Ndërsa shpresat e Kosovës për të pasur në gjirin e tyre në ndeshjen miqësore me Haitin, Januzajn janë shuar plotësisht pas deklaratës nga babai i futbollistit, Abedini që ka konfirmuar se futbollisti nuk ka pranuar ftesën.

"Do të doja që Adnani të luaj për Kosovën, por çështja është delikate sepse Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-s. Adnani nuk do të luaj në miqësoren e 5 marsit, por ndoshta po në të ardhmen" ka thënë Abedin Januzaj.

Shqiptari që kushton 50 milionë euro
Pas Deaxler, Kolasinac, Mayer dhe Goretza, Schalke ka rrëmbyer edhe Donis Avdijajn. Shqiptari me pasaportë gjermane luan për ekipin U-17 të kombëtares gjermane, ku ka shënuar 44 gola në 25 ndeshje. Avdijaj është sulmues me aftësi të jashtëzakonshme teknike.

Avdijaj ka zgjatur kontratën me Schalke 04 deri në vitin 2018 me një klauzolë rekord prej 50 milionë euro.  “Kam parë pak lojtar të fortë si Avdijaj. Ai është i mirë jo vetëm me këmbë por edhe me kokë. Është një lojtar i plotësuar dhe nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e ekipit të parë.

Është sulmues me kualitet të jashtëzakonshëm”, thotë menaxheri i përgjithshëm tek Schalke 04, Horst Heldt.

Shaqiri letër falenderimi Kosovës
Pas dekoratës nga Presidentja, Atifete Jahjaga me të cilën u shpall ‘Ambasador nderi’ mesfushori kosovar që luan me Zvicrën, Shaqiri e ka falenderuar duke i kthyer një përgjigje përmes një letre. Mesfushori përmes letrës ka kërkuar që të bëhet më shumë për sportin në Kosovës. 

Letra e Shaqirit
Shkëlqesia juaj zonja Presidente,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Kosova si vend relativisht i vogël dhe shtet i ri, është me fat që nga gjiri i sajë po nxjerrë talentë të rrallë në shumë sporte me të cilët krenohet jo vetëm vendi dhe kombi ynë por edhe sportedashesit anë e kënd globit tone.

Ata, tashmë po mahnitin botën me sukseset dhe talentin e tyre, duke u shndërruar kështu në idhuj jo vetëm në vendet ku e zhvillojnë karrierën e tyre sportive por edhe përtej tyre.

Të tillë kemi sot jashtëzakonisht shumë nëpër botë si në sportet individuale po ashtu edhe në ato ekipore, të cilët me punën, përkushtimin dhe talentin e tyre po e nderojnë dhe afirmojnë si askush tjetër vendin tonë në arenën ndërkombëtare.

Jam i lumtur që edhe unë jam një pjesë e vogël e asaj armate të madhe të sporistëve tanë meritorë nëpër botë dhe kjo mirënjohje iu dedikohet të gjithë atyre vajzave dhe djemve shqiptarë anembanë botës të cilët, me vullnet dhe përkushtim, përmes sportit arrijnë që t’i afirmojnë potencialin dhe vlerat tona më të çmuara!

Prandaj, me rastin e pranimit të kësaj dekorate nga institucioni me i larte i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që në emër të të dekoruareve dhe në emër të të gjithë sportistëve shqiptarë kudo që ndodhën ata ta falënderojmë nga zemra Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe përmes saj edhe mbarë popullin dhe institucionet e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme për neve dhe kolegët e mi gjithandej…!

Urojmë që Institucionet relevante në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë të bëjnë më shumë për sportin dhe sportistët në mënyrë që talentët e lindur sportivë ta gjejnë edhe rrugën e suksesit…!

“FALEMINDERIT, FALEMINDERIT, FALEMINDERIT, ”

Thank You! Danke! Grand Mercie! Grazie!

Me respekt

Xherdan Shaqiri