50-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Meksikës është shenjuar përmes një skulpture të krijuar me këtë rast. Vepra e artit u inaugurua në kuadër të Javës Kulturore Meksikane.
Alebrije - “Fëmija Monarka” titullohet skulptura e inauguruar në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, me rastin e 50-vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Meksikës. Vepra konsiston në krijimin e një skulpture që përfaqëson një dhi shqiptare dhe një flutur shtegtuese monarke. Vepra ka për qëllim të simbolizojë miqësinë mes dy vendeve përmes dy elementëve të faunës së tyre. Dekori i saj është realizuar me ngjyra akrilike dhe përfaqëson disa motive nga traditat e të dy vendeve, si elemente të artizanatit e xhubletës shqiptare, sipas interpretimit të artistit Ricardo Macías dhe qëndisja Otomi meksikane.
“Meksika është një shtet i ri që i është bashkuar Javës Kulturore dhe jemi të lumtur që e kemi. Me Meksikën na bashkon trashëgimia e pasur kulturore por edhe çështja e emigracionit”, është shprehur Irena Prici, drejtore e politikave të zhvillimit të kulturës.
“Mënyra më e mirë për të afruar dy popuj është aspekti kulturor, që jemi shumë të lumtur që po e sjellim dhe e celebrojmë në këtë javë. Inagurimi i skulpturës Alebrije- 'Fëmija Monarka' është bërë në kuadër të Javës Kulturore Meksikane”, tha Hektor Alcantara, Atashe kulturor i Meksikës.