe të partisë. Ish-deputeti demokrat thotë se partia nuk është pronë publike dhe nuk e përjashton dot njeri për shkak të mendimit.
Salianji thekson se në takimet me demokratët janë thënë të vërtetat dhe problemet me të cilat përballet PD, duke shtuar madje se sallat u mbush me shumë se vetë kreu i PD.
“Partia nuk është pronë publike, PD nuk përjashton dot njeri për shkak të mendimit. Ti përgjigjet kushdo problematikave që unë kam ngritur dhe ti kthejnë përgjigje demokratëve. E ka të pamundur PD të rrëzojë një qeveri të zhytur në korrupsion. Unë kam thënë të vërtetat, kam mbushur sallat më shumë se kreu i partisë. Njerëzit ose të ndjekin, ose të ndjekin, nuk është të të quajnë sallat të paligjshme. Edhe ne Ramën të paligjshëm e quajmë, koka e krimit, por ai qeveris. Të kthejnë përgjigje, ekzistojnë apo jo problematikat. Ndodhi molotovi te qendra e artit, kërkoi ndjesë, gabuam aty, po gabuat gjithë kohën na latë në opozitë. Mos gaboni, dëgjoni të tjerë që dinë ta bëjnë, ose hapni krahun dhe ta bëjnë të tjerë që dinë ta bëjnë me mirë”, tha Salianji.
Komente











Te drejte ke o salianj per aq kohe sa opozita perdoret nga belo dhe mul per interesa personale, ky eshre nje turp. Duhet pastruar gjithe elementet e pd dhe zevendesuar me njerez dhe figura te reja, te pa konsumuara politikisht, profesor, intelektuale, profesionist, emigrant te denje.
Përgjigju