Për herë të parë, Republika e Kazakistanit organizon Javën Kulturore në Shqipëri, e cila do të zhvillohet nga 19 deri më 21 tetor 2025. Sipari i aktiviteteve hapet më më 19 tetor, në orën 19:00, në sheshin “Italia” në Tiranë, me një koncert madhështor ku do të performojnë Ansambli “Turan” dhe këngëtari i famshëm Adam.
Ky koncert hapës pritet të sjellë një mbrëmje spektakolare që ndërthur tingujt autentikë të stepave të Azisë Qendrore me ritmet bashkëkohore të muzikës moderne kazake. Ansambli “Turan”, të njohur si ambasadorë ndërkombëtarë të kulturës turkic, kanë performuar në më shumë se 120 qytete në mbarë botën, përfshirë skena prestigjioze si Carnegie Hall në Nju Jork dhe Kennedy Center në Uashington.
Ata sjellin në Tiranë fuqinë e muzikës tradicionale kazake përmes instrumenteve origjinale dhe interpretimit të tyre energjik. Ndërkohë, artisti Adam, një nga yjet më të njohur të muzikës kazake, do të elektrizojë publikun me performancat e tij moderne dhe me hitet që kanë arritur miliona dëgjues në mbarë botën, përfshirë këngën “Zhurek”, e cila ka mbledhur mbi tre miliardë shikime në YouTube dhe TikTok. Hyrja për publikun është e lirë, duke e bërë këtë mbrëmje të hapur për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës.
Në vijim të programit, më 20 dhe 21 tetor, në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë, do të zhvillohen Ditët e Kinemasë Kazake, ku do të shfaqen tre filma të përzgjedhur nga shtëpia filmike Kazakhfilm. Këto vepra kinematografike pasqyrojnë historinë, emocionin dhe shpirtin e Kazakistanit përmes zhanreve të ndryshme – nga drama historike te biografitë artistike dhe filmat aksion. Filmat që do të shfaqen janë: “Myn Bala: Warriors of the Steppe” i regjisorit Akan Satayev, një dramë epike që tregon historinë e betejave për liri dhe guximin e popullit kazak; “Operation Nabat” i Rashid Suleimenov, një thriller modern plot tension dhe energji; dhe “Amre” i Jeffrey Vespa, një dramë biografike që ndjek jetën dhe karrierën e këngëtarit legjendar Amre Kashaubayev.
Java Kulturore e Kazakistanit në Shqipëri e cila mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, sjell kështu një përvojë të pasur artistike, që bashkon muzikën tradicionale, artin bashkëkohor dhe kinemanë moderne të Kazakistanit, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi kulturor ndërmjet dy vendeve. Me hyrje të lirë dhe një program të larmishëm, kjo javë premton të jetë një festë e vërtetë e kulturës dhe miqësisë mes popujve shqiptar dhe kazak.
Komente








