Një valë e re e fortë të nxehti po afrohet drejt Ballkanit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se ditët në vijim do të jenë më të nxehtat e kësaj vere në rajon. Shkak është fenomeni i njohur si "Heat Dome" ose "kupola e të nxehtit", një sistem i fuqishëm presioni të lartë që ka bllokuar mbi Europë një masë shumë të nxehtë dhe të thatë ajri të ardhur nga Afrika e Veriut.
Sot, temperaturat më të larta priten në Gjermani, Austri, Çeki dhe Hungari. Megjithatë, nga e mërkura qendra e valës së të nxehtit do të zhvendoset drejt Ballkanit, ndërsa kulmi pritet të jetë të enjten. Zonat më të prekura do të jenë Hungaria, Kroacia lindore, Serbia veriore dhe perëndimi i Rumanisë, ku temperaturat do të arrijnë nga 40 deri në 43 gradë Celsius. Edhe Italia Veriore do të përballet me temperatura të ngjashme.
Sipas analizës meteorologjike, fenomeni i "Heat Dome" krijohet kur një zonë shumë e fuqishme me presion të lartë qëndron për ditë ose javë mbi të njëjtën zonë. Ajri i nxehtë mbetet i bllokuar poshtë saj, ngjeshet drejt sipërfaqes dhe ngrohet edhe më shumë, duke bërë që temperaturat të rriten vazhdimisht. Për këtë arsye, valë të tilla zgjasin më shumë se episodet e zakonshme të vapës dhe shoqërohen me temperatura shumë më të larta.
Përveç vapës gjatë ditës, meteorologët paralajmërojnë edhe për net tropikale. Në shumë qytete temperaturat minimale nuk do të zbresin nën 22-26 gradë Celsius, ndërsa në disa zona do të mbeten edhe mbi 24 gradë gjatë gjithë natës. Mungesa e freskisë gjatë natës rrit ndjeshëm stresin për organizmin, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit do të zhvendoset gradualisht drejt lindjes. Të premten temperaturat më të larta pritet të regjistrohen në Bullgari, Greqi, Ukrainë dhe në pjesën perëndimore të Rusisë, ndërsa mbi Europën Perëndimore pritet një freskim i përkohshëm falë depërtimit të ajrit më të freskët nga Atlantiku.
Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave shumë të larta, mungesës së reshjeve dhe erërave të thata do të përshpejtojë tharjen e tokës dhe do të rrisë ndjeshëm rrezikun për zjarre në pyje në Europën Jugore dhe Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht, nxehtësia ekstreme pritet të rrisë konsumin e energjisë elektrike, për shkak të përdorimit më të madh të pajisjeve të ftohjes.
Sipas meteorologëve, moti i nxehtë mund të mos mbarojë me këtë valë. Modelet afatmesme tregojnë se javën e ardhshme mund të krijohet një tjetër "kupolë e të nxehtit" mbi Europën Perëndimore, e cila do të sjellë temperatura shumë të larta në Portugali, Spanjë, Francë dhe më pas drejt Alpeve. Ndërkohë, situata mbi Ballkan pritet të ndryshojë gradualisht vetëm në fundjavën e ardhshme.
-
Edhe Inati, s'ka te sosur...??! " Heat Dome" eshte, vala afrikane e te nxehtit, qe nuk eshte e vecante.Per vite me readhe, gjate veres, fenomeni ka ndodhur, por kohezgjatja nuk eshte me shume se 1 jave. Por kohet e fundit po zgjat pak si shume.. Keshillohet nje diete hidratuese dmth sa me pak yndyrna te ngopura, ushqime te thata me kripe, ushqime te gatuara ne fast food etj. Dhe sa me shume uje dhe fruta. Ne menyre qe te evitoni dehidratimin e organizmit, me pasoja te renda ne sistemin kardiovaskular dhe traktin urinar...
Përgjigju










Komente
Komento