Një homazh për 200-vjetorin e lindjes së Johann Strauss-it (biri) ka qenë koncerti i mbrëmjes së të martës në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë nga Ansambli Simfonik “Johann Strauss” i Vjenës.

“Ne jemi Ansambli 'Johan Strauss'. Është kënaqësi e madhe të hapim Javën Kulturore Austriake këtu në Shqipëri me këtë koncert. Ky është i pari nga pesë koncertet. Sonte ju ftojmë të bashkoheni me ne në një udhëtim të gëzueshëm përmes elegancës së shpirtit venecian. Do të udhëtojmë përsëri në ditët e arta të traditave me Ysef Lana, Ysef Straos dhe sigurisht vetë mbretin e botëve, Johan Strauss.”, u shprehën artistët.

Ansambli “Johann Strauss” është themeluar në vitin 1965 dhe ka mbi 1,150 koncerte ndërkombëtare. Programi muzikor në koncert erdhi i konceptuar si një rrëfim që zbulon rrënjët dhe anën më melankolike të krijimtarisë së Strauss-it, përmes pjesëve, si: “Wo die Zitronen blühn” dhe “Dorfschwalben aus Österreich” nga Josef Strauss, ndërsa në pjesën e dytë, koncerti u mbyll me festë e gjallëri nga pjesë të dashura, si: “Tritsch-Tratsch-Polka” deri tek “An der schönen blauen Donau”.

Johann Strauss i Ri lindi më 25 tetor 1825 në Vjenë, Austri, dhe vdiq më 3 qershor 1899. Ai është një nga figurat më të njohura të muzikës austriake dhe botërore, i njohur sidomos për kompozimin e valseve, polkave dhe operetave që e bëjnë atë një ndër emrat më të dashur të muzikës klasike të shekullit XIX. Johann Strauss i Ri kompozoi mbi 500 vepra, përfshirë valse të famshëm, si: “An der schönen blauen Donau (Në Danubin e bukur blu, 1867)”, “Këngët e Danubit”, “Kiss me quick”, “Polka, marshe dhe galopa”. Ai po ashtu kompozoi opereta, si “Die Fledermaus” 1874, “Eine Nacht in Venedig” 1883, “Der Zigeunerbaron” 1885.

Koncerti i djeshëm erdhi në kuadër të Javës Kulturore Austriake, ndërsa do të pasohet sonte dhe nesër nga koncerti “Strauss takon Jazz-in” me kuintetin e Clara Montocchio-s me dy koncerte, në Tiranë dhe në Shkodër.