Ekziston një “fantazmë” që endet në Observatorin e Marinës, rezidenca e zv/presidentit të Shteteve të Bashkuara: fantazma e Mike Pence. Duhej të ishte ai sot në atë rezidencë të shekullit XIX, e rrethuar nga një park i gjelbër: ai ishte zëvendësi i Trump gjatë mandatit të parë, por bëri gabimin e madh, në retrospektivë, që ndonjëherë të përpiqej të distancohej nga Trump.

Pence, shumë fetar, ishte zgjedhur si garant për elektoratin ungjillor: ai i dha besueshmëri kandidatit laik, ndërtues pasurish të paluajtshme, yll i reality shoë-ve dhe organizator konkursesh bukurie, me tri gra, nga të cilat e fundit kishte pozuar nudo për një revistë. Edhe nëse më 6 janar 2021 nuk do t’i ishte kundërvënë përpjekjes së Trump për të futur në kaos certifikimin ligjor të votës që zgjodhi Joe Biden dhe Kamala Harris, Pence tashmë ishte vetëpërjashtuar politikisht.

“Faktori Pence”

“Faktori Pence” duket se është shumë i pranishëm në llogaritjet e JD Vance, kur ai këmbënguli se Papa duhet “të jetë shumë, shumë i kujdesshëm kur flet për teologjinë”, sepse ishte lufta ajo që “çliroi kampet e përqendrimit të Holokaustit”. Lëvizja tipike Trump për të sulmuar Papa Leone XIV (dje ai publikoi në Truth një tjetër imazh të gjeneruar nga AI, ku Jezusi e përqafon me një flamur të madh amerikan në sfond, me mbishkrimin “…ndoshta Zoti po luan kartën e tij të fshehtë”, një lojë fjalësh me shprehjen “karta Trump”) i ka kushtuar Partisë Republikane shumë mbështetje mes katolikëve, të cilët tradicionalisht votonin demokratët (kulmi me Kennedy: 80% në 1960), por që nga Nixon në 1972 janë zhvendosur djathtas (mes katolikëve, Trump në 2024 e kaloi Harris me 15 pikë, falë komunitetit latin që tani po e braktisin).

Duke shmangur “kurthin Pence”, Vance i jep një sinjal jo katolikëve, por pjesës tjetër të elektoratit republikan. Në prag të primareve të vitit 2028, ai është favoriti, por pas tij është Marco Rubio, sekretari i Shtetit katolik që ka heshtur për Papën, “besnikëria absolute” është valuta më e çmuar në portofolin e Vance. Ai vë bast se baza do ta falë për mohimin e Papës, sepse nuk do ta falte kurrë për mohimin e Trump.

Vlera e parasë

Ai vazhdon punën për të ripërcaktuar vetë idenë e katolicizmit në të djathtën amerikane: u konvertua në moshën 35-vjeçare dhe sjell me vete një ide ndryshe, më të afërt me protestantizmin, ligj dhe rend, mbështetje për luftërat nëse janë “të drejta” dhe suksesi ekonomik si shenjë e mirësisë hyjnore.

Para se t’i hynte politikës, Vance punonte për Peter Thiel në Mithril Capital dhe përvetësoi kulturën e botës tekno-financiare, ku paraja nuk është “plehu i djallit” sipas vizionit françeskan, por kapitali që shërben për të riformuar botën. Ai synon të tërheqë katolikët nacionalistë duke vënë bast se demokratët do të nxjerrin kundër tij në 2028 një kandidat aq të majtë, jo një të qendrës si guvernatorët e Pensilvanisë dhe Miçiganit, Shapiro dhe Whitmer, sa ta bëjë më pak tërheqëse alternativën për katolikët e ofenduar nga deklaratat e tij për Papën.

Ai dëshiron të shihet si komandant i ardhshëm i përgjithshëm, jo vetëm si zv/president. Nëse lufta në Iran do të konsiderohet sukses deri në 2028, refuzimi i tij për “t’u përkulur para Vatikanit” do të shihet si pikë force. Vance, pas dyshimeve fillestare, e mbështet Trumpin për Iranin 100%, duke ndërtuar kështu imazhin e një lideri lufte, ndërsa Rubio mund të heshtë sepse është Sekretar Shteti dhe ka justifikimin e angazhimit diplomatik mes Izraelit dhe Libanit.

Basti për 2028

Është një bast: ai beson se marka personale e Trump aktualisht ka më shumë ndikim tek votuesit republikanë sesa autoriteti moral i Papës dhe se do të vazhdojë ta ketë edhe në verën e 2028, kur do të zhvillohen primaret. Po për zgjedhjet e ndërmjetme të këtij viti? Nëse republikanët ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, Vance do të shihet si një gjeni që kuptoi saktë se “Papa amerikan” nuk kishte ndikimin që i atribuohej. Nëse partia humbet në zonat me shumicë katolike, Vance do të konsiderohet ai që “e theu koalicionin”, dhe primaret e 2028 do të bëhen një garë e hapur./Corriere