PRISHTINË, 12 Dhjetor/ATSH/.- Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo, u takua me Ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë Janko Veber, në Kampin "Film City" (Kosova Film), Shtabin e përgjithshëm të NATO KFOR-it, në Prishtinë.
Sipas KosovaPress, në këtë takim i pranishëm ishte edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Sllovenisë, gjeneral Andrej Osterman dhe një delegacion i përbërë nga dy deputetë sllovenë.
Kjo është vizita e parë zyrtare në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë.
Gjatë vizitës ata diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe për kontributin e Kontingjentit slloven dhënë KFOR-it. Komandanti i KFOR-it dhe Veber ranë dakord për rëndësinë e rolit të KFOR-it në mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, si reagues i tretë, për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes, duke mundësuar kështu zhvillimin e kushteve më të mira shoqëroro-ekonomike.
Ministri i Mbrojtjes siguroi se Sllovenia do të mbetet e angazhuar në KFOR derisa kjo të jetë e nevojshme. Sllovenia, me praninë e saj në KFOR dëshiron të kontribuojë në sigurinë kolektive dhe në angazhimet ndërkombëtare. Ai tha se është shumë e rëndësishme që paqja dhe stabiliteti i rajonit të ruhen.
Aktualisht në mbarë Kosovën kanë zbarkuar rreth 310 ushtarë sllovenë.
Kontributi i Sllovenisë filloi në vitin 2000 dhe tani ajo siguron një prej kontigjentëve më të mëdha në Kosovë. Ushtarët sllovenë kryesisht janë të vendosur në Pejë, si pjesë e Grupit Shumëkombësh Luftues - Perëndim, ndërsa pjesa tjetër e tyre janë pjesë e Detashmenteve të Përbashkëta Rajonale - Qendër dhe Veri dhe pjesë e njësiteve të helikopterëve, si dhe pjesë e Personelit në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Kampin "Film City"./m.m/








