Nga data 28 deri më 31 tetor do të mbahet në Shqipëri Java Kulturore Austriake, një mundësi e jashtëzakonshme për të shijuar kulturën dhe artin austriak. Gjatë kësaj jave, Tiranë dhe Shkodra do të bëhet qendër e ngjarjeve që bashkojnë muzikën klasike, letërsinë, arkitekturën, dhe dialogun mbi Europën, duke sjellë përvojat më të mira të kulturës austriake.
Në 28 tetor, festivitetet të cilat mbështeten nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, fillojnë me prezantimin e librit “Kioske – Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar”, i cili analizon këto struktura jo vetëm si fenomene arkitekturore, por edhe si pasqyrë e kalimit të vendit nga izolimi në një ekonomi tregu të pakontrolluar, duke bashkuar perspektiva mbi arkitekturën, shoqërinë dhe ekologjinë. Gjatë prezantimit të librit, redaktori dhe fotografi Robert Pichler do të diskutojë projektin së bashku me autorët Saimir Kristo, Mamica Burda dhe Dhimitër Doka.
Pas kësaj, ansambli simfonik “Johann Strauss” i Vjenës do të mbajë një koncert për të nderuar 200-vjetorin e lindjes së Johann Strauss-it. Ky koncert do të rikrijojë atmosferën origjinale të orkestrës së Strauss-it nga viti 1844, duke sjellë për publikun një përzgjedhje të kryeveprave të dinastisë Strauss dhe valsit vjenez.
Në 29 tetor, një panel diskutimi i dedikuar 30-vjetorit të anëtarësimit të Austrisë, Suedisë dhe Finlandës në Bashkimin Europian do të ofrojë një mundësi për të reflektuar mbi përvojën e këtyre vendeve në Bashkimin Europian dhe rolin e Austrisë në zhvillimin e politikave të BE-së. Aktivitetet vazhdojnë me një koncert të veçantë të Clara Montocchio Quintet, ku muzika klasike e Strauss-it do të ndërthuret me elemente të jazz-it dhe pop-it, një eksperiencë inovative që do të sjellë freski në veprat e njohura të kompozitorit austriak. Një ditë më pas, ky aktivitet do të zhvillohet në Shkodër.
Më 30 tetor, shkrimtarja austriake Theresia Töglhofer do të marrë pjesë në një takim letrar në Tiranë, ku do të ndajë përvojën e saj të krijimtarisë dhe përkthimit letrar. Gjatë qëndrimit të saj në rezidencën letrare “POETEKA – Tirana In Between”, ajo do të punojë mbi romanin e saj të fundit dhe do të angazhohet në aktivitete kulturore dhe letrare.
Java Kulturore Austriake përfundon më 31 tetor me koncertin “Turning Point” të No Borders Orchestra, ansambli i muzikantëve profesionistë nga rajoni i ish-Jugosllavisë, që do të performojë për herë të parë në Tiranë. Ky koncert sjell një mesazh të fortë për reflektim dhe veprim në lidhje me sfidat globale si luftërat, ndryshimet klimatike dhe pabarazitë, duke ndërthurur veprat e kompozitorëve të njohur si Schoenberg, Strauss dhe Mahler.
Të gjitha aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Javës Kulturore Austriake, janë të hapura për publikun dhe ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të eksploruar kulturën austriake në një kontekst modern dhe ndërkombëtar.
Komente








