Kryeministri Edi Rama në dëgjesën publike në Karahaxh të Sarandës, pas mesazheve politike drejtuar opozitës, ka vazhduar me turin për llogaridhënien. Në takimin e Ramës me pakicat kombëtare, banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në raport me zyrtarët socialistë në qeverisjen lokale.

Një nga gratë e pranishme në dëgjesë, i ka thënë Ramës se ka probleme në doganë me zhbllokimin e produkteve doganore.

Replikat me qytetaren:

Qytetarja: Unë jam shtetase greke. Votoj për Partinë Komuniste në Shqipëri dhe Siriza në Greqi.

Rama: Më thuaj hallin që ke!

Qytetarja: Unë kam një biznes por më bllokojnë te dogana, kam dërguar edhe letër me dorë.

Rama: Të lutem, nuk ka nevojë për letër, te Shqipëriaqëduam.al. Edhe njëherë për shkak se letrat sorollaten ka 30 vjet kemi krijuar këtë sistem.

Qytetarja: Më pengon dogana e Sarandës...

Rama: Shkruaj te shqipëriaqëduam.al, vetëm tre minuta do harxhosh.

Qytetarja: Jeni Kryeministri që duam!

Rama: Lëre tani ça jam unë, ti voton për Partinë Komuniste, s’voton për mua!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:47
“Ujkun e ke në krah’, qytetari ia thotë Ramës në sy për kryebashkiakun: Sotir, se pushkatojmë dot!

Një tjetër replikë interesante gjatë dëgjesës ishte dhe ajo e një minoritari i cili akuzoi kryebashkiakun e Finiqit për pronësinë e tokës.

‘Ujkun e ke në krah!’-tha banori.

Pas kësaj, fjalën e ka marrë kryetari Leonida Kristo i cili tha se akuzat janë të rreme.

Kam bërë kallëzim penal për personin në fjalë”, tha kryebashkiaku.

Rama iu përgjigj qytetarit duke i thënë se me kallëzimin do merren organet ligjzbatuese:

Sotir, s’jemi gjykatë këtu! Ti ke bërë kallëzim, kryetari i bashkisë të ka bërë kallëzim ty. Unë do coj Inspektoriatin Antikorrupsion që do shohë letrat për bashkinë e Konispolit dhe të Finiqit. Dekret për pushkatim nuk nxjerrim dot për këta të dy!”

Ora 13:08
‘Na lanë me gisht në gojë’, zonja i qahet Ramës: Ulu moj xhan, me radhë

Më tej gjatë dëgjesës, një tjetër qytetare iu ankua Kryeministrit, se kur PD erdhi në pushtet e kanë hequr nga puna, dhe se ajo kishte mbetur e pastrehë.

Kryeministri iu përgjigj se do kontaktohet me Bashkinë për të gjetur një zgjidhje.

Replikat:

Qytetarja: Na lanë me gisht në gojë, më hoqën nga puna kur erdhi PD-ja në pushtet. S’kam shtëpi.

Rama: Tani ulu se të dëgjova moj xhan, ta marrim me rradhë se duan të flasin dhe të tjerët. Do ta diskutoj me Bashkinë se mundësitë me strehimin janë ato që janë.

Ne kemi detyruar me ligj kompanitë, meqë na thonë se mbështesim oligarkët, në fakt ata i ka gjetur belaja se 3 % të ndërtimit do të japin për familjet e reja. Për çështjen tuaj do flas konkretisht nëse ka një mundësi për të ndihmuar.